E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiraj: "Kohë të reja, njerëz të rinj"

Akademia e Shkencave zgjedh kreun e ri, matematicienin Gudar Beqiraj. Hapi i parë: Krijimi i një fondi që Akademia të mos jetë më e varur nga burokracitë e financave shtetërore

Akademia e Shkencave pas një periudhe tranzicioni me drejtues të pëkohshëm, zgjodhi dje kreun e ri. Matematicieni Gudar Beqiraj fitoi postin e kryetarit të Akademisë pas votimit me dy raunde. Në raundin e parë Beqiraj kandidoi me Kolec Topallin dhe Apollon Baçen. Nga kjo fazë Beqiraj mori 16 vota dhe Topalli 18 vota. Ndërsa Baçe arriti të merrte vetëm 4 vota. Në raundin e dytë të votimin Beqiraj siguroi 21 vota kundrejt 17 që siguroi Topalli.
Ky proces zgjedhor u realizua në një atmosferë të qetë, gjë për të cilën disa akademikë u shprehën se ishte modeli i zgjedhjeve demokratike.
Në podiumin e komisionit të zgjedhjeve ishin studiuesja Floresha Dado, poeti Xhevahir Spahiu dhe historiani Beqiar Meta. I veçuar në një tavolinë tjetër, fare pranë kutisë së votimit qëndronte i qetë kreu në ikje i ASH-së Teki Biçoku.
Monotonia e procesit të votimit të akademikëve thyhej herë pas here nga batutat e historianit Beqir Meta, që i kërkonte kryetarit ende të pazgjedhur drekë për lodhjen që po i shkaktonte. Madje në raundin e dytë kërkoi dy të tilla sepse lodhjen e konsideronte të dyfishtë.
Proçesi i votimit që zgjati deri vonë në mesditë, përcaktoi edhe drejtuesit e tjerë të strukturave të Akademisë. Mes dy kandidatëve që konkurronin për postin e nënkryetarit Fatos Kongoli dhe Myzafer Korkuti, ishte ky i fundit që u shpall fitues me 25 vota kundrejt 14 të Kongolit. Votimet nxorën fitues për postin e Sekretarit Shkencor Akademikun Salvator Bushati, ndërsa kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike u zgjodh Emin Riza dhe kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike u zgjodh Dhimitër Haxhimihali.
Kryetari i sapozgjedhur i Akademisë Gudar Beqiraj pak momente pasi ishte shpallur rezultati i votimit u shpreh se Akademia e Shkencave dha një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë duke realizuar një proces zgjedhor transparent, objektiv me korrektësi të madhe. Ndryshimin e parë të "erës Beqiraj" ai cilësoi faktin që mediat në ndryshim nga herët e tjera ishin prezente gjatë procesit të votimit. Duke shprehur respekt dhe mirënjohje për paraardhësit, Beqiarj u shpreh se tani janë "kohë të reja dhe njerëz të rinj". Ndër prioritet e para të punës së tij ai përmendi krijimin e një fondi për shkencën, siç e ka dhe Komisioni Evropian. "Që të mos kemi ato vështirësi që hasim gjithmonë në burokracitë e financës së shtetit. Një fond që të mbështesë akademikët në nismat e tyre. Jo shkencë për shkencën por shkencë për ta çuar drejt programeve të qeverisë për të realizuar diçka të mirë për ekonominë shqiptare", u shpeh Beqiraj. Ai shtoi se ka edhe mbështetjen e të Konferencës së Rektorëve, Jorgo Kaçani, dhe të Rektorit të Universitetit të Tiranës Dhori Kule. "Javën që vjen do të na shikoni mbase të treve fuqishëm për ta çuar përpara shkencën shqiptare", tha kreu i sapozgjedhur i Akademisë.
Matematicieni Gudar Beqiraj është anëtar i Akademisë së Shkencave që prej viti 2003. Gjatë vitit të kaluar deri ditën e djeshme, ai mbajti në këtë institucion postin e nënkryetarit.
Prof. Dr. Gudar Beqiraj u diplomua në viti 1971 në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Departamentin e Matematikës. Ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë simpoziume ndërkombëtare në Francë, Çekosllovaki, Bruksel etj. Prej vitit 2007 ai është Dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.


Kadare mungon në votim
Shkrimtari Ismail Kadare nuk ka marrë pjesë në këtë proçes votimi për kreun e Akademisë së Shkencave. Ai dhe Prof. Artan Fuga ndodhen që të dy në Francë. Në ndryshim nga Kadare që nuk e dha mendimi e tij, Fuga ka zgjedhur postën për të dërguar fletët e votimit të tij, për të gjitha seksionet në të cilët votohet. Kadare ishte i vetmi akademik që nuk ishte prezent dhe nuk votoi.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›