Alibeaj takim me delegacionin çek për reformën në drejtësi
Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj zhvilloi dje një takim me përfaqësues të delegacionit të parlamentit Çek, të kryesuar nga Marek Benda. Sipas Zyrës së Shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë, ministri Alibeaj deklaroi se kjo reformë, si një nga angazhimet më të mëdha të qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend i është përgjigjur integrimit të vendit në NATO. “Reforma në drejtësisë i ka kapërcyer dy problemet e saj themelore nevojën për reformim dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit duke përmbushur kështu kriteret bazë të integrimit të vendit në BE”, tha ministri Alibeaj. Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese të Parlamentit Çek, Marek Benda përgëzoi ministrin për hyrjen e Shqipërisë në NATO si një arritje e madhe, duke deklaruar se, reforma në gjyqësor duhet jo vetëm të ruajë pavarësinë e sistemit, por edhe të nxisë dhënien e vendimeve të shpjeta dhe te drejta.
Gjyqtarët në Kushtetuese për uljen e pagës
Tiranë - Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e kërkesës së dytë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Ata e cilësojnë si antikushtetuese atë pjesë së ligjit që cilëson mënyrën e pagesës së gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të renda, pasi sipas tyre cenohet parimi i pavarësisë ekonomike. Unioni kërkon që gjykata të “shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën të një pjese “të ligjit mbi Organizimin e pushtetit gjyqësor” për pagat e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Renda, sipas së cilës ajo është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe fjalëve “mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind”. Përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Sandër Simoni e Luan Hasneziri argumentuan para Gjykatës Kushtetuese se ligji “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, me dy fjalitë e sipërpërmendura cenon parimin e sigurisë ekonomike dhe nenin 138 te Kushtetues që sanksionon se “pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen”. Ata mbrojtën dhe statusin e veçantë që ligji iu njeh gjyqtarëve të gjykatës për krime të rënda.
8 Prill 2009