Aliçka: E vërteta e fotos "denigruese"
Ambasadori i Shqipërisë në Francë reagon ndaj lajmit për foton e "vajzës me perçe" e cila mendohej të ishte imazhi në Paris i aktivitetit për trashëgiminë fotografike shqiptare ndërmjet viteve 1858-1945. Ylljet Aliçka: "Një vullnet i tillë dizinformues e ka burimin te mërzitja dhe dëshpërimi që kapëllon rëndom qenien njerëzore kur nuk ka se ç'të denigrojë pandershmërisht."
"Sinqerisht mbeta i befasuar nga jehona e një veprimtarie e cila për hir të së vërtetës jo vetëm nuk i ka përmasat që pretendohet, porse është shumë larg së vërtetës", u shpreh Ylljet Aliçka, ambasador i Shqipërisë në Francë.
Reagon disa ditë pas qarkullimit në internet dhe botimit në "Shekulli" të fotos që mendohej të prezantonte trashëgiminë fotografike shqiptare në Paris. Përse ishte zgjedhur imazhi i një "vajze me perçe", pra i një Shqipërie myslimane dhe të tejmbetur pas ishte pyetja që vinte bashkë me lajmin.
Ambasada shqiptare është bashkorganizatore e aktivitetit në bashkëpunim me Universitetin e Çikagos në Paris, prandaj ambasadori komenton jehonën e parakohshme që i është bërë "ekspozitës" dhe sqaron se së pari nuk është fjala për ekspozitë, por për një kolokium shkencor propozuar nga Universiteti amerikan në Paris.
"Periudha e artë e fotografisë shqiptare 1858-1945" është kolokium i programuar për një pasdite kulturore më 12 shkurt 2009, nga ora 14-20.00, në formën e një debati mbi vlerat historike të fotografisë së vjetër shqiptare, që nga fillimi i saj deri në vitet 40, pasuar nga një tavolinë e rrumbullakët për letërsinë shqipe.
"Thënë ndryshe, kolokiumi synon të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare. Për këtë arsye këtij aktiviteti i është bashkuar si partnere dhe ambasada shqiptare në Paris."
Aliçka vë në dukje se fotografia që u bë sebep për këtë reagim, ishte një variant që organizatorët i propozuan atij për modelin që do të kishte ftesa e aktivitetit. "Fotoja e botuar paraqet një foto të vjetër të Idromenos, që daton fillimin e shekullit të kaluar dhe që për ironi nuk rezulton një grua myslimane por një grua katolike. Sidoqoftë e përsëris se ky ishte një ndër variantet e ftesës dhe në realitet, për arsye të ndryshme nga ato që pretendohet, nuk u përzgjodh si variant përfundimtar.
Ajo që të bën përshtypje është fakti se ende pa u materializuar në versionin final, nga konsultimet në një rreth jo më shumë se katër pesë personash, (si në një roman të verdhë) para se të merrte miratimin tim si ambasador, ky variant mori dhenë, komentuar si një formë e sofistikuar nga ana ime për të denigruar kulturën shqiptare nëpërmjet një ekspozite!"
Nuk dihet se si është e mundur që ajo foto të cilën po e botojmë përkrah të zgjedhurës si model ftese për kolokiumin "Periudha e artë e fotografisë shqiptare 1858-1945", të kërcejë nga tryeza e bisedimeve të një diplomati shqiptar në Paris deri në Shqipëri.
Por e sigurtë është që për pasditen shkencore kushtuar trashëgimisë sonë dhe për paraqitjen e saj me një ftesë realizuar një foto të vjetër shqiptare, kanë punuar dy studiues të huaj, dy francezë emrat e të cilëve nuk janë të panjohur për ne.
