Në gjurmët e mësuesit të vet...
Mos më keqkuptoni, nuk e kam ndër mend me trajtue asnjë çeshtje pedagogjike.
Për me kenë atdhetar gjithnjë asht thanë se asht detyrë për secilin shqiptar.
Për me kenë atdhetar i mirë asht diçka ma shumë dhe shumë e vështirë.
Për me kenë besimtar edhe kjo përgjithsisht asht një detyrë, por kur bahet fjalë për besimtarin e mirë ndryshon puna ashtu si për atdhetarin e flaktë.
Në një tavolinë të një kafes në Tiranë, një qytetar iu drejtue të ndjerit Zef Shiroka : “Për Ju zotni Zef, të gjithë thonë se je burrë i mirë. A me të vërtetë je i tillë apo e thonë se je ministër?...”
Zefi e shikoi, bani buzën në gaz dhe, i tha: “Unë e di vedin për të tillë, mbasi gjithë jetën jam mundue me e ruajtë nderën e fëtyren, madje, me vështirsi të mëdha, mbasi për pesë minuta mundesh me humbë gjithshka dhe me u quajtë gjithë jetën hor...”.
Kështu asht edhe për njerëzit e thjeshtë, nëpunës, mësues, mjek, fshatar, etj.
Dikush mendon se kështu asht edhe për klerikët. Jo. Për klerikët katolik ndryshon mënyra e përcaktimit të termit klerik i mirë. Ai duhet me kenë vetëm i mirë e jo ndryshe. Momenti i vendimit për atë rrugë nuk përcakton karakterin e tij. Ka mjaft që janë tërhjekë nga vendimi dhe janë quajtë burra të mirë në gjithë jetën e tyne laike. Ka edhe nga ata që nuk janë tërhjekë, janë ba priftën, por kanë kenë të dobët.
Klerikët katolikë të mirë që kanë krye detyrën fetare dhe atdhetare tue ruajtë lartë deri në vdekje këte ideal, kanë marshue me faqe të bardhë drejtë Elterit Atdheut dhe Fesë.
Historia e Kishës Katolike Shqiptare të tillë klerikë i rreshton ndër shekuj, tue fillue nga shekulli i parë mbas Krishtit, mbasi Shqipnia dihet se asht ndër vendet e para kristjane në botë, që në vitin 53 – 58 kur Shën Pali qendroi në Durrës.
Zik-zaket historike të tonat nuk mujtën me ndryshue asnjëherë nderimin dhe respektin e askujt për rrugën e lavdishme e të përgjakun të Klerit Katolik. Ajo rrugë e ndjekun nga të parët u pasua deri në ditët tona.
Mbas vitit 1944, ndryshoi gjithshka nga mënyra e zgjedhjes së kësaj rrugë prej atyne që mendonin me u ba meshtar të Kishës Katolike Shqiptare.
Një djalë shqiptar që mund të mendonte për prift, survejohej, spijunohej, gjurmohej, përgojohej, shpifej e arestohej e, edhe mund të zhdukej nga faqja e dheut me akuza false.
Pra, kur merrej një vendim i tillë, ai shqiptar kishte pranue rrugën e meshtarisë që mund të çonte në dënimin me vdekje, tue u torturue e masakrue me vite të tana në hetuesi e kampe shfarosje të shtetit komunist shqiptar. Ndonse shembujt janë të shumtë, unë nuk do të flas në përgjithsi për të gjithë ata që janë sakrifikue për Atdhe e Fé, por do të ndalohëm në një nga Martirët e Mëdhaj të Kishës Katolike Shqiptare, që duhet ta përkujtojmë në këte shkrim.
Don Marin Shkurti lindi në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit Buna, pranë Shkodres. Shkollën 7- vjeçare e ban në Dajç ku famullitar ishte Don Kolec Prennushi.
