Tiranë, kapet "tmerri" i vjedhjeve në autobusë
TIRANE- Prangoset vjedhësi i udhëtarëve në urbanët e kryeqytetit, sapo i kishte marrë në xhep një të moshuari pranë "Zogut të Zi" 10 mijë lekë të reja. E.L., 14 vjeç, banues në Tiranë, është ndaluar nga një punonjës i policisë së Komisariatit nr.4, që udhëtonte me një nga autobusët e linjës së unazës, nga "21 Dhjetori", në drejtim të Medresesë. Sipas burimeve të policisë, i moshuari udhëtonte në drejtim të banesës së tij, pranë restorant "Durrësi", kur ka vënë re se në xhepin e tij të xhaketës nuk e kishte kuletën. Menjëherë i moshuari ka dhënë alarmin dhe autobusi është ndaluar duke mbyllur dyert. Ndërkaq i mituri ka tentuar të largohet, kur ka kuptuar se mund të ndalej nga policia. Një punonjës policie që kishte qëndruar pranë tij, ka mbërthyer për krahu adoleshentin, duke i vënë menjëherë pranga. Më pas, aty ka mbërritur një autopatrullë e Komisariatit nr.4, që ka marrë të miturin dhe të moshuarin duke i dërguar në komisariat. Pas marrjes së deklarimeve të tyre, efektivët e policisë kanë kryer arrestimin në flagrancë të 14-vjeçarit E.L., me akuzën e vjedhjes. Ndërkaq i moshuari ka pohuar se kishte pasur afër këtë person kur kishte ndjerë dikë t'i fuste dorën në xhep. Ndërkaq, veç deklarimeve së të dëmtuarit, policia ka administruar si provë edhe sasinë prej 10 mijë lekësh që i janë gjetur të miturit, që sapo i kishte vjedhur. Javën e kaluar policia e Tiranës, shoqëroi në ambientet e saj më tepër se 20 persona të dyshuar si vjedhës "ambulantë" në mjetet e shërbimit publik në kryeqytet.