E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, burgjet rrisin numrin e takimeve dhe telefonatave për të dënuarit

Rastet kur të dënuarit mund të aplikojnë për ulje dënimi dhe lirim me kusht. Përcaktohen kritere të reja për të përfituar leje shpërblyese ose të veçanta

Laureta Rryçi

Tiranë - Të dënuarit në të gjitha burgjet e vendit pas pak ditësh do t’i nënshtrohen një rregulloreje të re. Kjo për ta do të thotë se janë përcaktuar rregulla të reja jo vetëm për përgjegjësitë që kanë në institucionet e riedukimit por edhe të drejtat që u janë shtuar. Kështu Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcaktuar rregulla të reja për sa i përket, orëve të ajrimit, telefonatave dhe vizitave me familjarët që duhet të bëhen brenda një muaji. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë rregulloren e plotë dhe sjellë në numrin e sotëm disa nga këto rregulla të reja.
Të drejtat
Sipas rregullores të dënuarit do të dalin në ajrim çdo ditë të javës, përfshirë të shtunën dhe të dielën si dhe ditët kur janë festat zyrtare. Ajrimi nuk do të zgjasë më pak se dy orë. Më shumë orë në ajrim do të dalin vetëm ata të dënuar që kanë rekomandim nga mjekët e burgut. Po kështu më rregullore është përcaktuar qartë se të dënuarit duhet të kenë kohën e mjaftueshme për të realizuar takimet me avokatët e tyre. Të afërmit kanë të drejtë t’i takojnë katër herë në muaj si dhe mund të marrin ushqimet që u kanë sjellë ata. Një nga takimet mund të zgjasë pesë orë për të gjithë të dënuarit që janë të martuar dhe duan të takohen me bashkëshorten dhe fëmijët. Në një takim lejohen fëmijët e mitur dhe tre persona madhorë. Të dënuarve do u lejohen tani tetë telefonata në muaj për të biseduar me të afërmit e tyre. Për të realizuar këto telefonata, i dënuari duhet te deklarojë numrin dhe nuk mund të flasë më shumë se 10 minuta. Në rastet kur i dënuari nuk ka mundësi financiare të flasë në telefon, burgu duhet t’i krijojë mundësinë e një telefonate që nuk duhet të zgjasë më shumë se 5 minuta. Një herë në gjashtë muaj kanë të drejtën të aplikojnë në gjykatë për ulje dënimi, ndërsa për rastet kur kërkohet lirim me kusht, atëherë duhet formular një raport për sjelljen e tyre në tri vitet e fundit.
Lejet
Rregullorja e re e burgjeve u ka dhënë drejtorëve të burgut kompetencën për shqyrtuar kërkesat e të dënuarve për leje shpërblyese. Sipas rregullave të reja lejet shpërblyese nuk mund të jepen më shumë se 10 ditë njëherësh dhe se 20 ditë në vit.
Ndërsa për të miturit nuk mund të jepen më shumë se 20 ditë leje njëherësh dhe se 45 ditë në vit. Lejet në burgje të sigurisë së lartë jepen vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Ministri i Drejtësisë. Janë parashikuar edhe leje të veçanta që jepen nga drejtorët e burgjeve. Në këtë rast i dënuari shoqërohet nga një gardian burgu aq ditë sa i kanë dhënë lejë për të qëndruar jashtë qelisë.

Shërbimi i Provës, si do të vëzhgohen të dënuarit

Tiranë - Shërbimi i Provës do të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës e do të organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme do të jetë në ministri dhe do të përbëjë nivelin qendror, ndërsa zyrat vendore do të veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Rregullat e hollësishme që do të vënë në lëvizje këtë organ shtetëror tashmë janë përcaktuar dhe pas 15 ditësh pritet të nisë zbatimi i këtyre dënime. Në praktikën e vendeve të tjera, zbatimi i dënimeve alternative ka ndikuar në uljen e fenomenit të mbipopullimit nëpër burgje. Për sa i përket personelit të shërbimit të provës ai do të organizohet në rangun Drejtorisë së Përgjithshme ku parashikohen Drejtori i Përgjithshëm, 15 drejtorë rajonal, 24 specialistë në rang kombëtar, dhe 10 persona personel mbështetës. Sipas specialistëve mekanizmi mbi ekzekutimin e dënimeve alternative do të kalojë në një proces zinxhir që nis me vendimin e gjykatës. Në ligj është përcaktuar që Gjykata, para dhënies së një dënimi alternativ, duhet të kërkojë një raport paraprak nga shërbimi i provës. Ky raport duhet të identifikojë dënimin e duhur alternativ për personin, për riintegrim në shoqëri dhe parandalimin e kryerjes së veprave të tjera penale. Gjykata kur të vendosë pezullimin e vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me një dënim alternativ, duhet të dërgojë menjëherë prokurorit vendimin për ekzekutimin e këtij dënimi alternativ. Në qoftë se personi i dënuar është i burgosur, gjykata dërgon një kopje të vendimit në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale, ku mbahet i dënuari për lirimin e tij. Kur gjykata vendos revokimin e dënimit alternativ, personi i dënuar dërgohet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Gjykata merr vendim brenda shtatë ditës nga data e marrjes së kërkesës së prokurorit dhe vendimi i njoftohet personit të dënuar, mbrojtësit të tij, shërbimit të provës dhe prokurorit.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›