Alibeaj takon kryetarin e Kushtetueses së Malit të Zi
Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, priti dje në një takim të veçantë delegacionin e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, të kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, Milan Markoviç. Takimi u përqendrua në nevojën për shkëmbime përvojash dhe njohje të çështjeve të ndryshme në interes të përbashkët për të dy vendet. Ministri u shpreh se takime të tilla apolitike janë të domosdoshme jo vetëm për praktikën, por edhe për një element publik. Jemi vende të një rajoni që aspirojmë të shkojmë drejt Europës, ku kërkohet ndër të tjera edhe arritja e standardeve të së drejtës, standarde objektive dhe vlera objektive. Shkëmbime të përvojave të tilla janë të dobishme edhe për politikën, sepse koncepti apolitik i gjykatave është edhe vlerësimi politik se sa vendet tona u përshtaten zhvillimeve euroatlantike. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Milan Markoviç, pasi falënderoi ministrin për pritjen, theksoi: “Ne dëshirojmë një bashkëpunim të mëtejshëm, lidhje profesionale dhe institucionale midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Puna e pavarur e Gjykatës Kushtetuese është kushti kryesor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe institucionet euroatlantike.”
Nishani në Kosovë për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar
Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme atje, z. Zenun Pajaziti. Në takimin mes tyre ministrat Nishani e Pajaziti vlerësuan se bashkëpunimi në luftën kundër krimit ndërkufitar ka pasur rezultate konkrete. Për këtë të dy ministrat iu referuan rastit të fundit të goditjes së një grupi të trafikut të armëve që vepronte në Shqipëri dhe Kosovë. “Agjencitë e zbatimit të ligjit në të dyja vendet, të cilat jo vetëm kryen një goditje të rëndësishme, por ndërprenë rrjedhën e mëtejshme të këtij trafiku”, - thanë ministrat për mediat. Sipas zyrës për shtyp të Ministrisë së Brendshme shqiptare, z. Nishani shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për realizimin e përvojave të ngjashme me vendet e tjera fqinje edhe me Kosovën për operacione të përbashkëta kundër kriminalitetit ndërkufitar. Ministri Nishani theksoi në konferencën për shtyp se te Kosova dhe institucionet e saj, vendet e rajonit gjejnë një partner serioz e të sigurt, pasi ka një vullnet të qartë politik për të luftuar me tolerancë zero ndaj kriminalitetit. Takimi u përmbyll me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z. Bujar Nishani dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Zenun Pajaziti. Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, u prit në takime të veçanta nga kryeministri, z. Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi.
29 Shtator 2008