Flokët e ruajtur të Ibrahim Kodrës
**** Familja Kodra ruan disa shkrime origjinale me dorën e Ibrahim Kodrës, foto nga vizita e tij e parë në Ishëm më 1973. Dhe, një tufë e vogël flokësh të verdhemë. Ia kishte prerë Mustafa Kodra si kujtim për kthimin në atdhe
Durrës
Ka 3 vjet që nuk jeton Ibrahim Kodra. Sot bëhen tamam 3 vjet. Për këtë përvjetor një familje nga Durrësi nxjerr në dritë kujtimin më të bukur që ka nga piktori me origjinë shqiptare, "i fundmi i kubistëve" që prehet pranë portës së kalasë së Ishmit, vendlindja e tij. Një tufë flokësh të verdhemë.
Familja e kushëririt të tij, Fadil Kodra, ka pasur gjithnjë kontakte me artistin i cili që kur u nis për studime në Romë para luftës, nuk do të kthehej më në atdhe. Dikur Fadili pat treguar për pasionin e Ibrahimit për pushime në fshat dhe për peshkimin, se si në derdhje të Ishmit megjithëse në moshë fëminore, kalonin ditën duke peshkuar me një reze që kërkon forcë për tu ngritur.
Për ta ngritur rezen duheshin së paku 4 vetë, sepse ishte mjaft e rëndë, kurse Ibrahimi e ngrinte vetëm, pasi kishte duar të fuqishme. Në rininë e hershme në Shqipëri, në Tiranë, ishte marrë me atletikë.
U takuam rastësisht këto ditë me Fadilin, tashmë tepër i rënduar nga humbja para kohe e të birit Bashkimit, regjisor në teatrin "Aleksander Moisiu" të Durrësit. Megjithatë me një kujtesë për t'u pasur zili për moshën 82-vjeçare.
Na tregoi diçka më shumë: disa shkrime origjinale me dorën e Ibrahim Kodrës, foto nga vizita e tij e parë në Ishëm më 1973.
Po përveç këtyre, më befasuese ishte edhe një e re tjetër. Ai ruante në mur pranë këtyre fotove edhe një tufë të vogël flokësh të Ibrahim Kodrës. Ia kishte prerë, Mustafa Kodra, babai i Fadilit dhe djali i xhaxhait të Ibrahimit.
Në një kënd të shtëpisë është vendosur korniza me 2 fotografi ku pozon piktori gjatë vizitës së parë në shtëpinë në vendlindje, disa dekada pas largimit nga Shqipëria. Pranë tyre, mbështjellë në plastmas, janë flokët. Nën to, në një copë letër është shkruar: "Mustafa Kodra. Për Kujtim kam marrë flokët e Ibrahim Kodrës." Kaq. Fjalë të shkruara saktë e shkurt.
Fadili tregon se një ditë arriti të gjejë adresën e kushëririt në Itali dhe të mbajë korrespondencë të vazhdueshme me të gjatë gjithë kësaj periudhe. Ka ruajtur disa fatura poste të letrave rekomande të nënshkruara edhe nga Ibrahimi. Korrespondenca ka filluar në vitin 1962 deri pak para vdekjes së piktorit.
Me interes na u duk një kartvizitë e cila mban datën 06. 05. 96. Ajo është e shkruar me dorën e Ibrahim Kodrës. Në anë të saj është piktura e njeriut robot, ndërsa në qëndër shënimi që i drejtohet mikut Demeter Patetuci: "Ju lutem T'ia çoni z. Fadil.
Të fala dhe faleminderit. Prof. Demetro Patetuci." Poshtë shënimit ka hedhur vetëm siglat I. K.( Ibrahim Kodra) Aty është kopjuar po prej tij "Paqe në Kosovë" si një mesazh që i kujton kushëririt që kur të vijë koha ai t'i vendosë mbi varr edhe një gur nga Kosova. Nuk dimë t'i jetë plotësuar kjo kërkesë Ibrahim Kodrës këtij "primitivi të fundit i një civilizimi të ri", siç e ka quajtur poeti frëng Pol Elyar.
Ai u lind më 2 prill të vitit 1918 dhe vdiq më 7 shkurt 2006. Lindi në pranverë dhe u nda nga jeta në prag të kësaj stine.
Kush do ta drejtojë Akademinë
Votimi i sotëm në Akademinë e Shkencave, i pari në kuadër të reformimit, zgjedh kryetarin e ri, post për të cilin kandidojnë Kolec Topalli, Apollon Baçe dhe Gudar Beqiraj. Proceci fillon në orën 10.00 dhe gjithçka do të bëhet e hapur në sytë e medias.
Votimi vendos edhe për zëvendëskryetarin për të cilin kandidatë janë Muzafer Korkuti dhe Fatos Kongoli, ndërsa për sekretarin shkencor Vasil Tole, Afërdita Veveçka dhe Salvatore Bushati. Për postin e kryetarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike votohen Albert Doja dhe Emin Riza, ndërsa për kryetar të Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike, Efigjeni Kongjika dhe Dhimitër Haxhimihali. Po sot, në orën 19.00, në Hotel Tirana organizohet ceremonia e rikonstituimit të Asamblesë së ASH dhe shpërndarja e diplomave të Akademikëve dhe Akademikëve të Asociuar. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Sali Berisha.