OSBE: Partitë, të mos na zhgënjejnë
• Prezenca e OSBE-së i bën thirrje partive politike në Shqipëri të punojnë intensivisht për reformën zgjedhore në vend.BLEDAR HOTIKreu i prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosch, në një deklaratë për median shprehu shqetësimin për mosrealizimin e reformës zgjedhore në vend, duke kërkuar dhe nxitur njëkohësisht partitë politike që të punojnë së bashku për të çuar përpara reformën zgjedhore në vend. “Prezenca e OSBE-së e sheh me keqardhje faktin që deri tani nuk është arritur asnjë rezultat konkret në reformën zgjedhore”, u shpreh ambasadori Robert Bosch. Puna e komisionit duhet të nisë pa humbur kohë sipas OSBE-së. “Ne presim që, pa humbur më tepër kohë, të gjitha partitë politike të përfshihen e të kryejnë të gjitha ndryshimet ligjore në përputhje me angazhimet e Shqipërisë si anëtare e OSBE-së, dhe rekomandimet e raportit përfundimtar të misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, si dhe me analizat ligjore të përbashkëta të përgatitura me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës të viteve 2004 e 2007, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike”, shtoi kreu i prezencës së OSBE-së. Bosch shprehet, se OSBE-ja qëndron e gatshme për të kontribuar në procesin e reformës zgjedhore duke thjeshtuar dhe ofruar ekspertizë sipas kërkesave. “Ne presim të shohim që autoritetet shqiptare të paraqesin përmirësime të mëtejshme në legjislacionin zgjedhor në një mënyrë përfshirëse dhe transparente”, tha Bosch. Ndërsa theksohet se zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me standardet ndërkombëtare është një parakusht për integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Kuvendi në seancën e së hënës mori vendimin për shtyrjen në katër muaj të afatit të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. I ngritur me vendim të Kuvendit, nr.101, datë 17.5.2007, komisioni nuk realizoi asnjë prej synimeve të parashikuara në planin e tij. Ndryshe nga herët e tjera nga të gjitha partitë politike po kërkohet që të realizohet një reformë e plotë mbi sistemin elektoral, duke prekur dhe Kushtetutën. Kërkohet ndryshimi i sistemit aktual, duke shmangur skemën e aplikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2005, të ashtuquajtur “sistem të Dushkut”. Kjo është edhe një nga kërkesat e organizmave ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, për të realizuar eliminimin e praktikave, apo skemave të tilla elektorale. Ndryshe nga herët e tjera, OSBE-ja nuk ka ndonjë rol të veçantë në reformën zgjedhore. Partitë duket se po e shmangin këtë organizëm që jep vlerësime për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Ashtu si në ndryshimet e realizuara në Kodin Zgjedhor, përpara zgjedhjeve lokale, OSBE-ja nuk pati ndonjë ndikim fillimisht. Ky organizëm ndërhyri vetëm në momentin e fundit, kur u skadua afati për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, të parashikuara në dhjetor të vitin 2006. Fillimisht u cilësua si një test prove për klasën politike mosndërhyrja e OSBE-së dhe organizmave të tjerë në realizmin e reformës zgjedhore. Në këtë tentativë klasa politike shqiptare dështoi. Por ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar si KE-ja, OSBE-ja dhe ODIHR qe vendimtare që u pasua me nënshkrimin e një marrëveshjeje politike mes partive në selinë e presidencës në janar të këtij viti. Reforma zgjedhore shihet si një nga kushtet e vëna nga ana e BE-së dhe NATO-s. Kjo reformë duhet të realizohet brenda një kohe të shkurtër, pasi në muajin prill do të mbahet samiti i NATO-s që mbahet në Bukuresht, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për t’u bërë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake në botë. Nëse ky kusht i vendosur nuk realizohet, atëherë Shqipëria mund të vendoset përballë vështirësive. Skadimi i afatit të Komisionit të posaçëm të Reformës skadon pikërisht në muajin kur pritet të mbahet ky samit i NATO-s.EkspertëtEdhe pse OSBE-ja nuk ka një rol parësor në këtë Komision të posaçëm të Reformës Zgjedhore, ekspertët e këtij organizmi janë të pranishëm në mbledhjet që kryhen. Kohët e fundit është hedhur ideja e atashimit pranë komisionit të ekspertëve të tjerë të huaj për të realizuar një reformë sa më të plotë dhe konkrete. Kështu është hedhur ideja për të marrë ekspertë hungarezë në fushën e reformës zgjedhore. Gjithashtu është menduar dhe zhvillimi i tryezave të përbashkëta me ekspertë për reformën zgjedhore.KomisionetKuvendi, pas çdo zgjedhje lokale apo parlamentare, ka ngritur komisione të posaçme për reformën zgjedhore. Janë ngritur më shumë se tre komisione të posaçme, që janë drejtuar nga demokratët dhe socialistët. Kështu mund të përmendim si bashkëkryetarët e këtyre komisioneve Gjana-Ruçi, Ruka-Gjana, Sherifi-Gjana dhe së fundmi Rusmali-Islami. Në këto komisione janë prodhuar disa skema të reja që lidhen më tepër me listat e zgjedhësve, fletët e votimit dhe proporcionali i Kuvendit.RaportiRaporti më i fundit i OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhjet lokale kërkon që klasa politike shqiptare të ndërhyjë në realizimin e një reforme zgjedhore të plotë dhe përfundimtare. Ndërhyrja që kërkohet është ajo në sistemin zgjedhor, duke theksuar në eliminim e sistemit të Dushkut, që u vërejt sidomos në zgjedhjet parlamentare të 2005. Gjithashtu OSBE dhe ODIHR kërkon procedura transparente në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, si dhe për çështjen e financimeve të partive politike dhe kandidatëve.