Besa e presidentit Bush për kryeministrin Berisha
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, falënderoi dje publikisht presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, për firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, duke shtuar se presidenti amerikan “e mbajti fjalën”. Lajmi, i cili në të vërtetë është një lloj firmosje de facto e anëtarësimit në NATO nga gjithë vendet e Aleancës, është një shans i mirë për qeverinë në Tiranë, dhe veçanërisht kryeministrin, Sali Berisha, t’i mëshojë një lloj dualiteti politik në raportet me Uashingtonin. Sulmet e forta të ambasadorit amerikan në Tiranë muajin e fundit dhe polemikat e tij publike rreth qëndrimit dyshues të qeverisë ndaj prokurorisë kanë ngritur pikëpyetje serioze për cilësinë e raporteve politike mes qeverisë së Tiranës dhe Uashingtonit. Firmosja dje nga presidenti Bush e Protokollit të Anëtarësimit në emër të qeverisë së SHBA u përdor qartë prej kryeministrit Berisha për të theksuar një lloj dualiteti. Fjalia e tij që “presidenti Bush e mbajti fjalën”, duket se e zhvendos rëndësinë e këtij vendimi te një raport personal mes tij dhe presidentit Bush. Me shumë takt, por duke bërë kujdes që të kuptohet, kryeministri Berisha deshi të theksonte se vendimet e mëdha për Shqipërinë nuk varen nga qëndrimi i ambasadorit Withers në Tiranë. Kjo lloj politike në fakt ka muaj që po ravijëzohet në qëndrimet publike të qeverisë, sidomos në ato të zotit Berisha dhe ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha. Fjalia e djeshme e kryeministrit Berisha ishte një shprehje e qartë e kësaj politike.
Ky qëndrim në të vërtetë e fut në krizë qëndrimin amerikan ndaj Shqipërisë, pasi ai është i dyzuar mes nevojës që ka për të zgjeruar NATO-n dhe për ta çuar kufirin e saj mundësisht në bllok drejt Gjeorgjisë e Ukrainës, dhe keqpërdorimit që i bëhet këtij zgjerimi, duke e kanalizuar deri në merita personale nga udhëheqës lokalë. Rasti i Shqipërisë rrezikon të bëhet problematik pikërisht për këtë shkak.
Polemikat publike të ambasadorit amerikan me kryeministrin Berisha janë për disa arsye shumë parimore, që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve dhe rritjen e autoritetit të prokurorisë. Gjestet e kryeministrit kanë qenë rregullisht negative. Ai nuk i ka pranuar kritikat, ka avancuar ta vlerësojë si të painformuar ambasadën amerikane në Tiranë, derisa përfundoi në Vlorë te vlerësimi se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës.
Qëndrimi i djeshëm publik dhe referenca te “besa e dhënë” e Xhorxh Bushit, është jo vetëm provokative, por dhe vazhdim i luftës së ftohtë të qeverisë me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në Tiranë. Në rastin më të keq kjo dëshmon se qeveria shqiptare e ka seriozisht përpjekjen për kontroll dhe frikësim të prokurorisë. Një dëshmitar i Gërdecit, që ka dëshmuar publikisht në emisionin tim, Andi Belliu, u ndalua dje në rrethana krejt të paqarta dhe u shoqërua në polici i dyshuar se ngjante me dikë që kërkohej për vrasje. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë qenë dhe rastësi provokacioni, pasi së paku kështu më siguruan krerë të lartë të policisë, por nuk e përjashtoj nga ana tjetër që segmente komisarësh brenda policisë të veprojnë “me pushtet” më vete, në funksion të një strategjie që imiton luftën për t’u mos u hetuar Gërdeci. Do të ishte e frikshme, nëse vërtet e kanë ndaluar për ta frikësuar, por do të ishte dhe më e frikshme, nëse kjo bëhet nga segmente jashtë kontrollit zyrtar të policisë. Nëse një zyrtar policie trimërohet nga ministri që kërkon të arrestojë prokurorë, përse një polic më i vogël mos të ndalojë dëshmitarë të të njëjtit proces? Dhe kjo mund ta komplikojë seriozisht punën, nëse raste të tilla delikate nuk hetohen me kujdes dhe nuk nxirret përgjegjësia.
Kryeministri mori një sërë zotimesh dje, që në fakt nuk kishin asnjë referencë te vërejtjet dhe shqetësimet serioze që ka ngritur qeveria e SHBA për qeverinë “e Tij”. Retorika e përgjithshme për zotime, pa iu referuar vërejtjeve konkrete që ka marrë publikisht në Tiranë, është vazhdimi i injorimit të kritikave dhe vërejtjeve të tyre për qeverinë e Tiranës. Presidenti Bush ka mbajtur një premtim të dhënë shqiptarëve, por ai ka nevojë që qeveria shqiptare të mbajë premtimin se do të respektojë çdo vërejtje dhe sugjerim të qeverisë së tij në rrugën e reformave. Është fyese që qeveria amerikane të kërkojë gjëra të tjera dhe kryeministri i Shqipërisë të zotohet për gjëra të tjera që s’kanë ndonjë lidhje reale me shqetësimet e Uashingtonit. Nëse realisht e konsideron mik presidentin Bush, duhet t’ia bëjë më të lehtë mbajtjen e “besës” që ka dhënë në Tiranë.