E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri rrezikon doganën e Muriqanit

 

SHKODER - Një zjarr i rënë në një zonë kur dikur ka qenë repart ushtarak, fare pranë pikës kufitare të Muriqanit, për pak sa nuk e ka përfshirë edhe godinën e pikës së kalimit kufitar. Nga flakët janë djegur rreth 2 ha me shkurre dhe pemë si dhe janë shkrumbuar 20 koshere me bletë. Frika se gjatë djegies së shkurreve aty ku dikur ka qenë një repart ushtarak dhe se në tokë mund të kishte mbetje municionesh ka bërë që banorët të frikësuar të nxitojnë për të shuar zjarrin me mjete rrethanore gjersa në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit nga Shkodra. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 11:30 kur disa banorë të zonës kishin vënë zjarr për të djegur mbeturinat, por flakët të favorizuar nga thatësira, terreni dhe era ka dalë jashtë kontrolli. Pjesa më e madhe e kodrës në afërsi të ndërtesës së doganës është përfshirë nga flakët, duke iu afruar rreth 20 metra pikës doganore. Puna në doganë nuk është penguar, pasi një numër policësh me mjete rrethanore ishin bërë pengesë për flakët. Ndërhyrja e shpejtë në kohë e punonjësve të policisë së pikës së kalimit kufitar ka bërë të mundur të ndalimin vrullin e flakëve që ishin drejtuar asaj. Banorë të zonës së bashku me policët me mjete rrethanore janë munduar të vënë flakët nën kontroll, por situata është normalizuar vetëm pas mbërritjes së zjarrfikëseve nga Shkodra. Pas rreth 1 ore zjarrfikësit kanë bërë të mundur të shuajnë vatrën e zjarrit dhe gjithçka të kthehet në normalitet. Ndonëse vatra e zjarrit nuk pengoi punën në pikën kufitare ka paraqitur rrezik për banorët e zonës, pasi dikur aty funksiononte një repart ushtarak. Mundësia se në zonë mund të ketë pasur municione ushtarake krijoi panik, por që për fat nuk pati incidente të tjera. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›