E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Balla: Berisha gënjen për liberalizimin e vizave

Tiranë- “Shqiptarët po vazhdojnë të vuajnë murin e vizave, sepse kjo qeveri nuk ka as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm”. Kështu është shprehur sot gjatë një konference për shtyp, deputeti socialist Taulant Balla. Duke kujtuar tragjedinë e dhimbshme të para pak ditëve në liqenin e Butrintit, ai ka theksuar se kjo ngjarje, ishte shprehja më e qartë e dështimit të politikës dritë-shkurtër të kësaj qeverie.

Sipas tij, Sali Berisha u mundua dje të gënjente shqiptarët, por edhe Ministrin e Jashtëm Italian, me një model (sample) të pasaportës së re biometrike.

“Duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, Berisha gënjeu duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati, dy elementë shumë të rëndësishëm qoftë për liberalzimin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri. Deri sot asnjë shqiptar nuk ka marrë në dorë pashaportën e re dhe kartën e identitetit”- tha ai.

Shqiptarët në radhë të parë, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian, sipas Ballës, nuk kanë më nevojë të shohin projektet, por rezultatet konkrete, pas shumë vitesh zhgënjimi, pritjesh dhe deklaratash boshe, plot mashtrime.

Ai ka kujtuar deklaratën e zëvendës Presidentit të Komisionit Europian European, Jacques Barrot, i cili u shpreh se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberlizimin nuk do të merret as në vitin 2009.

Sipas Ballës, ajo deklaratë nuk ishte e rastësishme, sepse për detyrat dhe elementët bazë që monitorohen nëpërmjet udhërrëfyesit për liberalizimin e regjimit të vizave me BE-në: siguria e dokumentave, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave, nuk kanë ende rezultate të dukshme.

“Liberalizimi i plotë i vizave është një detyrim madhor që ne kemi ndaj shqiptarëve, por kjo nuk duhet të mbetet më thjesht dhe vetëm një premtim elektoral”-tha ai, duke shtuar se shqiptarët e dinë tashmë se heqja e vizave varet plotësisht nga cilësia dhe shpejtësia e përmbushjes së kushteve që na ka vendosur Bashkimi Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›