E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një grua rrëfen Kongolin

Fatos Kongoli tregon se romanin e fundit e shkroi brenda një viti, duke jetuar së jashtmi formalisht, dhe i izoluar për të bërë fiction një histori të vërtetë e cila mban tani titullin "Bolero në vilën e pleqve". Kurse sot pret pa emocion rezultatin e votimit në Akademi ku kandidon për postin e zv/kryetarit


Shkrimtari Fatos Kongoli prezantoi dje në Akademinë e Shkencave romanin "Bolero në vilën e pleqve". Rrëfimi bëhet nga një infermiere 32-vjeçare. Është hera e parë që ai eksperimenton të rrëfyerit në vetën e parë nga goja e një femre. E ka shkruar "Boleron" në një gjendje emocionale të trazuar dhe në çdo moment kishte të pranishme frikën nga dështimi.


Për të përmbushur një mision kaq të vështirë ka shkëputur për gati një vit lidhjet me botën, komunikimin me pjesën e jashtme të së cilës ka qenë mëse formal. Në dy rezidenca shkrimtarësh ku ai ka qenë kohët e fundit, në Vjenë dhe në Belgjikë, ka gjetur atmosferën që i duhej për të përfunduar romanin e nisur me shumë dyshime.

Po dihet tashmë, ai vetë e ka deklaruar se bën pjesë në atë tip shkrimtari që vuan kur shkruan dhe e pranon skllavërinë që vjen prej letërsisë dhe përunjësinë me të cilën asaj duhet t'i jepesh.



Përkthyesi nga dhe në frëngjishte Edmond Tupja, i cili ka çuar në këtë gjuhë pothuaj krejt veprën e Kongolit, tha dje se "Bolero në vilën e pleqve" lidhet pjesërisht edhe me historinë e familjes së tij.

Bëhet fjalë për një letër që babai i tij (në atë kohe ende gjallë) i dërgon nënës së Tupjes në spital. Duke e pasur të pamundur të lëvizë ai gjeti një formë komunikimi që Fatos Kongoli e shndërroi në një nga linjat kryesore të librit.



Përkthyesi dhe publicisti zbuloi se ka nisur tashmë përkthimin e romanit.
Për kryetarin e fundit të jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, Mark Marku, ky është roman me një strukturë që i përgjigjet kohës ku jetojmë, strukturë që "tregon" atë që ndodh në botën e sotme.

Zoti Kongoli ku është shkruar "Bolero në vilën e pleqve"?


Romanin me sa më kujtohet e kam nisur ta shkruaj nga shtatori i vitit 2007. Kam punuar këtu në Shqipëri deri në fund të 2007-s. Për shkak të ngurrimeve të mia punova me ritme të ngadalta.

Pastaj viti 2008 nisi në mënyrë pak të veçantë për mua. Më ftuan në një rezidencë shkrimtarësh në Vjenë për të punuar gjatë muajve janar-shkurt. Aty me eci puna shumë mirë dhe romani filloi të marrë formë. Dhe po aty vendosa që do ta çoj deri në fund. Nga shkurti deri në shtator 2008 punova në Tiranë.


Në 15 shtator pata përsëri shansin të ftohesha në një tjetër rezidencë për shkrimtarë në Belgjikë. Aty punova në kushte shumë të mira. Nuk e kisha parashikuar ta përfundoja aty, por diku në dhjetor.

Jeni bazuar në një histori të vërtetë?


Në libër kam futur shumë nga përvoja ime. Burimi fillestar ka qenë sigurisht përfytyrimi im për një njeri që e shohim përditë pranë nesh por që nuk e njohim. Është personazhi kryesor, Parashqevia. Më ka bërë përshtypje se si është ky njeri që unë e shoh përditë dhe që nuk e di kush është.


Realiteti i këtij romani është shumë i veçantë sepse ideja ka lindur në një rrethanë shumë të veçantë. Zoti Tupja më mori një natë vonë në telefon dhe më tregoi një episod. Nëna e tij grua e vjetër, 80 e ca vjeç, ishte shtruar në spital. I ati që tani ka vdekur, duke qenë se ishte i pamundur t'i bënte një vizitë në spital i shkruan një letër.

Ky fakt mua më impresionoi dhe i kërkova Edmondit leje që ta përdorja këtë episod. Natyrisht që pranoi madje më ofroi që të lexoja edhe letrën. Letrën unë nuk e kam lexuar por në bazë të këtij fakti që më tregoi, unë ndërtova një nga linjat më të rëndësishme të romanit.

Historinë ju e tregoni nëpërmjet gojës së një femre, një formulë jo shumë e përdorur në letërsinë shqiptare. Për çfarë ju ka dhënë dorë ky "ndërrim gjinie" i narratorit?

Ngurrimi im ka qenë nëse do ta shkruaja në vetën e tretë apo në vetën e parë. Më pas vendosa të bëj një eksperiment, të shkruaj në vetën e parë por në lëkurën e një femre relativisht të re. 32 vjeç është ajo kur rrëfen.


