Aliu: Deputet po votojnë me sugjerime

Anëtari i Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Liburn Aliu, në një konferencë për media, ka thënë se për këto dy projektligje gjatë tërë procedurave të trajtimit në kuvend janë përcjellë me shkelje rregulloresh, presione për trajtimin e tyre, amendamentimin e tyre si dhe ndërhyrje të shefit të ICO-së e të kryeministrit në proces të amendamentimit të këtyre dy projektligjeve.
Deputeti Aliu ka thënë se në secilin amendament është një ‘Po’ edhe ‘JO’, që sqaron se çka duhet të votojnë dhe çka jo deputetët.
“Tani që po pritet votimi i këtyre amendamenteve dhe ligjeve para se të vijë, kjo deputetëve të Kuvendit të Kosovës u janë shpërndarë të dyja këto projektligje për secilin amendament dhe për secilin prej tyre është e kufizuar po, jo. Pra, sipas kushtetutës së Kosovës, deputetët kanë lirinë e votimit dhe nuk duhet të bëhet fare presion apo trysni mbi ta që të votojnë apo që të tregojnë si duhet të votojnë”, ka thënë Aliu.
Tek amendamenti i pestë për Hoçën e Madhe, i cili amendament ka qenë më i diskutueshmi, komision ka vendosur që këshilli i fshatit prej shtatë anëtarëve të zgjidhet nga komuna, ndërsa, sipas Aliut, për këtë amendament të komisionit funksional është sugjeruar me një JO.
Aliu ka thënë se kjo nuk ka ardhur tek Grupet Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk ka dëshiruar të tregonte se nga i ka marrë ato materiale me rekomandimet se si të votojnë deputetët.
“Për këto nuk mund të them se kush i ka bërë, prej deputetit që e kemi marr iu është thënë se ndërkombëtarët po kërkojnë kështu. Më shumë thuhet nga ndërkombëtarët se sa me emër konkret dhe specifikim konkret. Unë mendoj që kjo është një shkelje dhe kulmi i cili përkufizon tërë procesin e dy Projektligjeve”, ka thënë Aliu.