Shërbimi i Provës, si do të vëzhgohen të dënuarit
Tiranë - Shërbimi i Provës do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës e do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror tashmë janë përcaktuar dhe pas 15 ditësh pritet të nisë zbatimi i këtyre dënime. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Për sa i përket personelit të shërbimit të provës ai do të organizohet në rangun Drejtorisë së Përgjithshme ku parashikohen Drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonal, 24 specialistë në rang kombëtar, dhe 10 persona personel mbështetës. Sipas specialistëve mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir që nis me vendimin e gjykatës. Në ligj është përcaktuar që Gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet të dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditës nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit.
8 Prill 2009