Pse përfaqësim të grave me 30% në Kuvend dhe administratë
Aristir Lumezi
Përfaqësuesja e Programit të UNIFEM-it, Fondi i Zhvillimit të OKB-së për Gratë, Christine Arab flet për sfidën, të cilën kjo agjenci ka ndërmarrë, për të përcaktuar në një kuadër ligjor për një përfaqësim prej 30 për qind të grave në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe në administratën publike. Sipas saj, një grua politikane dhe administratore do ta emancipojë më tej shoqërinë shqiptare. Ajo shprehet se partitë politike e kanë pritur mirë këtë propozim, që pritet të përfshihet dhe në Kodin zgjedhor.
Sipas jush çfarë ndikimesh do të ketë për gratë dhe burrat ligji i ri ‘Për Barazinë Gjinore në shoqëri’?
Me kërkesën e Qeverisë shqiptare, UNDP dhe OSBE i siguruan Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ekspertizë teknike në hartimin e projektligjit dhe UNIFEM-i mbështeti punën avokatore për miratimin e tij. Ky ligj forcon ndjeshëm kuadrin ligjor, që promovon barazinë dhe jodiskriminimin, duke e përafruar më shumë me standardet ndërkombëtare. Qëllimi i ligjit është të sigurojë një mbrojtje efektive nga diskriminimi me bazë gjinore, veçanërisht në fushat e Arsimit dhe Punësimit. Gjithashtu, ligji parashikon vlerësimin për kontributin dhe punën e papaguar të grave në familje; përcakton masa që garantojnë mundësi të barabarta midis burrave dhe grave, siç janë masat e veçanta të përkohshme ose ‘kuota’ prej 30% në nivel kombëtar dhe lokal për pozicionet e emëruara dhe në kandidatet për pozicionet e zgjedhura. Ligji forcon strukturat dhe proceset e qeverisë për të promovuar barazinë gjinore. Miratimi përfundimtar i ligjit u arrit në një masë të madhe falë punës së madhe nga mbështetësit e barazisë gjinore në Qeveri dhe në Kuvend.
Cili është roli i OKB-së në këtë ndërmarrje?
OKB-të synojnë të mbështesin zbatimin e ligjit mbi bazën e Programit të Përbashkët të OKB-ve për Barazinë Gjinore në Shqipëri. Si pjesë e nismës pilot ‘Një OKB’ në Shqipëri, ky Program i Përbashkët përfshin katër Agjenci: UNDP, UNFPA, UNICEF dhe UNIFEM. UNIFEM-i është jo vetëm Agjencia përgjegjëse për zbatimin e Programit të Përbashkët, por edhe për bashkërendimin e të gjithë punës së programit. Përveç mbështetjes së zbatimit dhe monitorimit të ligjit, programi do të punojë në nivel lokal për luftën e dhunës ndaj grave dhe rritjen e mundësive të grave për të përdorur burimet socio-ekonomike dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje.
Në debatin për Ligjin në Kuvend, vëmendja u përqendrua rreth kuotës 30%, cilat ishin sfidat, me të cilat ju u ndeshët nga aktorët politikë?
Debati rreth adoptimit të ligjit u përqendrua kryesisht rreth nenit 15, i cili përmban ‘masat e veçanta’ për gratë në vendimmarrje. Praktikisht kjo do të thotë se të paktën 30% e vendeve të emëruara duhet t’i caktohen gjinisë më pak të përfaqësuar. Ligji më tej pohon se 30% e të gjithë kandidatëve për zgjedhjet në nivel qendror dhe lokal duhet të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar. Për shumë, kjo ide është një kërcënim për status quo-në, sepse ndërkohë që kuota nuk garanton që 30% e vendeve në Kuvend do të jenë për gratë, rrit në mënyrë të ndjeshme mundësinë e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje – një terren që është parë tradicionalisht si ‘mashkullor’. Nga diskutimet tona me deputetët, është e qartë se shumë parti politike në parim e mbështesin idenë e kuotës, madje disa prej tyre kanë adoptuar tashmë kuotat brenda Asambleve të tyre të Përgjithshme. Megjithatë angazhimi për barazinë gjinore do të provohet me zbatimin e kuotës së vendosur tashmë me ligj në Zgjedhjet e vitit 2009.
Çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri që të shikojmë me të vërtetë një rritje të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në zgjedhje?
