E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, pa flamur të bardhë!

Martin Leka 

Edhe pse janë mbledhur bashkë në një takim jo formal; edhe pse kanë dalë së bashku në një miting proteste kundër mënyrës së qeverisjes apo për sigurinë e qytetarëve; edhe pse ...tonet nuk kanë qenë kaq agresive sa disa ditë më parë, duket se është ende herët për paqe mes opozitës. Për naivët që u ngutën në konstatimin se fitorja e PS-së pa një opozitë të bashkuar apo më saktë, pa LSI-në e Ilir Metës është e sigurt, tashmë është e qartë se kjo nuk mund të ndodhë. Asnjë opinion i pabazë, asnjë formulë aritmetike apo asnjë skemë elektorale profesionistësh nuk mund të bindë për një fitore të vetme të PS-së.
Ndoshta këtë fakt duhet të kenë kuptuar në PS, kur kryetari i saj Rama ka shkruar një letër edhe kryetarit të LSI-së për një takim, i cili përveçse një takimi për një miting të përbashkët, duhet të ketë patur edhe efektin e një “testi” për marrëdhëniet e mëtejshme mes këtyre dy forcave politike.
Për fat të keq, tashmë kur takimi i “Sheraton”-it është lënë pas dhe po ashtu edhe mitingu i opozitës, duket se “flamuri i bardhë” mes PS e LSI jo vetëm nuk është ngritur, por ende nuk dihet nëse është “porositur” apo jo?!... Ndryshimet në qëndrime, të cilat janë bërë tashmë publike apo edhe kontradiktat lidhur me parullat e mitingut, nuk duket të jenë konvergjenca të rastësishme, por janë pjesë e thelbit të qëndrimeve të kundërta, të njohura tashmë mes dy partive kryesore të së majtës.
Përtej “komoditetit” politik që ndjejnë palët në këtë klimë marrëdhëniesh, ajo që duket se nuk perceptohet si duhet nga “lart” është baza, anëtarët e partisë, simpatizantët, votuesit. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a është baza në akordancë me qëndrimet e lidershipit dhe si mund të veprohet më tej? Edhe pse një përgjigje hipotetike, mendohet se ky lloj “konflikti” ekziston. Ka shumë arsye që të çojnë drejt këtij përfundimi, por ajo që është më kryesore është fakti se baza, pra anëtarët e partisë, simpatizantët e votuesit, në klimën që shprehet përmes lidershipit të tyre mbi pushtetin e Berishës dhe keqqeverisjen e tij, kanë vetëm një “uri”, rrëzimin e këtij pushteti, pa pyetur për mosmarrëveshjet mes “familjes” së majtë.
Në këto kushte, pra kur këtyre qytetarëve nuk u interesojnë konfliktet e lidershipeve përkatëse por vetëm marrja e pushtetit prej të majtëve, atëherë gjithë përgjegjësia e humbjes dhe shkaku shkon tek selia e partisë në Tiranë.
Edhe pse kemi hyrë në një vit elektoral, e majta ende nuk është vonë për të gjetur zgjidhje. Por zgjidhjet nuk mund të gjenden dhe mosmarrëveshjet nuk mund të sheshohen pa bërë një “retrospektivë” të marrëdhënieve të mëparshme të tyre. Gjithçka duhet bërë dhe duhet të ketë vlerën e një refleksioni realist, në mënyrë që marrëdhëniet e mëtejshme, gjithnjë në funksion të qëllimit të përbashkët, marrjes së pushtetit - të jenë të institucionalizuara, me rregulla dhe me platforma të qarta, pa lënë ekuivoke dhe bashkë me to, edhe përgjegjësitë reciproke jetime. Nëse do të veprohej si më parë, pra nëse do të lihen “gropa” pas, atëherë gjithçka nis e rinis nga pika zero e fillimit.
Për ta bërë sa më të qartë këtë shpjegim, duhet thënë se ende deri më sot, nga lidershipi i PS, p.sh., nuk është dhënë një përgjigje e qartë dhe sqaruese për popullin socialist apo edhe të tjerë se kush ishte shkaku i vërtetë i prishjes së të ashtuquajturit “koalicion i majtë”, liderët e të cilit i shihnim herëpashere në takime formale e informale të gjithë së bashku. Deklaratat “amorfe” të disa eksponentëve të selisë rozë, sipas të cilave “Meta kërkon kryeministrin”, nuk mund të bindin më askënd, madje as vetë socialistët.
Në këto kushte dhe në këtë gjendje ku ndodhet e majta, një gjë është e sigurt: në përpjekje dhe në ngutje për të patur sa më shumë pushtet nesër, duke humbur arsyen dhe logjikën elektorale, ka gjasa që ky pushtet të jetë asgjë më tepër se “një bast i humbur”…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›