Loïc Chauvin dhe Christian Raby, organizuan në vjeshtë 2007 një turne të ekspozitës "Vështrim historik i fotografisë shqiptare" në qytetet Shkodër, Berat, Korçë dhe Tiranë me 62 foto të zgjedhura nga arkivat e Marubëve, Mios, Sotirit, Idromenos, Xhimitikut, Picit. Mbahet mend prezantimi që ata i bënë në Galerinë Kombëtare të Arteve kësaj pasurie që nuk ishte ekspozuar dhe as botuar ndonjëherë.
Rezultati i Raby-së, profesor i Filozofisë dhe Fotografisë në Universitetin e Çikagos dhe Chauvinit i cili në vitin 1994 realizoi albumin e parë "Marubi" i botuar në Paris me parathënie të Ismail Kadaresë, ishte mbyllja e një cikli disavjeçar kërkimi dhe studimti të materialit fotografik në arkivat shtetërore dhe ato familjare shqiptare.
Dhe në nëntor 2007 e paraqitën në Strasburg, në Këshillin e Evropës, fotografinë e vjetër shqiptare me një tematikë të larmishme: ceremonitë fetare, ushtarë dhe luftëtarë shqiptarë, portrete njerëzish të shquar apo të panjohur, skena të jetës së përditshme, pejzazhe, pamje urbane etj.
Një fotografi që përtej kuadrit historik, ka një vlerë bashkëkohësie. Fotografët shqiptarët japin një Shqipëri në "kapërcyell", e shkëputur më në fund nga perandoria otomane dhe e orientuar drejt Oksidentit. Ky "dimension evropian" që Raby-n dhe Chauvin-i gjejnë në trashëgiminë fotografike shqiptare të periudhës së artë 1858-1945, nuk i lë indiferentë.
Prandaj është krejt e natyrshme të vijë prej këtyre dy individëve iniciativa - për të cilën meritojnë mirënjohje - e kolokiumit në Paris.
Kur u deklaruan rezultatet e tyre në shtypin shqiptar patën thënë se Shqipëria ka një trashëgimi fotografike ndoshta unike në Ballkan. "Megjithatë, zyrtarisht, Shqipëria nuk ekziston në historinë botërore të fotografisë. Asnjë referencë, asnjë emër që të tregojë se ky vend ka pasur fotografë artistë të talentuar."
Për habinë e atyre as dinastia e Marubëve nuk figuron ndërmjet emrave të mëdhenj të fotografisë universale.
Megjithë injorimin që i është bërë kësaj pasurie brenda dhe përtej kufijve të Shqipërisë, për Raby-n dhe Chauvin-in një gjë është e sigurtë: të gjitha këto imazhe përcjellin emocione të forta dhe na zhysin në mendime.
Mbase këtë do donte të shtonte ambasadori shqiptar në Francë, njëherësh shkrimtar, skenarist dhe burokrat i regjur në administratën shtetore dhe atë ndërkombëtare. Por reagimi i Aliçkës nuk ka prolog:
"Sa më sipër më lind e drejta të mendoj se një vullnet i tillë dizinformues më tepër se sa ndjenjat e sinqerta të dikujt që do të mbrojë vlerat e identitetit shpirtëror e kulturor shqiptar, e ka burimin te mërzitja dhe dëshpërimi që kapëllon rëndom qenien njerëzore kur nuk ka se ç'të denigrojë pandershmërisht."
Kongoli paraqet romanin e ri
"Bolero në vilën e pleqve" romani i ri i Fatos Kongolit (Botimet Toena) prezantohet sot në orën 12.00, në sallën Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pse këtu? Ndoshta edhe ngase Kongoli është edhe kandidat për zëvendëskryetar i ASH-së në zgjedhjet që do të mbahen nesër. "Bolero në vilën e pleqve" ëstë romani i dhjetë i Kongolit i shkruar në dy dekadat e fundit.
Vetmia, ekzistencializmi dhe bota e brendshme e një femre është fara e romanit. Në fokus janë dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë.
Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj.
Përmes rrëfimit të infermieres, Kongoli zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura.
Re. ku