Maskat grabisin një pikë kumari, tre të plagosur
Korçë- Maskat trondisin Korçën, ndërsa lënë pas tre lojtarë bixhozi me plagë në trup. Duke gdhirë dita e hënë, një grup prej tre personash hyri në një pikë ku luhej kumar i paligjshëm dhe grabitën një sasi të konsiderueshme parash, ndërsa pas rezistencës së të pranishmëve, plagosën tre prej tyre, njëri në gjendje më të rëndë. Menjëherë pas ngjarjes u vunë në lëvizje uniformat blu që mbrëmjen e kaluar arritën të vinin në pranga dy prej grabitësve, ndërsa vazhdonin të ndiqnin lëvizjen e personit të tretë, dhe më të riut, duke pritur nga çasti në çast edhe arrestimin e tij.
Ngjarja
Ishte ora rreth 03:30 e mëngjesit të së hënës, kur tre persona të armatosur dhe me maska në kokë hynë në një pikë kumari të paligjshëm në segmentin nacional, Korçë-Dishnicë, rreth tre kilometra nga qyteti i Korçës. Tre shtetasit u morën një shumë prej rreth 8 milionë lekësh personave që po luanin. Megjithatë, marrja e parave nuk ishte përmes bindjes, pasi të pranishmit kundërshtuan, fakt që çoi në plagosjen e Adrian Penos, 42 vjeç, si dhe në lëndimin e dy personave të tjerë. Më pas të maskuarit u larguan, ndërsa tre personat që morën plagë u dërguan për në spitalin e Korçës.
Hetimi
Pas mbërritjes së të plagosurve me armë zjarri në spital, bluzat e bardha bënë lajmërimin e menjëhershëm të uniformave blu. Dëshmia e personave ndihmoi në identifikimin e personave, ndërsa shpejt u arritën të viheshin në pranga dy prej tyre, në një kohë që një 18-vjeçar është shpallur në kërkim. Sipas burimeve të policisë, arrestimi i Gentian Kostës, 32 vjeç, dhe Markel Bushos, 25 vjeç, u bë mbrëmjen e kaluar rreth orës 20:00.Kosta mësohet të ishte i njohur prej unifomrave blu për faktin se ka qenë i dënuar në shtetin fqinj për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, në kërkim është Mateo Aliko. Blutë bëjnë të ditur se tre shtetasit do të akuzohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes me armë”, si dhe për “armëmbajtje pa leje”.
Autorët e grabitjes
Gentian Kosta, 32 vjeç
Markel Busho, 25 vjeç
Mateo Aliko, 18 vjeç, në kërkim