Gjykata: Burg për dy vëllezërit që u kapën me flori
Tiranë - Gjykata e Shkallës së Parë Tiranës vendosi dje të lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve dy vëllezërit e arrestuar para tri ditësh me një sasi prej 109 kilogramësh flori, e cila dyshohet se është kontrabandë. Gjykata, me kërkesë të prokurorisë, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për shtetasit Astrit Lamçe, 45 vjeç, dhe Genci Lamçe, 38 vjeç, në akuzën e “shmangies së detyrimeve doganore”. Dy vëllezërit Lamçe u arrestuan të mërkurën me afro 109 kilogramë flori, me vlerën e 1 milion eurove, në banesën e tyre në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë. Pjesë e metalit të shtrenjtë të bllokuar ishin edhe dy shufra floriri, me peshë 1 kg secila, të cilat mendohet se janë grabitur nga thesari i shtetit në vitin 1997. Gjatë operacionit policor atyre iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale një shumë prej 210 mijë euro, 1 milion e 50 mijë lekë, 500 dollarë.
Hetimet për këtë çështje mësohet se kanë nisur tre muaj më parë nga organet e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
29 Shtator 2008