E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Shumë shpejt disa njohje të reja

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve shtetërore për lobim, ka zhvilluar një turne të shkurtër në disa shtete të kontinentit të Afrikës, ku në takime me përfaqësues të këtyre shteteve ka marrë premtime që disa nga këto shtete, shumë shpejt, do të marrin vendimin për njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Gjatë këtyre vizitave, zëvendëskryeministri Pacolli ka zhvilluar takime të rëndësishme me krerë të lartë shtetesh të këtyre vendeve të rëndësishme në atë kontinent (emrat e të cilave nuk do t’i bëjmë publike në këtë moment), prej nga ka marrë garanci të fuqishme për njohje të shpejtë të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të zyrës së tij, sipas së cilës, në çdo moment, pritet vetëm zyrtarizmi i një procesi shumë të rëndësishëm, për të cilin është shpenzuar shumë energji, kohë dhe mjete financiare për qëllime lobimi për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Është çështje ditësh zyrtarizmi i njohjeve, me çka do të kurorëzohej një proces shumë i rëndësishëm për Kosovën. Një proces për të cilin është sakrifikuar dhe është bërë punë jashtëzakonisht e madhe”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›