E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Remzi Hoxhës, shtohen dëshmitë në disfavor të ish-SHIK-asve



Laureta Rryçi

Tiranë - Katër dëshmi janë dëgjuar gjatë seancës së djeshme nga dëshmitarët e akuzës në Gjykatën e Krimeve të Rënda për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë. Para Gjykatës dëshmoi Basri Hyka, sekretar i përgjithshëm i një sindikate në Kosovë dhe një i njohur i Remzi Hoxhës. Dëshmitari shpjegoi një takim që, kishte pasur në Prishtinë në vitin 1997 me Avdyl Loshajn, i cili pretendohet se së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin janë rrëmbyer nga strukturat e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH). Sipas dëshmitarit ai kishte mësuar nga Loshaj për keqtrajtimin e Remzi Hoxhës në një godinë të SHIK-ut në Vajin të Lezhës.
Dhuna
Procesi gjyqësor vijoi më tej me dëshminë e Astrit Llanajt, ish- kryetar i Partisë Socialiste të Sarandës, i cili foli për një tjetër episod, këtë herë për një takim që kishte pasur me Ziso Kristopullin, kur ai, kishte dalë nga izolimi nga baza e SHIK-t në Vajin të Lezhës. Dëshmitari pohoi se kishte parë shenja dhune në trupin e Ziso Kristopullit. Më pas dëshmuan dy ish-punonjës të SHIK-ut, konkretisht Petraq Xhorxhi dhe Anesti Selimi, të cilët folën rreth largimit nga ish- dega e SHIK në Tiranë të Avdyl Loshajt, i cili ishte hedhur nga kati i dytë i godinës së saj. Dëshmitarët nuk dhanë shumë detaje për këtë episod pasi siç theksuan, nuk ishin dëshmitarë okularë. Këto dëshmi pasojnë ato të bëra seancat e mëparshme nga persona të tjerë, ndër të cilët edhe ish punonjës të strukturave të Rendit të asaj kohe.
Ngjarja
Për krimin e kryer gati 13 vjet më parë në bankën e të akuzuarve janë 3 ish SHIK-as, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e tre ish-SHIK-asve, Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng në tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon tre ish-punonjësit e SHIK-ut, se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›