LSI humb kreun e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, drejton e djathta
VOTIMI/ Kllogjeri u shkarkua pas akuzave se nuk kishte zbatuar vendimet e Këshillit Bashkiak të qytetit për bulevardin
ELBASAN- Në një mbledhje maratonë që zgjati 5 orë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ndërroi kryetarin, i cili në një proces votëbesimi nga e djathta u shkarkua për t’u zëvendësuar nga një përfaqësues i mazhorancës në këtë këshill. Bujar Kllogjeri, si përfaqësues i LSI-së, u shkarkua me 24 vota pro dhe 18 kundër. Propozimi për votëbesimin e tij u bë nga grupi i këshilltarëve të djathtë me motivin e “moszbatimit të vendimeve të Këshillit Bashkiak për shkak të paaftësisë së tij”. Konflikti mes të djathtëve dhe kreut të këshillit lindi me moszbatimin e vendimit për hapjen e bulevardit kryesor për makinat. Futja në rendin e ditës të kërkesës për votëbesim zgjati rreth 2 orë. Diskutimet dhe debatet qenë të dyanshme. Të djathtët tentuan të mbrojnë arsyen për shkarkimin e Kllogjerit, ndërsa të majtët replikuan duke i cilësuar motivimet të pabazuara dhe tendencioze. Nisur nga ky debat, deputeti i PD-së, Aurel Bylykbashi, i pranishëm në mbledhje, deklaroi se “tejzgjatja e këtyre diskutimeve është e pavlerë, pasi tashmë e djathta ka mazhorancën e Këshillit Bashkiak dhe duhet ta drejtojë këtë institucion”. Pasi u fut në rendin e ditës, çështja e votëbesimit kaloi për votim të fshehtë. Nga votimi u vendos që me 24 vota të kalojë shkarkimi i Kllogjerit. Pas përfundimit të votimit, Kllogjeri e cilësoi vendimin si politik dhe u bëri thirrje të djathtëve që zgjedhjet e tjera të jenë më burrërore, dhe jo një puç i tillë pa asnjë justifikim. Gjithashtu ai iu bërithirrje partive politike të tregojnë se Elbasani është një vend i kulturuar dhe di të bëjë zgjedhje të ndershme. Pas kësaj deklarate, nisi procesi për votimin e kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak. E djathta propozoi kreun e grupit të këshilltarëve të djathtë, Blendi Himçi. Himçi njihet edhe si një ndër zërat kritikues të Bashkisë së Elbasanit. Duke qenë se e djathta disponon shumicën e këshillit, e majta preferoi të mos propozojë asnjë emër, ndërsa partitë e vogla të djathta propozuan Luan Kasën si kandidat për këtë post. Nga votimi rezultoi fitues Blendi Himçi me 24 vota.