E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetet në burg miku i Kosta Trebickës

 

Trazhgim Sokolaj

Një person i privuar nga liria, për shkak të akuzave për veprime të turpshme me një vajzë 12-vjeçare në qytetin e Korçës, e ka mësuar në një mënyrë krejt të veçantë lajmin e hidhur për vdekjen e mikut të tij të gjuetisë, Kosta Trebicka. Burime zyrtare nga hetimi, thanë se me qëllim zbardhjen e rrethanave në të cilat vdiq biznesmeni, që denoncoi shitjen e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan, gjatë këtyre ditëve është marrë në pyetje edhe një person i burgosur tre muaj më parë. “Ky person është një nga dy miqtë e Kosta Trebickës në Korçë. Është marrë në pyetje sepse u konfirmua që në mënyrë të vazhdueshme ka dalë për gjueti me Kosta Trebickën dhe persona të tjerë”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, i arrestuari 35-vjeçar nga Korça është marrë në pyetje në qelitë e burgut, ku mbahet pas akuzave për abuzime dhe veprime të turpshme të kryera në dëm të një vajze 12 vjeçe, banuese në Korçë. “Gjatë marrjes së dëshmisë nga ky person, atij i është komunikuar se Kosta Trebicka është gjetur i vdekur në një rajon malor, ku kishte dalë për gjueti dhe më pas i janë kërkuar sqarime të hollësishme për mënyrën si ushtrohej ky sport”, thanë burimet zyrtare nga hetimi. Sipas tyre, i burgosuri ka pranuar se kishte njohje me biznesmenin Kosta Trebicka dhe se disa herë kishin dalë së bashku për gjueti në rrethinat e Korçës. Hetuesit janë interesuar më pas në detaje për mënyrën si ushtronte gjueti Kosta Trebicka. Nëse ai ka provuar ndonjëherë të gjuante duke qëndruar nga makina dhe duke lënë qenin e gjahut të ndjekë zogjtë e më pas të lajmërojë praninë e tyre. Kjo skenë dyshohet se ka ndodhur mesditën e 12 shtatorit 2008, kur gjeti vdekjen Kosta Trebicka. Për këtë shkak, miku i biznesmenit është pyetur në hollësi, ku ka sqaruar se shpeshherë, shqiptaro-amerikani 52-vjeçar qëndronte në makinën e tij, duke ecur ngadalë ndërsa qeni i gjahut ndiqte automjetin e Trebickës, duke ndjekur praninë e zogjve. Burimet zyrtare sqaruan se personi i burgosur është pyetur me qëllim krahasimin e veprimeve që kryenin personat gjatë gjuetisë dhe për të mësuar nëse ndonjëri prej tyre, mund të ketë shkaktuar ngjarjen që i mori jetën Kosta Trebickës. I burgosuri mësohet se deri në momentin e arrestimit nga policia e Korçës, kishte dalë disa herë për gjueti me Kosta Trebickën. Policia dhe Prokuroria e Korçës, kanë marrë në pyetje ndërkaq, edhe një mik tjetër të Kosta Trebickës, në Maliq. Ai ka pranuar se ishte takuar me biznesmenin më 11 shtator, një ditë para se dëshmitari i aferës së tregtisë së armëve të gjendej pa jetë në rrugën automobilistike të Lekasit. Ky dëshmitar është shprehur se e kishte takuar Kosta Trebickën dhe ai i kishte thënë se ishte nisur në drejtim të Leskovikut. Në fakt, atë natë më mbrëmje, biznesmeni ndryshoi destinacion dhe fjeti në një hotel në Voskopojë për të dalë të nesërmen, që në 05:00 të mëngjesit për gjueti në zonën e Lekasit.