Përvoja ndërkombëtare na tregon se, masat e posaçme të përkohshme ose ‘kuotat’ nevojiten për të sjellë një ndryshim të vërtetë në numrin e grave dhe vajzave në postet e zgjedhura. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se në rast se kuota prej 30%, e miratuar rishtazi në ligj, nuk do të pasqyrohet në Kodin Zgjedhor, atëherë zbatimi i saj do të jetë tejet i dobët. Shqipëria është me fat që përdor sistemin proporcional, pasi ai favorizon rritjen e numrit të grave dhe vajzave në postet e zgjedhura. Për të arritur standardet ndërkombëtare, Kodi Zgjedhor duhet të vendosë që numri i përgjithshëm i kandidatëve të caktuar nga partitë të ketë të paktën 30% gra dhe vajza, dhe që këto kandidate të mos vendosen në fund të listave partiake, por të vendosen në mënyrë të alternuar në të gjitha listat e zonës. Ligji parashikon ndëshkime për partitë politike që nuk i përmbahen zbatimit të kuotave. Kuotat do të zbatohen gjithashtu, edhe për organet që administrojnë zgjedhjet. Zgjidhja e problemit të votimit familjar është e një rëndësie parësore, gratë dhe vajzat duhet të shprehin mendimin e tyre nëpërmjet votës. Në bashkëpunim me qeverinë dhe deputetët e Kuvendit, UNIFEM-i ka përgatitur një grup rekomandimesh konkrete për t’u përfshirë në Kodin Zgjedhor, që tani po shqyrtohen nga deputetët.
Si i shihni ju gratë dhe vajzat si elektorat politik në Shqipëri?
Sipas UNIFEM-it, ndërsa është shumë e rëndësishme që të rritet numri i grave dhe vajzave kandidate në zgjedhje, është njësoj e rëndësishme që gratë dhe vajzat po shihen gjithmonë e më shumë si elektorat politik. UNIFEM-i do të mbështesë gratë dhe vajzat që ato të avokojnë së bashku, për çështje kyçe si përmirësimi i mundësive për punësim, shëndetësi dhe shërbime sociale, dhe për luftimin e dhunës kundër grave dhe vajzave. OJF-të e grave dhe gratë duhet t’i nxisin vazhdimisht partitë politike që ato t’i adresojnë nevojat e tyre të veçanta. Nëse kjo ndodh, atëherë me kalimin e viteve, gratë dhe vajzat do të shihen si elektorat politik, me një zë të fortë, të cilit partitë politike duhet t’i përgjigjen, dhe barazia do të mund të arrihet vetëm përmes këtij procesi.
Sa shpejt mendoni ju se do të jetë e mundur që Shqipëria të ketë një grua presidente ose kryeministre? Dhe çfarë kuptimi do të kishte kjo?
Në çdo kohë! Sinqerisht, ka shumë pak vende që shkëlqejnë kur vjen puna tek zgjedhja e grave në krye të shtetit dhe tani është vetëm një shtet që ka në Kuvend më shumë gra se burra (56% e Kuvendit të Ruandës). Është e rëndësishme që të vërehet se që të jesh një grua politikane nuk do të thotë se i mbron çështjet e grave më shumë se politikanët burra; dhe as nuk do të thotë se ajo është më e detyruar se kolegët e saj burra për të vepruar kështu. Duke zgjedhur gra në pozitat e larta është tejet e rëndësishme për të luftuar perceptimet e shoqërisë për rolet që luajnë gratë dhe vajzat. Nëse një vajzë shikon një Ministre, Kryetare Kuvendi, Kryetare Bashkie, apo edhe Kryetare Shteti, ajo do fillojë të kuptojë se këto nuk janë role ‘burrash’, por role që të gjithë qytetarët mund dhe duhet t’i ndërmarrin.
Meta: Rritja e përfaqësimit të grave, demagogji e partive të vjetra
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat e Lëvizjes së Gruas për Integrim në minibashkinë nr.4 në Tiranë. Në këtë takim kryetari i LSI-së Meta shoqërohej nga nënkryetarja Filloreta Kodra, anëtarja e kryesisë së LSI-së Adriana Civici si dhe sekretari i përgjithshëm i LSI-së për Tiranën Elez Gjoza. Duke folur për pjesëmarrjen sa më të madhe të grave në jetën politiko-sociale të vendit, Meta tha se ajo që kërkohet sot, është një përfaqësim real i gruas dhe jo një kalkulim numerik para zgjedhjeve. Në këtë kontekst Meta tha se, problemi i gruas nuk është vetëm rritja e numrave të përfaqësimit të saj në strukturat e ndryshme drejtuese, sepse sipas Metës kjo është një demagogji, që trumbetohet me të madhe nga partitë e vjetra. “Përfaqësimi i gruas në vendimmarrje nuk është vetëm problem i rritjes së kuotave të përfaqësimit të saj në politikë në shifrat 50 me 50, sikurse propagandohet me të madhe nga partitë e vjetra. Ky është një trukim që përdoret nga këto parti gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dhe përfaqësimi i tyre real në parlament mbetet vetëm një kalkulim numerik dhe jo një përfaqësim real i tyre në vendimmarrje”, u shpreh ai. Për kryetarin e LSI-së emancipimi i gruas nuk është vetëm angazhimi i tyre në politikë, sepse sikurse e tha vetë ai, nuk është vetëm politika që gratë të angazhohen, por janë një larmishmëri fushash të tjera, ku është edhe më imediate prezenca e gruas.