E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha iu kërkon falje pas 18 vjetësh religjioneve, po s’iu kthen pronat

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, është shprehur dje se shteti duhet t’i kërkojë falje të gjithë atyre që u martirizuan gjatë kohës së diktaturës, për shkak të besimit, bindjeve fetare apo politike dhe që qëndruan të pamposhtur, sepse besonin në vlera. Në fjalën e tij gjatë marrëveshjes që u nënshkrua me komunitetin e kulteve për financimin nga shteti të kulteve fetare, duke e cilësuar këtë si mbyllje të një kapitulli të madh, ndër më të nxirit në historinë e vendit kryeministri Berisha tha: “Nuk mund të mos theksoj se kjo marrëveshje në vetvete mbart detyrimin madhor të këtij shteti për t`u paraqitur një ndjesë të thellë, një falje të gjithë atyre klerikëve shqiptarë, besimtarëve shqiptarë që për besimin te Zoti, tek e vërteta u flijuan, u sakrifikuan, por qëndruan të pamposhtur, pasuruan altarin e martirëve të këtij kombi, me vlera që ndrisin dhe do ndrisin përjetë. Është me vend për të paraqitur një ndjesë ndaj të gjithë besimtarëve shqiptarë që një regjim, që një shtet me një akt të paprecedent në këtë shkallë në histori, jo të kombit, por të Evropës, i privoi ata nga mundësia e shërbimit të fundit, i privoi ata nga mundësia e ndarjes nga familja dhe shoqëria me shërbimet që meritonin. Është një rast për të kërkuar ndjesë për shkatërrimin dhe barbarinë që iu bë kryeveprave të trashëgimisë fetare dhe kulturore të kombit që qëndronin realisht si margaritarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe më gjerë me vlerat, lashtësinë, dëshminë, arkivin dhe gjithçka tjetër.” Në fakt, kjo falje vjen vetëm pas tetëmbëdhjetë vjetësh, kur kryeministri Berisha ka ardhur rishtas në pushtet, pas një periudhe gjashtëvjeçare në vitet e para të përmbysjes së sistemit që ka qëndruar si President i Republikës. Duhet theksuar se Shqipëria ende nuk ka kërkuar falje publike jo vetëm subjekteve fetare, por edhe ish-të përndjekurve për krimet e komunizmit. Përgjatë këtyre tre vjetëve, qeveria ‘Berisha’ nuk ka bërë thuajse asgjë për këtë shtresë, madje shumë prej ish-të përndjekurve me anë të një ligji i përjashtoi dhe nga e drejta e kompensimit. Nuk është miratuar ende ligji i dosjeve dhe një varg detyrimesh që shteti i ka kësaj klase, e cila u martirizua në emër të një ideali, në emër të një sistemi vlerash, në krye të të cilit qeveritë dhe kryeministrat vijnë e ikin. Kryeministri pretendon se me një marrëveshje mbyllet kapitulli i gjatë i barbarisë ateiste të imponuar, por në të vërtetë komunitetet fetare ende nuk kanë marrë pronat që i takojnë në bazë të ligjit, dhe me pronat apo tokat e tyre po abuzohet çdo ditë e më shumë nga pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm.

“Në të gjitha të drejtat që ka një njeri dhe që meriton t`i gëzojë, njëra është e drejta e të gjitha të drejtave, njëra është më privatja, më e pafajshmja, më themelorja, e drejta e besimit. Pra, me këtë marrëveshje ne mbyllim një kapitull më të hidhurin, më të nxirin në historinë e këtij kombi. Nuk ka patur dhe nuk ka njollë më të zezë në tërë historinë tonë kombëtare sesa barbaria ateiste e imponuar”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›