Biznesmeni ndryshoi destinacionin se ndihej i kërcënuar pas dëshmive”

TIRANE – “Do të nisem për Korçë se duhet të shkoj në Leskovik për disa punë”. Këto kanë qenë fjalët që biznesmeni Kosta Trebicka, i ka thënë të shoqes pas mesditës së 11 shtatorit, kur është nisur nga Tirana për udhëtim me makinën e tij dhe pajisjet e gjuetisë. Një destinacion të tillë, pra Leskovikun, dëshmitari i dosjes “Gërdeci” ia kishte deklaruar edhe një miku të tij në Maliq, ku Trebicka kishte ndaluar pak kohë para se të drejtohej për në Voskopojë. Në këtë mënyrë, hetuesit kanë mësuar se biznesmeni i kishte thënë të shoqes dhe një miku se po shkonte në Leskovik, por në fakt ka ndryshuar destinacion rreth mbrëmjes, duke mbërritur në Voskopojë. Rreth orës 23:00 Kosta Trebicka është ngjitur në dhomën e tij nr.107 të hotelit, por më parë, ai nuk kishte harruar të lajmëronte të shoqen për ndryshimin e destinacionit. “Nuk shkova në Leskovik, jam në Voskopojë dhe nesër do të dal për gjah”, mësohet t’i ketë thënë në telefon bashkëshortes së tij Kosta Trebicka, rreth orës 21:30 të 11 shtatorit 2008, një ditë para se të gjendej i vdekur. Sipas hetimeve, ndryshimi i destinacionit është bërë nga Trebicka prej frikës, që ai ndjente pas denoncimeve publike që kishte bërë. Që nga koha kur denoncoi publikisht aferën e armëve pas tragjedisë së Gërdecit, mësohet se në mënyrë të vazhdueshme, për të qenë sadopak i sigurt, Kosta Trebicka deklaronte të tjera destinacione apo vendndodhje nga realet, në lëvizjet e tij. Të dhënat e sakta për vendndodhjen dhe udhëtimet e tij mësohet se, ai ua besonte në kohën e duhur vetëm njerëzve të tij të afërt.            t.s

“Qeni shkak i vdekjes së Trebickës”

Trazhgim Sokolaj

Në morinë e mistereve, por edhe të fakteve e mbi të gjitha ekspertizave shkencore, që rrethojnë vdekjen e Kosta Trebickës, ajo që ka ndodhur mesditën e 12 shtatorit 2008 në Lekas të Korçës, duket se ka filluar të ravijëzohet, edhe pse ende në mënyrë jo të qartë e përfundimtare.
 Rikthimi i ekspertit amerikan në Korçë dhe kryerja e verifikimeve të tjera plotësuese mbi makinën e biznesmenit të vdekur Kosta Trebicka dhe mbi skenën e ngjarjes, si dhe disa deklarime dëshmitarësh, krijojnë dyshimin e bazuar se qeni i gjahut mund të jetë shkaku për gjithçka që ka ndodhur. Zyrtarët e hetimit sqarojnë se ky është versioni më i besueshëm, por gjithsesi ende jo përfundimtar i hetimit. Megjithatë, ideja se gjatë lëvizjeve në zonën ku ndodhi ngjarja, qeni mund të ketë dalë para automjetit të biznesmenit Kosta Trebicka, shikohet si shkaku më i besueshëm për daljen e beftë të fuoristradës nga rruga. “Terreni ku makina ka dalë nga rruga në të majtë, është një dishezë. Dyshojmë se qeni i cili ka qenë jashtë makinës duke shoqëruar lëvizjen e mjetit që drejtohej nga Kosta Trebicka, pranë vendit ku u gjet kufoma e 52-vjeçarit, ka dalë para makinës. Në këto kushte, drejtuesi i mjetit mund të ketë devijuar drejtimin e lëvizjes në mënyrë të menjëhershme në një moment frike se mund të shtypte qenin e gjahut. Qeni ka qenë para makinës në një distancë të vogël dhe kishte dalë krejt nga rrezja e shikimit të Kosta Trebickës, i cili për shkak të pengesës që i krijonte lartësia e kroskotit të makinës, nuk ka qenë i qartë dhe mund të ketë devijuar drejtimin e makinës për të mos shtypur qenin”, sqaruan burimet zyrtare nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, ky është një version i mbështetur në parim dhe verbalisht edhe nga tre ekspertët që po hetojnë ngjarjen, përfshi këtu edhe specialistin amerikan.
Provat e ngjarjes
Rreth 18 ekspertiza lidhur me ngjarjen ku humbi jetën Kosta Trebicka tashmë kanë përfunduar, ndërsa pritet të mbarojë ekspertiza mbi makinën. Bazuar në ekspertizën e qenit të gjahut, i cili ka dalë pa asnjë dëmtim të brendshëm apo të jashtëm, hetuesit mendojnë se ai nuk ka qenë në makinë, në momentin kur fuoristrada e Kosta Trebickës doli nga rruga në të majtë dhe për shkak të terrenit të ngritur u rrotullua në të kundërt, duke bërë salton gjatë të cilës kufoma e 52-vjeçarit Trebicka doli nga kabina e bashkë me sendet personale ra në rrugë. Hetuesit e konsiderojnë ekspertizën e qenit, si një provë që mbështet versionin se kafsha mund të ketë ecur para makinës, fare pranë saj. Një tjetër provë për këtë “gabim njerëzor”, konsiderohen rezultatet e deritanishme të ekspertizës mbi makinën “Nissan Patrol” Kabriolet me targa TR 8843 J. Automjeti me 2500 kuaj fuqi rezultoi në gjendje të përsosur teknike pas verifikimeve të hollësishme të bëra nga dy ekspertët shqiptarë dhe autotekniku amerikan Kevin Teter i ardhur nga Virxhinia. Deri më tani ata përjashtojnë mundësinë, që gjendja teknike apo ndonjë defekt i makinës të kenë qenë shkak për atë që ka ndodhur. Një tjetër provë për versionin se qeni mund të ketë qenë shkak i aksidentit, sipas hetuesve, janë dëshmitë e disa personave, madje edhe gjahtarëve. Ata janë shprehur se shpeshherë gjahtarët ushtrojnë këtë sport nga makina duke mbajtur qenin në tokë. Makina vendoset në afolio dhe komandohet vetëm me frena me qëllim që drejtuesi i saj t’i ketë duart e lira për qitje me armë në ndonjë moment kur qeni zbulon praninë e thëllëzave.

