E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj takon Lohan: Nuk do i ndryshojmë pr.ligjet

Tiranë- Megjithë kontestimet e shumta nga aktorët kryesorë dhe opozita, qeveria duket e palëkundur nga ideja e saj për t’i qëndruar deri në fund projektligjeve për reformën në drejtësi.

Deklaratën e ka bërë sot ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë një takimi për fillimin e një projekti binjakëzimi për proceset gjyqësore për çështjet tregtare, aktivitet ku mori pjesë edhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan“Projektligjet e hartuara për reformën në drejtësi do të mbeten pa ndryshime, pasi për to ka pasur konsultim të gjerë”- ka thënë Alibeaj, duke përmendur për këtë edhe kohën që është nevojitur deri në mbërritjen e drafteve konkrete.

Sipas tij, një reformë e suksesshme, si ajo që po ndërmerret në sistemin tonë të drejtësisë ka kosto dhe sakrifia, që duhet të mbahen nga institucione të ndryshme.

Pyetur për kontestimet e shumta, që kanë shoqëruar projektligjet, deri në ‘kërcënime’ me bojkot të avokatëve në punën e tyre, Alibeaj ka sqaruar se pavarësisht kësaj, nuk ka marrë propozime konkrete.  

Vetëm pak ditë më parë shoqata e prokurorëve, avokatët, dhe noterët në një rezolutë të përbashkët i bënë apel qeverisë të tërheqë 7 pr.ligjet, të cilat sipas tyre cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Pas interesimit të medias, Lohan ka theksuar prerë se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavaruara dhe jashtë ndikimeve nga politika, por nuk është shprehur për përplasjen e fundit mes qeverisë dhe Prokurorisë. “Sistemi i drejtësisë funksion mbi bazën e dy parimeve kryesore; përgjegjshmëri para ligjit dhe pavarësinë e insitucioneve ndaj ndikimeve politike. Ne shqetësoheni nëse ky ekuilibër do të prishet”- ka thënë Lohan, pas interesimit të gazetarëve të pranishëm. Ai ka këshilluar gazetarët të jenë të duruar e te presin raportin për Shqipërinë që del në 5 nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›