Në të vërtetë ky ishte një eksperiment dhe një aventurë. Eksperiment jo se kjo nuk njihet në letërsinë e përbotshme, kanë shkruar shumë shkrimtarë meshkuj, kanë folur, janë vënë në rolin e një femre por për mua ishte një përvojë e re e mbushur me rreziqe dhe që mund të dështoja.

Gjithë kohën që kam shkruar këtë roman kam pasur një ngarkesë emocionale shumë të madhe. Deri ditën kur e përfundova e vija në dyshim atë që po bëja. Nëse unë po flisja natyrshëm me gojën një femre apo jo.

Çfarë ndodhte ndërkohë në jetën tuaj?


Në atë kohë kam qenë krejtësisht i përpirë nga libri. Nga dyshimet nëse do të arrija ta shkruaja deri në fund. Nuk ndodhte asgjë tjetër. S'kisha asnjë kontakt me botën përveçse me librin. Kisha vetëm një kontakt formal me njerëzit.

Ju thatë se puna ju eci mbarë kur ishit larg Tiranës.


Në rezidencat ku kam qenë më ka bërë përshtypje fakti që kishte kushte shumë të mira për të punuar. Në kohën e lirë mundësitë i kisha më të mëdha se këtu. Në Austri për shembull, kam shëtitur Vjenën qoshe më qoshe.

Në këto 4-5 vitet e fundit keni udhëtuar sa për njëqind. Si ka ndikuar kjo në jetën dhe krijimtarinë tuaj?
Më ka dhënë mundësinë që të mendoj më shumë për librat e mi, për ata që do të shkruaj. T'i përpunoj më mirë.

Ju votoheni nesër (sot) për postin e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave. Përse ju duhet juve që s'keni vuajtur ndonjëherë për post?
Ka qenë një vendim i imi. Në fakt do të shkonte shumë gjatë shpjegimi i kësaj çështjeje. Mund të them se mendoj se është një punë interesante për fazën e jetës sime. Është një punë që më tërheq mjaft.

Atëherë si po e përjetoni si para konkurrimit ditën e sotme?
Pa ndonjë emocion, për këtë ju siguroj.


Turizmi Kroat në Galerinë e Arteve


Ekspozita fotografike shëtitëse "Ngjyra nga Kroacia" e artistit Ivo Pervan qëndron për disa ditë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ky koleksion, pronë e Ministrisë së Jashtme Kroate, prej vitesh bën xhiron e botës, duke treguar më të mirën e Kroacisë turistike. Pas Australisë, Afrikës së Jugut, Hong Kongut, Suedisë, Brukselit, stacioni i radhës është Shqipëria. Janë 60 foto për natyrën kroate, sidomos për bregdetin, i cili, sipas Pervan-it është shumë i bukur.


Fotografi thotë se po bën një prezantim "ndryshe" të vendit të tij. "Në Mesdhe ka një turizëm shumë të fortë. Çdo njeri e prezanton vendin e tij në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet dokumentarëve",- thotë ai. Për Pervan fotografia është një mjet i fuqishëm komunikimi që nuk ka nevojë për fjalë. Fotografi 62-vjeçar merret me natyrën sepse mendon që njerëzit duhet të shohin më shumë anët pozitive të jetës dhe jo ato të zymta, si luftërat apo uria. "Ngjyra nga Kroacia" është një cikël i realizuar gjatë viteve 1998-2002.


Sonte "Norma" e Bellinit

"Norma" e Vincenzo Bellinit, tragjedia lirike me dy akte nën drejtimin e Maestro Eddi De Nadai dhe me regji të Nicola Zorzit, shfaqet sonte në Teatrin e Operës dhe Baletit, në orën 19.00.



Në rolet kryesore interpretojnë Etleva Golemi, Branko Robisak, Shpresa Beka, Armando Likaj dhe Aleksander Rrapi. "Norma" vjen si bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe TOB-it dhe do të shfaqet edhe në datat 10 dhe 13 shkurt.

Në sajë të këtij bashkëpunimi, dirigjenti De Nadai rikthehet për së dyti që nga vitit vitin 2006 kur dirigjoi operën "Un ballo in maschera". Ka punuar në Teatrin e Operës së Izmirit dhe në Teatrin Lirik të Shtetit të Kraiovës (Rumani). Aktualisht është docent në Konservatorin e Venezies. Edhe për Zorzi-n, kjo është hera e dytë që merr përsipër regjinë skenike në TOB, pas debutimit me "Luçia di Lamermur".


Parodistët e Vlorës, "Qytetar Nderi" me debate


Këshilli Bashkiak i Vlorës diskutoi në mbledhjen e djeshme dhënien e titullit "Qytetar Nderi" për katër aktorët e humorit dhe të varietesë, Afrim Agalliu, Agron Hamo, Muhamet Lika e Mane Lumani.


