E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 41- vjeçarit në Shkodër identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët



SHKODËR- Policia e qarkut të Shkodrës tha dje se ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët e vrasjes së ndodhur mbrëmë vonë në qendër të qytetit të Shkodrës. Në shënjestër të forcave blu të dyshuar si autorë të krimit janë vëllezërit Ilir dhe Basri Baba. Sipas të dhënave nga policia objektivi i vrasjes së dy vëllezërve nuk ka qenë 41 vjeçari Nadir Cuku, por një tjetër shtetas, të cilën policia e ka identifikuar me N. Harusha.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti ndërmjet shtetasve Ilir e Basri Baba me shtetasin N. Harusha. Gjatë acarimit të këtij konflikti, vëllezërit Baba, kanë qëlluar me armë zjarri brenda në lokal mbi N. Harushën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë Nadir Çuku. Vrasja ndodhi dy ditë më parë në afërsi të kompleksit të lokaleve që ndodhen në anë të rrugës “Kol Idromeno”. Viktima Nadir Cuku ndërroi jetë në spital. Materialet në ngarkim të dy shtetasve Ilir Baba, vjeç 38 dhe Basri Baba, vjeç 30, të dy të lindur e banues në fshatin Mjedë do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit për veprat penale të “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Aksidenti, vdes 12 vjeçari, arrestohet drejtuesja pa patentë e mjetit

DURRËS - Një fëmijë 12 vjeç ka mbetur i vdekur në një aksident automobilistik në plazhin e Durrësit. 12 vjeçari ka qenë duke luajtur i shpenguar me shokët në rërën e plazhit në momentin kur ka përfunduar nën rrotat e një makine që po vinte drejt tij. Edhe pse fëmija është dërguar urgjent në spitalin e Durrësit ndërhyrja e mjekëve nuk e ka mbajtur dot në jetë. Ngjarja ndodhi dje pasdite rreth orës 17 e 30 në sektorin”Hekurudha”të plazhit të Durrësit, në pjesën e rërës. Fëmija Xh. R, 12 vjeç banor në plazh po luante me shokët në breg të detit dhe pa pritur është aksidentuar nga autovetura me targë DR 8161 E e cila drejtohej nga një 18 vjeçare me iniciale Xh. R nga Fieri banuese në Durrës. Burime nga policia bënë me dije se vajza po ushtrohej për të mësuar drejtimin e mjetit madje nuk dispononte patentë. Mësohet gjithashtu se mjeti me të cilin u krye aksidenti ishte në pronësi të një mikut të saj. Vajza 18 vjeçare është arrestuar dje nga policia me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor si dhe të drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie.

Ishte dënuar me 13 vjet heqje lirie për mashtrim, ekstradohet nga Italia

Tiranë - Interpol Tirana bëri të ditur se dje rreth orës 11:30, ka kryer ekstradimin nga Milano e Italisë drejt Shqipërisë të 46- vjetarit Ahmet (Amedeo) Baçit lindur në Shkodër. Sipas informacioneve të dhëna, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr. 122, datë 15.02.2001, e ka dënuar shtetasin Ahmet (Amedeo) Baçi, me 13 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me anë të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në muajin mars 1994, Ahmet Baçi, duke qenë ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “UNIVERS”, me seli në Vorë dhe Tiranë, ka filluar aktivitetin kriminal të mashtrimit në formën e huamarrjes duke vjedhur me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit pasurinë e qytetarëve të ndryshëm, duke i premtuar se paratë do t`i investonte në aktivitete fitimprurëse. Ky aktivitet kriminal është kryer për një periudhë kohore prej vitit 1994-1997 dhe ka rezultuar se është vjedhur pasuria e 160 personave, e cila është vlerësuar në një shumë totale prej 2.436.361 USD.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›