Edhe polic, edhe roje privat!
Ngjarja e rëndë, që ndodhi dy ditë më parë, kur një efektiv i forcave speciale vrau një shtetas me armën e shërbimit jo për arsye shërbimi, ka nxjerrë në pah një problem jo të vogël për drejtuesit e Policisë së Shtetit. Deri diku ngjarja mund të trajtohet si një vepër “e zakonshme” kriminale, apo thuhet se gjithçka ka ndodhur aq shpejt sa mendohet se zbrazja e armës mund të jetë kryer në kushtet e vetëmbrojtjes apo dhe të depresionit, që është i dukshëm në sërën tonë, por në rastin konkret ka një problem i cili nuk mund të kalohet kaq lehtë. Jo në pak raste rojet e sigurisë në ambientet e brendshme të bareve, restoranteve, lojërave të fatit e kazinove, pubeve, madje deri te ruajtja e afërt e biznesmenëve bëhet nga efektiva të Policisë. Ka pasur raste kur pjesëmarrës në debate, që më pas kanë gjeneruar edhe ngjarje ndonjëherë me pasoja të rënda, kanë qenë efektiva të Policisë. Fakti që këta persona janë të dypunësuar është shkelje e ligjit dhe ata duhet të vendosnin midis punës në Polici dhe asaj private. Nuk mund të justifikohet shkelja e ligjit me justifikimin se të ardhurat nga puna në Polici janë të pakta dhe të jemi të sinqertë, kjo ka një bazë reale, por zbehet pretendimi kur realisht në këtë profesion mund të rekrutohen persona që pranojnë kushtet e trajtimit ekonomik ashtu siç është. Po ashtu nuk jemi kundër rishikimit nga qeveritë të shpërblimit për uniformat blu, pasi edhe profesioni i tyre e meriton këtë, por gjithsesi, brenda kushteve në të cilat ndodhemi, na mbetet të gjykojmë mbi pranimin në këto forca të atyre që e duan më shumë profesionin sesa benificet financiare që ai ofron. Një tjetër fakt mjaft i rëndësishëm i ngjarjes që kishte për protagonist efektivin e specialëve është edhe diskutimi mbi përgjegjësinë që kanë efektivat policorë në përdorimin e armëve të shërbimit në punët suplementare, apo të dyta, siç jemi mësuar të themi. Duke lënë mënjanë dypunësimin, nuk është bërë asnjëherë objekt diskutimi kur nuk ka ndodhur ndonjë ngjarje si kjo e dy ditëve më parë apo dhe më “soft”, nisin analizat për të parë se cila ishte arma e krimit. E kësaj radhe ajo është arma e shërbimit të specialit, le të përdorim logjikën e ftohtë dhe të pyesim se a mund të kishte ndodhur kjo ngjarje nëse speciali nuk do ta mbante me vete armën e shërbimit? Mendimi im personal është se ajo nuk mund të kishte ndodhur, pasi dy personat e përfshirë në debat e më pas në sherrin pa zgjidhje paqësore mund të kishin përdorur vetëm forcën fizike e për pasojë mund të përfundonte më i dobëti në spital, maksimumi me fraktura, por do të rehabilitohej shpejt. Në rastin e vrasjes së 45- vjeçarit Lita ishte arma ajo që vendosi që në çastin final këtë të fundit ta përcjellim përgjithmonë. A ka një zgjidhje për këtë që nesër të mos shkruajmë nekrologji kur dikush guxon të mbërthehet qoftë dhe me fjalë apo grushte me njerëz me uniformë?!
29 Shtator 2008