E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: “Qeveria ka një program për strehimin e romëve”



Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka reaguar dje ndaj akuzave të hedhura nga kryetari i Lëvizjes “G99”, Erion Veliaj, për mungesën e vëmendjes së qeverisë ndaj komunitetit rom. Vetëm dy ditë më parë, Veliaj, ndërsa vizitoi një lagje që banohet nga komuniteti rom në kryeqytet, hodhi akuza kundrejt qeverisë për kushtet e mjerueshme në të cilat jeton ky komunitet. Ndërsa dje zëdhënësi i selisë “blu” akuzoi kryetarin Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për shpërdorim të fondeve të vëna në dispozicion nga qeveria për komunitetin rom. “Nën kryetari de fakto i PS-së, Erioni që ndërtoi vilën me paratë e “Mjaft”-it dhe mori me vete kompjuterin që mbante financat, shkoi tek romët, të cilët kryetari i tij i kishte cilësuar jo shumë kohë më parë, si njerëz vetëm të ahengut. Nënkryetari i Ramës sulmoi qeverinë se nuk paska ndërtuar shkolla për romët. Ndërkohë që qeveria i ka dhënë kryetarit me korrespondencë të Bashkisë, 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e shtatë shkollave dhe rikonstruksionin e 12 të tjerave. Me këto para kryetari me Erionin mund të ndërtonin jo një, por disa shkolla për romët e Tiranës. Mirëpo këtë ai s’mund ta bëjë, sepse trojet i ruan për pallatet që ndërton me Gonxhet e tij. Partia Demokratike dhe kjo qeveri janë të vetmet që kanë vendosur një program për strehimin, shkollimin dhe punësimin e romëve, por fatkeqësisht fondet e dedikuara atyre, Bashkia e Tiranës i përdor për të vaditur gonxhet në lulishtet e firuara të kryeqytetit”,- është shprehur Bogdani.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›