Gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe noterët, në bllok kundër Ministrisë së Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë ka marrë një tjetër shuplakë të fortë ditën e djeshme, teksa shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve kanë dalë në bllok kundër nismave të saj më të fundit ligjore në kuadrin e reformave në drejtësi.
Zërit të shoqatave të interesit të njerëzve të drejtësisë i janë shtuar edhe ndërkombëtarët, mes tyre përfaqësuesi i EURALIUS në Shqipëri, si dhe Transparency International Albania, që kanë kritikuar fort qeverinë. Këta të fundit kanë kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, për faktin se në projektligjet që ka ndërmarrë, nuk ka marrë mendimin e grupeve të interesit, dhe më e keqja, me anë të tyre, qeveria, që në këtë rast përfaqësohet nga Ministria e Drejtësisë, kërkon të kontrollojë dhe nënshtrojë gjithë sistemin e drejtësisë.
Rezoluta
“Në emër të shoqatave dhe grupeve të interesit që përfaqësojmë, shprehim sot shqetësimin tonë publik për nismat e fundit ligjore që po ndërmerren nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë në kuadrin e reformës në drejtësi. Kemi konstatuar se, në pjesën më të madhe të tyre, projektligjet e hartuara janë produkt i një procesi legjislativ të mbyllur dhe në komponentë të rëndësishëm është anashkaluar ekspertiza ndërkombëtare dhe përvoja e mirë e profesionistëve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, juristëve, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile”, - thuhet në rezolutën e shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve. Sipas deklaratës së tyre të përbashkët, është i papranueshëm fakti për mungesën e një strategjie të përbashkët për projektligjet në sistemin e drejtësisë. “Ne mbështesim reformimin e sistemit të drejtësisë dhe jemi të gatshëm për të luftuar korrupsionin kudo që ai shfaqet, por jemi të shqetësuar për mungesën e një strategjie të përbashkët, e cila përveç nismave ligjvënëse duhet të përfshijë edhe përpjekjen për rritjen e zbatueshmërisë së ligjeve, ngritjen e infrastrukturës, forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së buxheteve të këtyre institucioneve. Arnimet ligjore dhe kontrolli i ekzekutivit mbi institucionet nuk e reformojnë sistemin e drejtësisë, por e rrënojnë atë”, - thuhet në deklaratën e përbashkët. Ndërkohë, njerëzit e drejtësisë u shprehën se me anë të nismave të saja ligjore, qeveria, që përfaqësohet nga Ministria e Drejtësisë, kërkon që t’u imponohet dhe të vërë nën kontroll e të nënshtrojë institucionet e pavarura të drejtësisë. Sipas shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve, “fryma e imponimit në drejtim të institucioneve të pavarura realizuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është frymë e cila synon rritjen e kontrollit dhe të nënshtrimit. Procesi i reformës ka treguar se po kryhet me një shpejtësi, e cila vë në dyshim zgjidhjet më të mira profesionale e ligjore. Justifikimi se ky proces reformimi duhet të kryhet shpejt për shkak të angazhimit të Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, nuk është i bazuar dhe nuk duhet t’i hapë rrugë shkeljes së transparencës, mungesës së debatit publik dhe cenimit të cilësisë së ligjeve”. Sipas tyre, vihet re një tendencë gjithnjë në rritje e ekzekutivit, për të ndërhyrë në punët e gjyqësorit, prokurorisë, si dhe në profesionet e avokatisë dhe noterisë. Kjo, duke qenë se, sipas tyre, projektligjet, si ai i administratës gjyqësore, dhe ai për prokurorinë, tentojnë përdorimin në mënyrë antikushtetuese dhe të kundërligjshme të këtyre institucioneve në funksion të ekzekutivit. “Nuk duhet të lejojmë që reforma të përdoret për të monopolizuar apo fuqizuar një pushtet ndaj tjetrit. Përkundrazi, reforma duhet të ndihmojë dhe të japë rezultatet e veta pozitive në ruajtjen e balancave midis tri pushteteve. Rritja e kompetencave të institucioneve të pavarura dhe reduktimi i kontrollit të politikës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila është kthyer në burim të ushtrimit të arrogancës, frikësimit dhe imponimit të iniciativave ligjore, pa marrë parasysh nevojat, por duke paragjykuar punën e organeve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë, është shumë e rëndësishme”, - u shprehën në deklaratën e përbashkët shoqatat që preken nga projektligjet e Ministrisë së Drejtësisë.
Mangësitë e projektligjeve
Përveçse synimit për nënshtrimin e sistemit të drejtësisë, grupet e interesit shprehen se projektligjet e paraqitura nga ana e Ministrisë së Drejtësisë paraqesin edhe mangësi të theksuara. “Një pjesë e projekteve nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u diskutuar, veçanërisht ai për noterinë dhe avokatinë, të cilat kanë shtrirje kombëtare dhe për pasojë, zëri i pjesës më të madhe të noterëve dhe avokatëve nuk është marrë në konsideratë, ashtu si edhe mendimet e tyre. Në këtë mënyrë, diskutimi me grupet e interesit për këto projektligje është kthyer në një proces formal dhe joreal.
Në disa prej tyre parashikohen ulje të standardeve profesionale, kritereve të licencimit, ulja e nivelit të transparencës, që në të ardhmen mund të krijojnë vetëm probleme të natyrës korruptive”, - shprehen në deklaratën e tyre shoqatat e interesit. Madje, në këto projektligje, ata shprehen se vihen re edhe regrese. “Në disa prej tyre ka edhe tendencë regresi, p.sh., për sa i përket heqjes së parashikimeve ligjore që detyrojnë Ministrinë e Drejtësisë të konsultojë me komunitetin e profesionistëve vendimmarrjen në këto fusha. Monopolet vendimmarrëse të ekzekutivit bien në kundërshtim me rekomandimet ndërkombëtare dhe të vetë parimeve të demokracisë, të cilat kushtëzojnë vendimmarrjen me rritje të transparencës dhe me konsultime të gjera e konstruktive me grupet e interesit.
Në tërësi projektligjet kanë një cilësi të dobët dhe cenojnë rëndë integritetin e institucioneve të drejtësisë, duke mos realizuar dot qëllimet që ka reforma”, - mbyllet deklarata e shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe noterëve.
EURALIUS: Ministria e Drejtësisë duhet të marrë mendimin e palëve
Drejtori i Zyrës këshillimore të BE, EURALIUS, Roland Miklau, në fjalën e tij mbështeti deklaratën e presidentit, Bamir Topi, bërë dy ditë më parë gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë që u zhvillua në Dibër, sipas së cilës reforma në drejtësi duhet hartuar nga të gjitha palët. Sipas tij, projektligjet për reformën në drejtësi duhet të konsultohen me të gjithë grupet e interesit. “Kam dëgjuar që Presidenti i Republikës së Shqipërisë është shprehur dje se ligji nuk është një çështje unilaterale. Unë mendoj se presidenti ka shumë të drejtë, sepse ligjet dhe draftet ligjore në demokraci duhet të jenë çështje shumë multilaterale dhe një proces multilateral”, - tha Miklau.