Gjendja e makinës perfekte,shkak një “gabim njerëzor”
TIRANE – Grupi i dy ekspertëve shqiptarë dhe specialisti amerikan janë rikthyer përsëri dje në qytetin e Korçës. Ata kanë zhvilluar prova të tjera me makinën e Kosta Trebickës dhe më pas, kanë shqyrtuar fotografitë dhe filmimet e bëra në vendin e ngjarjes, në Lekas. Ekspertët kanë lexuar me vëmendje edhe raportin hetimor mbi vendin ku vdiq Kosta Trebicka, duke hartuar një skicë për gjurmët e lëvizjes së makinës, për pozicionin e kufomës dhe automjetit si dhe të sendeve personale, që mbante me vete biznesmeni shqiptaro-amerikan. Në mënyrë përfundimtare, ekspertët kanë përjashtuar mundësinë, që gjendja e automjetit të ketë qenë shkak për ngjarjen. Në këtë mënyrë, me metodën e përjashtimit, ata kanë hedhur idenë se mund të ketë qenë një gabim njerëzor në veprime të shpejta ai që ka nxjerrë makinën e Kosta Trebickës nga rruga, duke shkaktuar më pas ngjarjen që i mori jetën biznesmenit.     

Mbyllet faza e pyetjes së dëshmitarëve
Prokuroria e Korçës ka mbyllur tashmë fazën e pyetjes së dëshmitarëve, që mund të tregojnë rrethana në interes të hetimeve për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Më shumë se 22 persona janë marrë në pyetje në Korçë dhe në Tiranë pas zbulimit të kufomës së shqiptaro-amerikanit 52-vjeçar. Dëshmitarët ishin të afërm të tij, por edhe persona të rastësishëm në vendin e ngjarjes apo në zonat ku biznesmeni ka lëvizur gjatë itinerarit të tij të gjuetisë në Korçë. Hetuesit thanë se kanë marrë nga dëshmitarët të gjitha të dhënat e nevojshme që ata dinë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›