E Diel, 1 Nëntor 2026

KE-ja miraton fondin prej 245.1 milionë eurosh për Shqipërinë



Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht dhe ministria e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri të ditur dje gjatë një deklarate për shtyp se Komisioni Europian ka miratuar një fond prej 245.1 milionë eurosh për Shqipërinë. Sipas Bregut, ky fond do të jepet në formën e granteve përgjatë viteve 2008-2010. “Miratimi nga Komisioni Europian i dokumentit strategjik të asistencës së BE-së për Shqipërinë për vitet 2008-2010 në formën e granteve, në vlerën 245.1 milionë euro, konsiderohet nga qeveria shqiptare jo vetëm një ndihmë e vyer financiare, por edhe tregues i mbështetjes europiane në rrugën e vendit tonë drejt BE-së, në përmirësimin e reformave politike, ekonomike si dhe përafrimit me standardet europiane”, - është shprehur Bregu. Ajo bëri të ditur se mbështetja financiare e BE-së vjen për shkak të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. “Mbështetja financiare gjithnjë në rritje dhënë Shqipërisë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para Aderimit është një vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria, një tregues për suksesin e ecurisë së tyre, një ndihmë që synon të na mbështesë në procesin e Stabilizim-Asociimit dhe ta përgatisë vendin për hyrjen e ardhshme në Bashkimin Europian”, - është shprehur Bregu. Sipas saj, ky fond do të përdoret për zhvillimin rural të infrastrukturës rrugore, ujit të pijshëm, transportit, realizimin e regjistrit civil, do mbështesë dhe projekte që synojnë forcimin e kapaciteteve të administratës publike, siç janë projektet për forcimin e kontrollit financiar, antikorrupsionin si dhe mbështetje për strukturat e integrimit europian. Mbështetja, sipas Bregut, do të vijojë edhe për sektorin e Drejtësisë dhe reformën në Polici.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›