Treni përplas makinën, 4 të plagosur
Drejtuesi i mjetit po lëvizte në një mbikalim të paligjshëm dhe nuk ka pikasur trenin që po vinte nga krahu tjetër
Shkodër- Katër persona mbetën të plagosur rëndë, kur makina me të cilën udhëtonin u përplas nga një tren mallrash. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në afërsi të fshatit Boriç i Vogël, në Vrakë të Malësisë së Madhe. Një tren mallrash, që udhëtonte nga Shkodra në drejtim të Hanit të Hotit e më pas Malit të Zi ka përplasur një automjet tip Benz 240, i cili po kalonte mbi hekurudhë përmes një mbikalimi të paligjshëm. "Aksidenti u regjistrua rreth orës 11.00 dhe mjeti me targë "SH 0653 C", që drejtohej nga Lulash Majaci ka qenë duke kaluar në anën tjetër të rrugës, por është përplasur nga lokomotiva",- thanë burimet zyrtare të policisë. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i mjetit ka marrë plagë të rënda, ndërsa tre personat që ndodheshin në të, që janë të afërm të tij janë plagosur më lehtë. Vendi ku ndodhi aksidenti është mbikalim i paligjshëm, i prishur tre herë nga drejtoria e hekurudhës dhe policia ndërtimore, por që është rihapur përsëri nga komuniteti i zonës. Aksidenti, sipas policisë ndodhi në kilometrin 111- 200 të hekurudhës së vetme që lidh vendin tonë me Evropën dhe sipas ekspertëve, të mbërritur në vendin e ngjarjes, makinisti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi normale rreth 30 km në orë. Shkak i aksidentit, nga hetimet policore, ka qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit, i cili ka kaluar në mbikalimin hekurudhor të paligjshëm dhe nuk është siguruar më parë për mos lëvizjen e trenit. Gjithashtu, pamja e shinave të trenit nga ana e rrugës ka qenë e kufizuar për shkak të shkurreve në dy anët e saj.