E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj mbron draftin për administratën gjyqësore

 

TIRANE - Ministri i Drejtësisë mbron draftin "Për administratën e gjyqësorit", ndaj të cilit reaguan ashpër Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe nënkryetari i KLD-së, të cilët pohuan se nuk kishin marrë dijeni. I kontaktuar dje nëpërmjet telefonit, ministri Enkelejd Alibeaj tha se, dikasteri i drejtuar prej tij kishte kontaktuar të gjithë grupet e interesit rreth një muaj e gjysmë më parë, kur ligji ndodhej ende në fazë përgatitore. "Projektligji u është përcjellë të gjithë kryetarëve të sapozgjedhur të gjykatave dhe kancelarëve respektivë, si grupet e interesit drejtpërdrejt të interesuar, të cilëve u vura në dispozicion kopje të draftit, me qëllim dhënien e ndihmës prej tyre, të cilët patën mundësinë për të dhënë opinionin e tyre. Gjithçka është pasqyruar në ligj", sqaroi ministri. Më tej ai tha se, kjo është masa e detyrimit në funksion të konsultimit, të institucionit që ai drejton, çka presupozon se gjykatësit shqiptarë janë njoftuar të gjithë. Reagimit të dy ditëve më parë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, të cilët pohuan se nuk kanë pasur dijeni për ligjin, Alibeaj iu përgjigj dje duke thënë se, detyrimi i ministrisë është vetëm për njoftuar përfaqësuesit ligjore të togave të zeza, të cilët janë kryetarët e gjykatave, në totalin e tyre 26 dhe kancelarët, dhe jo anëtarët e KLD-së që vijnë nga gjyqësori dhe që janë vetëm 9 të tillë. Sipas tij, njoftimi zyrtarisht i kancelarëve dhe krerëve të gjykatave, do të thotë përmbushje detyrimi për njoftimin e grupeve të interesit. "Ky ligj prek ekskluzivisht vetëm administratën gjyqësore, jep statusin e nëpunësit civil dhe dyfishon pagën dhe jo funksionin e gjyqtarëve", pohon Alibeaj, i cili tha më tej se ka kërkuar që shoqatat e gjyqtarëve të thirren në Komisionin e Ligjeve për të dhënë mendimin e tyre në lidhje me këtë draft. Gjatë një konference për shtyp, dy ditë më parë, Manjola Bejleri, kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve i bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të mos votojnë ligjin "Për administratën gjyqësore", i cili sipas saj është tentativë e ekzekutivit për të vënë gjyqësorin nën kontroll. Bejleri pohoi më tej se shoqata, të cilën ajo kryeson, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ato pjesë të ligjit për gjyqësorin, përsa i përket kompetencave të kancelarit të gjykatës. Kurse Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së, i cili ndodhet në SHBA për një vizitë pune deklaroi për "Zërin e Amerikës", se Ministria e Drejtësisë kishte anashkaluar njohjen e KLD-së me këtë draft.                                  fa.ma.

Kërkohet shfuqizimi në Kushtetuese
Shtimi i kompetencave të kancelarit të gjykatës, është bërë shkak që Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të dërgojë në Kushtetuese shfuqizimin e disa prej pikave të ligjit të gjyqësorit. Duke pohuar se kjo është një tendencë e ekzekutivit për vënë në kontroll gjyqësorin, togat e zeza pohojnë se ligji "Për administratën gjyqësore", është mbështetur pikërisht në këto pika, për të cilat kërkohet shfuqizimi me pretendimin se bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›