Alibitë e radhës të Edvinit, të pafuqishme, për të cenuar standardet e zgjedhjeve
Edi Rama, i kthyer në figurë komike, nuk çlirohet dot nga sindromi i humbjes
I futur në kolaps total dhe pa
fijen e shpresës për të mbijetuar politikisht, Edi Rama po luan kartën e fundit të alibive, si formë justifikimi ndaj dështimit në zgjedhje. Kryesocialistin në ikje nuk mund ta shpëtojnë akuzat e turpshme që ai artikulon ndaj qytetarëve që vuajnë dënimet, të cilët sipas tij, dëmtuan zgjedhjet dhe i mohuan fitoren! PD i bën me dije Ramës që të paraqesë fakte për akuzat që hedh dhe njëherazi thekson se çdo i dënuar, ka të drejtë, sipas ligjeve demokratike, marrjen e lejes.
Kryesocialisti në ikje Edi Rama, vazhdon të thurë akuza të pa skrupullta dhe tërësisht mediokre ndaj qeverisë dhe institucioneve qeveritare, që nga humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Shqetësimi i Edi Ramës është shumë domethënës dhe lidhet në mënyrë vulgare me ambiciet e rëndomta të tij, për pushtet me pa të drejtë apo edhe atëherë kur faktohet si humbës. Pas organizimit të një kongresi të turpshëm, pak ditë më parë, nga ku u formalizuan edhe drejtimet politike të Ramës, si ajo e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve, në një kohë kur forumet drejtuese socialiste janë shprehur kundër këtij qëndrimi, kryesocialisti në ikje nuk po çlirohet dot nga sindromi i rëndë, i shkaktuar nga humbja elektorale dhe vazhdon të tjerrë alibi nga më të turpshmet.
Sërish dje, Edvini, i kthyer tashmë në një figurë qesharake për mbarë opinionin publik, nuk ndali akuzat e rëndomta ndaj qeverisë dhe institucioneve qeveritare, duke u munduar t’i paraqesë ato si shkaktare të humbjes së zgjedhjeve nga ana e tij dhe më keq akoma, për ndërhyrje të shtetit me forma të ndryshme, në procesin zgjedhor.
Partia Demokratike, reagoi ndaj pseudodeklaratës së radhës të Ramës, i cili akuzoi shtetasit që vuajnë dënimet, të cilët në mënyrë tërësisht ligjore, si në çdo vend demokratik, kanë të drejtën e marrjes së lejeve, për të takuar të afërmit e tyre, si shkaktarë të humbjes së tij në zgjedhje. Zëdhënësja e seli blu, u shpreh se këto shpifje janë pjesë e sindromit të Ramës, krijuar nga humbja e zgjedhjeve.
“Sërish shoku Rama doli në bahçe, i sfazuar dhe në një ezauriment mendor sa tragjik aq edhe komik duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij të sindromit të krijuar nga humbja e zgjedhjeve. Pasi akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionerët socialist të të gjitha niveleve për mungesë integriteti, e mbasi akuzoi mediat për breshëri sulmesh ndaj tij tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit, të cilët u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre në përputhje me një praktikë të të gjitha vendeve demokratike.
Sërish i përsërisim z. Rama se të burgosurit janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Ajo bëri me dije se Edi Rama pati shansin të paraqiste qoftë edhe provën më të vogël të ndërhyrjes apo implikimit të tyre në procesin zgjedhor por nuk e bëri dhe siç tha ajo, i vetmi rast është evidentuar ai i Emiljano Keçit, që u shndërrua në bodyguardin e deputetit të Ramës, Blendi Klosi.
“E përsërisim që i vetmi rast i evidentuar është ai i Emiljano Kecit, i cili sapo u lirua me leje u shndërrua në bodyguardin e armatosur të Blendi Klosit, gjë që detyroi organet e policisë ta ndalojnë atë dhe ta rikthejnë në institucionet e vuajtjes së dënimit”, nënvizoi zëdhënësja e PD-së.
Partia Demokratike, i bën thirrje kryesocialistit në ikje, që “nëse disponon qoftë edhe faktin më të vogël, jo lista, por fakte, është i ftuar ta bëjë atë publik, por të sulmojë qytetarët e këtij vendi vetëm se ata janë të burgosur e t’u atribuojë akuza pa faktuar shkelje ligji dëshmon vetëm se nga frika, tmerri dhe pikëllimi nuk di se çfarë flet”.
Nisur edhe zhvillimi i një kongresi të bunkerizuar, i cili rihyri në histori, si kongreset e Partisë së Punës në kohën e diktaturës, Rama ka shpërfillur çdo vullnet të socialistëve të thjeshtë, të cilët çdo ditë e më shumë po shohin me dyshim lëvizjet e Ramës dhe se si po përpiqet ai, me forma antidemokratike, të qëndrojë në krye të partisë, duke shkelur statutin.
Rama demonstroi edhe njëherë, prirjen e tij diktatoriale dhe mësymjen, për pushtet absolut, duke konsideruar si armiq garuesit brenda partisë.
...