E Diel, 1 Nëntor 2026

Madrid, arratiset Astrit Bushi, vrasësi i policit special



I kërkuar në Shqipëri për vrasjen e një polici dhe i arrestuar ne Spanje për rrëmbimin dhe plagosjen e një biznesmeni, Astrit Bushi i njohur dhe si kreu i një organizate kriminale ka ikur nga burgu, duke fituar lirinë si pasojë e një gabimi. Media spanjolle po i bën jehone të madhe largimit të shqiptarit Bushi, që prej saj është vlerësuar si kriminel shumë i rrezikshëm. Bushi quhet drejtuesi i një rrjeti kriminal, që akuzohet për disa grabitje dhe rrëmbime personash. Ai është liruar më 4 prill nga policia, për mungesë provash, lidhur me rrëmbimin e biznesmenit Hose Luis Moreno, në Madrid. Mediat thanë se Bushi nuk ishte mbajtur nen vëzhgim dhe ai është larguar në këmbë nga një zyre policie në Madrid. Astrit Bushi, kreu i bandës së shqiptarëve që sulmuan shtëpinë e Jose Luis Moreno në dhjetor të vitit 2007, duke e lënë atë të plagosur, u lirua prej një gabimi të enjten e kaluar. Policia tha se, ai është larguar në këmbë nga ambientet e paraburgimit dhe askush nuk është përpjekur për ta ndaluar. Sipas medias, ai është larguar nga gjykata e Alcobendas, ku kishte qenë i transferuar nga burgu dhe po qëndronte në paraburgim. Astrit Bushi nga Laçi, është dënuar nga Drejtësia shqiptare me 25 vjet burg për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Altin Balozi. Ngjarja e rendë ka ndodhur në mars të vitit 2003, e që nga ai moment ai kishte mundur të fshinte gjurmët e të largohej sa nga një shtet në tjetrin.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›