Mbas vitit 1950, kur vdes Don Koleci, në Dajç vjen famullitar Don Dedë Malaj, tek i cili Marini paraqet dëshirën me u ba meshtar. Ai deklaron: “...Kur isha fëmijë, tue pa figurën e priftit tonë Don Kolecit, kur vdiq Ai, mue më thirri një za: Marin, katundet janë pa prift! Shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën dhe vëndimin që kisha marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe se e djallit, të lumtë!...”
Kështu, ky djalë mori rrugën e vështirë e plot rreziqe tue mësue me një vullnet të hekurt nga mësuesi i Tij Don Deda, mësimet e nevojshme teologjike dhe filozofike. Duhet vue në dukje se Marini nga mësuesi i vet mori edhe cilësitë morale e burrnore që Don Dedës nuk i mungonin. Në vitin 1958 Marini detyrohet me ndërpre studimet sëpse aso kohe mësuesi i Tij arestohet dhe, mbas pak muejsh, në maji të vitit 1959 Don Deda pushkatohet.
Sigurisht, qendrimi burrnor e fisnik i Don Dedës në gjyqin e zhvilluem në kinema “Republika” të Shkodres, ngjallë ata virtyte që për meshtarin e rinj janë të domosdoshme. Guximi, vendosmënia, qendresa dhe mbi të gjitha pathyeshmënia kundrejt torturave dhe masakrave të Sigurimit Shtetit komunist ndaj Don Dedës, formojnë tek Marini atë karakter meshtarak që pa pikë frike pranon salvimin për Fenë dhe Atdheun e zharitun...
Në vitin 1961, në muejn dhetor, Marini shugurohet meshtar nga duart e Imzot Ernesto Çobës dhe, me 8 dhetor të po atij viti, Don Marin Shkurti çon Meshën e Parë në Kathedrale të Shkodres. Emnohët meshtar në famullinë e Mësuesit të vet, në Dajç të Bregut të Bunës dhe mbas pak vitesh shkon në fshatin Stajka. Ishte një meshtar model në çdo veprim fetar apo laik, jetonte në mes të njerëzve të varfën kooperativist, si ma i varfni...
I papritueshëm e korrekt në shërbimet ndaj fshatarve të cilët punonin gjithë ditët e vitit për 30 lekë të vjetra, për me mujtë me mbajtë frymen gjallë. Për asnjë shërbim fetar Ai nuk kërkonte shpërblim, por kujtohet edhe sot vetëm për ndihmat që u jepte të tjerve.
Plot mbas 6 vjetësh si meshtar, në shkurt të vitit 1967 Ai me të gjithë Popullin Shqiptar asht në epiqendren tronditëse të “Revolucionit Ideologjik e kultural”, të shpallun pa pikë turpi nga Enver Hoxha. Asht pikërisht ai “Revolucion” që vetë shpiksit e tij, sot mundohen mos me e kujtue djalin 20 vjeçar kinez me gjoksin e Tij të pashpueshëm, tue mbetë simbol i zmbrapsjës tankut të armatave ushtarake të gadistëve të kuq e të sa miljona komunistve kinez, apo në Shqipninë e vogël evropjane simbolin tjetër të pathyeshëm dhe të përjetshëm, që me dy faqe fletorje me kuadrate të shkrueme me dorën e Tij të shugurueme, At Pjetër Meshkalla, pat guximin me u thanë diktatorve: ju jeni inkuizitor të shek. XX!
