Shkodër, pritet kompensimi i ish-pronarëve
SHKODËR - Pas 3 vitesh, qyteti i Shkodrës do të përfitojë nga fondi prej 5 milionë dollarësh i akorduar nga qeveria shqiptare për kompensimin e ish-pronarëve. Kjo u pohua nga kreu i Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave Shkodër, Besnik Kastrati. Gjatë këtyre tre viteve asnjë nga ish-pronarët shkodranë nuk kishte përfituar kompensim për shkak të mungesës së hartës përfundimtare të vlerës së tokës për qarkun e Shkodrës. Sipas Kastratit, Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka arritur të mbledhë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hartën e vlerës së tokës në këtë qark dhe ajo është dorëzuar brenda afatit përfundimar 15 tetorit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga informacionet e marra pranë AKKP-së Shkodër, mësohet se çmimet për kompensimin e pronarëve kanë pësuar rritje për qytetin. Çmimi i kompensimit për metër katror toke në qendër të qytetit të Shkodrës është 5 mijë lekë të reja. Ndërkohë që një tjetër ndryshim është përcaktuar dhe në zonat e tjera ku, pas rishikimit të dokumentacionit, ky qytet është ndarë në 5 zona, çmimet e të cilave për kompensimin e ish-pronarëve variojnë. Sipas ish-pronarëve shkodranë e trashëgimtarëve të tyre, që prej vitesh presin të marrin nga shteti kompensim për pronën, çmimet e caktuara janë tepër të ulëta në krahasim me çmimin real të tregut të tokës truall.
------------------------------------------------------------------Shkodër, banorët protestojnë për rrugën e prishur
SHKODËR - Banorë të lagjes “Guerile” në rrugën “Reshit Rusi”, pjesa që lidh ish-poçerinë me ish-ndërrmarrjen e zooteknikës deklaruan se do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme në rast se nuk do të merren masa për rehabilitimin e rrugës së tyre. Ky segment rreth 1 km është tepër i dëmtuar, ndërsa në dy anët e tij janë me dhjetëra shtëpi me banorë autoktonë. Indiferentizmi i shtetit ka bërë që rruga të jetë thuajse e pakalueshme, pasi gropat e mëdha e të shumta qëndrojnë të mbushura me ujë edhe kur nuk bie shi. Përveç kësaj, në fillim të saj, në drejtimin të ish-poçerisë, mungojnë kazanët për hedhjen e mbeturinave dhe grumbujt e plehrave kanë bllokuar kalimin, pasi askush nuk vjen t’i tërheqë. Banorët shprehen të pakënaqur nga kjo situate, e cila nuk ka ende zgjidhje, ndërsa, sipas tyre, në bashki u kanë thënë se kjo rrugë nuk është e përfshirë në projektet e saj. Fadil Shtalbi, banor i vjetër në këtë rrugë, thotë se është e pamundur të kalohet, ndërsa shton se banorët ndihen të zhgënjyer nga deputeti dhe nga drejtuesit vendorë që kanë premtuar, por nuk kanë bërë asgjë, ndaj sipas tij janë të vendosur për të bojkotuar zgjedhjet e ardhshme. Një tjetër banor, Skënder Plava, shprehet se nëpër këtë rrugë kalojnë çdo ditë fëmijët për në shkollë dhe është e pafalshme që ajo të jetë në një gjendje të tillë. Për banorin Besnik Zagani, gjendja e kësaj rruge është përkeqësuar nga bllokimi i tubacioneve në anën tjetër të saj, pas banesave , ndërsa shton se është turp që pushtetarët vendorë rrugët pranë banesave të tyre i kanë rikonstruktuar me kohë, ndërsa nuk marrin masa për këto lloj rrugësh, që as rrugë nuk mund të quhen.Të zhgënjyer nga premtimet dhe pa shpresë se rruga do të rregullohet, ata mendojnë se bojkotimi i zgjedhjeve të ardhshme është një përgjigje për indiferentizmin e treguar deri tani. Ky segment ësht rikonstruktuar herën e fundit në vitin 1996, para fushatës elektorale të majit, por cilësia e asfaltit të hedhur ishte e dobët, dhe nuk u bënë kanalizime e punime nëntokësore dhe as shtrim rrjeti telefonik e elektrik.