Sistem zgjedhor i personalizuar
• Partitë e vogla parlamentare, në kërkesat e tyre për reformën zgjedhore kanë kërkuar një përshtatje të sistemit gjerman me sistemin aktual shqiptar.Sistemi zgjedhor do të jetë ai proporcional i personalizuar, ku votuesit do të kenë një fletë votimi, ku vota e kandidatit njësohet me atë të partisë. Partitë gjithashtu, kërkojnë që zgjedhjet të bëhen vetëm me një raund, ndërsa pragu elektoral i mjaftueshëm për t’u përfaqësuar në Kuvend i partive do të jetë 2.5 për qind. Pika më e debatueshme gjatë javëve të fundit ka qenë lista e proporcionalit të partive. Propozimi i partive të vogla është për lista kombëtare të hapura, ku partitë përmes rregullave dhe mekanizmave të brendshme, partitë do të bëjnë përcaktimin e kandidatëve fitues nga listat e proporcionalit. Kjo duket se do të jetë çështja që do të nxisë debatin në Komisionin e reformës Zgjedhore. Dy partitë e mëdha, kryesisht PS-ja, është shprehur pro listave të mbyllura të proporcionalit, gjë që e mbështesin në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por dhe përcaktimit që ka sistemi gjerman zgjedhor. Por në formularin e tyre, partitë e vogla parlamentare kërkojnë që Parlamenti të ketë 140 deputetë dhe një tavan të hapur, i cili mund të sjellë rritjen e numrit të tyre në Kuvendin e ardhshëm. Por aleatët e dy partive të mëdha kanë përcaktuar në propozimet e tyre edhe çështjen e koalicioneve zgjedhore. Ato mendojnë se koalicionet zgjedhore duhet të jenë vetëm kombëtare dhe aspak rajonale, duke e bërë sistemin zgjedhor sa më të pastër. Këto propozime janë firmosur nga LSI, PSD, PDS, PAD, por ndërkohë aleatët e majtë kanë marrë edhe konfirmimin e PBDNJ-së, e cila i ka gjetur të përshtatshme këto propozime dhe i ka firmosur ato.