Don Marini nuk ndërpret vëprimet fetare edhe pse ata ndalohën me ligjë nga shteti komunist. Pagëzon, rrëfen, kunorzon, vojon të sëmurë dhe vazhdon shërbimet fetare në fshatrat ku kishte sherbye. Sigurimi i kudondodhun fillon me e gjurmue. Sinjalizohet se mund ta arestojnë për veprimet fetare që nuk i kishte ndërpre. Me datën 14 nandor 1968 Ai arratiset në Jugosllavi bashkë me gjithë vëllazën e familjet e tyne të përbame me 17 vetë, tue pre lumin Buna përballë shtëpisë ku kishte lindë në Samrish. Sigurimi i shtetit bie në marrveshje si gjithmonë me UDB jugosllave dhe, mbas tri ditësh me 17 nandor 1968, Don Marinin bashkë me 17 pjestarët e familjes e këthejnë në Shqipni. Torturohen mizorisht të gjithë. Don Marini në dosjen e Tij ngulë kambë me shfajsue një nuse të vëllaut, e cila ishte shtatzanë, se gjoja ajo nuk ka ditë asgja për vëprimet e burrave të familjes, sigurisht për mos me rezikue jetën e saj. Një mjek i maternitetit të Shkodres kërkon që me këte grue të ndërpriten hetimet, po hetuesi vazhdon punën e tij. Ajo dënohet me 10 vjet heqje lirije dhe lind fëmijë në burg. Me datën 5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga kryetar Jorgo Dhroso dhe anëtarë Xhemal Gramshi dhe Gita Baci, me prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin në fshat kundër “armikut të Popullit dhe trathtarit të atdheut” Don Marin Shkurti dhe 17 anëtarëve të familjes së Tij. Dosja mbyllet me vendimin e pushkatimit të Don Marinit dhe me dënimet e randa mbi 20 vjetë për katër vëllaznit e Tij. Pjesa ma e madhe e familjes dënohet mbi 10 vjet burg e punë të detyrueme në kampet e shfarosjes. Vendimi i dënimit të Don Marinit nuk u ndryshue as nga Gjykata e Lartë, as nga Kuvendi Popullor.
Don Marini në dosje tregon se arësyeja e arratisjes së Tij ishte frika e arrestimit dhe pasojat që do ti sillte familjes... Ai nuk ka as veprimtari spijunazhi dhe as sherbime në favor të shteteve të huaja. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi Ai nuk asht pyet nga askush dhe as nuk ka dhanë as informata me karakter fetar, ushtarak apo spijunazhi...
Ma poshtë shënohet: “Unë vendosa me u ba prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja, sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë ashtu si ka vdekë Ai vetë...
Ju mendoni, se me këte “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por mos harroni, se gjaku i jonë që derdhet tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, Ai prap do ti rindertojë këto Kisha që ju po prishni!...”
Në fjalën e fundit Ai tha: “Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!”.
Fjala e fundit asht një dëshmi e pakundërshtueshme e Tij, e cila tregon burrninë me ua përplasë për surrat padrejtësinë diktatorve dhe pasuesve të tij. Ai demaskon rendin e tyne të flligtë e terrorist si dhe pasuesit besnikë të tyne në shërbimet antiatdhetare.
Ai vdes për Atdhé, sëpse asht rruga e zgjedhun prej vetë Atij, asht rruga e sigurt që e lartëson në Elterin e Martirve të pavdekshëm...
Ja pra, me fakte se katili fanatik Enver Hoxha me pasuesit e vet trathtarë nuk i vriste klerikët katolik vetëm për kulturën që Ata kishin, por për té duhej zhdukë çdo njeri i veshun me veladon e zhgun.
Don Marin Shkurti mbetet ndër Ata klerikë të nderuem të Kishës Katolike Shqiptare të martirizueme, sepse kur anë e kand qytetit të Shkodres, tue fillue në Zallin e Kirit, Stom Golem, Bardhej, kodra të Rrencit e deri në fushën e liqenit të Shkodres, ku kishte vorrin e Mësuesit të vet, nuk kishte një pëllambë tokë pa një gropë ku kalbej një klerik e, megjithate, Ai vendosë në shembullin e Tyne, në moshen 35 vjeçare me vdekë si paraardhësit e Tij: Hero i Atdheut dhe i Fesë.
Melbourne, 2008.
_________________
Dr. Zef Shiroka, Doktor ekonomist. Vëllau i Dr. Federik Shirokës.