Të katër janë shtuar për diskutim në listën e emrave të propozuar për titullin, ndër të cilët edhe Neshat Tozaj (pas vdekjes), Spiro Jovani dhe Shyqyri Zeneli (pas vdekjes), dy këta të fundit ish- mësues. Futja e parodistëve të Vlorës në këtë listë, ka ngjallur reagimin e disa këshilltarëve, ndërkohë që votimin e kanë bojkotuar këshilltarë të së djathtës, të cilët nuk kanë qenë dakord. Gjithsesi votimi më pas është kryer duke marrë miratimin e shumicës.

Klubet letrare këndej e andej Tropojës


Historikisht Tropoja është quajtur Malësia e Gjakovës, pasi gjeografikisht shtrihet dhe është pjesë e trevës së Gjakovës.


Nga Bajram Curri, qendra administrative e nënprefekturës së Tropojës, deri në Gjakovë, nëpër rrugën e re automobilistike që lidh dy qytetet, është vetëm 30 km dhe përshkohet për një gjysmë ore. Nuk është rastësi që gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998-1999, Tropoja strehoi dhe mbajti mbi 20000 të dëbuar kosovarë, e kryesisht nga Gjakova. Sot lidhjet janë shtuar dhe po shtohen dita ditës, si vijimi i mësimeve të djemve e vajzave nga Tropoja në shkollat e mesme dhe në universitete, në fejesa e martesa të ndërsjellta, furnizime me artikuj ushqimorë, industrialë apo veshmbathje.

Pothuajse në çdo stinë të vitit vijnë vizitorë ditorë për të vizituar qytetin e fshatrat përreth, apo për të drekuar në Valbonë, Bujan, Fierzë, Lekbibaj etj. Bashkëpunime të ndërsjellta vazhdojnë edhe në mes njësive të qeverisjes vendore, shkollave apo institucioneve të ndryshme. Tashmë shumë të papunë trajnohen në qendra të formimit profesional, apo shumë të papunë të tjerë punojnë në bujqësi, ndërtim.



Këtë vit, me ndërmjetësimin e bashkisë së Bajram Currit dhe komunës së Gjakovës, u bë e mundur të lidhen marrëveshje bashkëpunimi edhe në drejtim të artit dhe kulturës. Klubi Letrar "Gjon Nikollë Kazazi" Gjakovë, me një përvojë mbi 40-vjeçare, ka filluar bashkëpunimin me Klubin e Letrar Tropojë, kryesisht në drejtim të përurimeve të librave të rinj të autorëve, organizimin e fjalës poetike, të konkurseve letrare, pjesëmarrja në mitingun e përvitshëm të poezisë, etj.


Muharrem Kurti, poet dhe kryetar i klubit letrar, shprehet optimist për fillimin e këtij bashkëpunimi. Mirëpo sipas Lulzim Logut, kryetar i Klubit Letrar Tropojë, bashkëpunimi është shtrirë edhe në qytetet të tjera të Kosovës.


Këto ditë, thotë ai, klubi ynë letrar ishte në komunën e Malishevës, me ftesë të Klubit letrar "Tafil Kelmendi", ku nënshkruam një memorandum bashkëpunimi në fushën e letrave. Në vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do botohet një antologji poetike, me krijues tropojanë dhe të Malishevës. Në bisedë edhe me kryetarin e këtij klubi, Mehdi Krasniqi, i cili ishte një djalë i ri, energjik dhe krijues i talentuar, u shpreh i gatshëm për të qënë pjesë e krijuesve të Tropojës në çdo veprimtari letrare-kulturore.

Ndaj gjatë këtij viti e në vazhdim, tropojanët do të furnizohen jo vetëm me artikuj tregtarë e ushqimorë në Gjakovë, Prishtinë e gjetkë, por do të ushqehen edhe me dije, kulturë të një pjese të shtetit amë, Kosovës, që në një vjetorin e pavarësisë edhe Tropoja e Malësisë së Gjakovës po përgatitet për ta festuar në qytetet e Kosovës me vëllezërit e tyre.

Surrealizmi real i shqiptarëve të Bytyçit


Agron Bytyçi vjen për një ekspozitë personale në Galerinë e Arteve në Shkodër, me rastin e aktiviteteve që do të zhvillohen për 1- vjetorin e pavarësisë së Kosoves.
Është një cikël tablosh që ka nisur më 1999 dhe që nuk është mbyllur akoma.

"Kam qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftë dhe në telajo kam hedhur atë që më ka frymëzuar, sakrificën, heroizmin dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për liri.


Nënë Terezën e kam një motiv të përhershëm, të cilit i sillem me dëshirë dhe për mua është një simbolikë e vështirësive tona që akoma nuk i kemi larguar",- thotë piktori.

Agron Bytyçi ka kryer studimet për pikturë në vitin 1995 në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë. Në vitin 1998 ai i bashkohet të rinjve që kërkonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe bëhet pjesëtar aktiv i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 1999, emërohet pedagog i brendshëm në degën e pikturës në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, qytet në të cilin jeton e punon aktualisht. Ka qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete në vend dhe jashtë tij, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Surrealizimi i tij i shprehur në pikurë, sipas kritikëve, duket se është shprehje e një realiteti të cilin shqiptarët ende e jetojnë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›