E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alket Rizai pret kthimin në Shqipëri”

 

Arratisja e dytë spektakolare e shqiptarit Alket Rizai nga burgu i Koridhalos i Athinës, u rikthye dje në qendër të mediave helene pas të dhënave se 32-vjeçari ndodhet diku në periferi të kryeqytetit grek i pa shqetësuar nga policia. “Shqiptari Alket Rizai, i cili u arratis të dielën e kaluar nga burgu i Koridhalos në Athinë së bashku me grekun Vasilis Paleokostas mund të jetë fshehur në periferi të Athinës dhe po planifikon të hyjë në Shqipëri”, shkruanin dje agjencitë greke të lajmeve. Sipas tyre, “informacionet e fundit të autoriteteve, sugjerojnë se policia ishte në dijeni se Vasilis Paleokostas dhe shqiptarit Alket Rizai po përgatisnin arratisjen nga burgu megjithatë ato nuk është bërë asgjë për ta parandaluar”. Duke iu referuar burimeve policore, mediat greke citonin policinë, duke pohuar se: “Ka gjasa që dy kriminelët po presin që forcat e rendit të ulin masat e kontrollit dhe kështu ata mund të lëvizin lirisht drejt një vendi tjetër. Arratisja e Alket Rizait dhe shtetasit grek Vasilis Paleokostas është bërë shkak për angazhimin masiv të skuadrave të policisë që po kërkojnë të burgosurit e ikur. Sipas burimeve zyrtare nga autoritetet e Athinës, mësohet se 15 njësi të forcave speciale vazhdojnë operacionet e kërkimit në rajonet malore të Greqisë Qendrore, të cilat njihen mirë nga Vasilis Paleokostas, greku i arratisur bashkë me shqiptarin nga Fieri, Alket Rizai.
Në kërkim ndihmësi
Policia greke bëri publik dje emrin e një personi të tretë të shpallur në kërkim për dhënie ndihme në realizimin e planit të arratisjes nga Alket Rizai dhe miku u tij grek Vasilis Paleokostas. Mediat e vendit fqinj shkruanin dje se policia është vënë në kërkim të shtetasit shqiptar me emrin Panajotis Papas, një nga figurat kryesore, që akuzohet se ka ndihmuar në arratisjen e 32-vjeçarit nga Fieri. Personi i shpallur në kërkim mësohet se është gjetur i implikuar edhe në arratisjen e parë të Alket Rizait të ndodhur në 2006. Panajotis Papas mësohet se është personi i dytë, i cili bashkë me të dashurën e Alket Rizait ka organizuar gjithë veprimet e kryera jashtë burgut me qëllim përmbushjen e planit të arratisjes. Ndërkaq, konfirmohet se shërbimet sekrete në Athinë po kontrollojnë telefonatat e fundit, që janë bërë nga celularët e sekuestruar në shtëpitë e personave që u gjetën të përfshirë në arratisjen e parë të Alket Rizait. Policia beson se ai ka qëndruar në kontakt me bashkëpunëtorët e tij dhe me anë të gjurmimit të telefonatave po kërkon lokalizimin e 32-vjeçarit shqiptar dhe mikut të tij nga Greqia. Në dispozicion të autoriteteve të policisë janë vendosur edhe kasetat e kamerave filmike të burgut Koridhalos për të krijuar një ide më të qartë rreth mënyrës si u realizua nga brenda qelive largimi i dy të shumëkërkuarve, që prisnin të dilnin në gjyq me akuzën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit lidhur me arratisjen e parë. 

Vendimi i gjykatës

Gardianët, dy
në burg dhe
tre në liri
ATHINE – Gjykata greke, e cila mori në shqyrtim dosjen e hapur prej Prokurorisë lidhur me arratisjen e Alket Rizat dhe Vasilis Paleokostas, vendosi të burgosë dy nga pesë gardianët e burgut të Koridhalosë të akuzuar menjëherë pas ngjarjes së ndodhur një javë më parë. Shefi i repartit të gardianëve u dënua me tre vite burg ndërsa gardiani i shërbimit është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa gjykata liroi tre të akuzuarit e tjerë që u shpallën të pafajshëm. Vasilis Paleokostas, greku i arratisur bashkë me shqiptarin Alket Riza, është akuzuar se në vitin 1992, së bashku me vëllanë e Paleokostas, Kostas Samaras grabitën degën e Bankës Kombëtare Greke në Kalambaka, ku vodhën shumën prej 12 milionë dhrahmish.

Shoku i Rizait në burg: U arratisën me miq e me para
ATHINE – Dëshmi të reja dolën në dritë pas intervistimit nga media greke të personave të burgosur që mbahen në qelitë e Koridhalos. Kostas Samaras, i izoluar në burgun ku ndodheshin deri një javë më parë dy të arratisurit, ka pohuar për mediat helene se ka qenë mik me dy personazhet më të kërkuar në Greqi. I burgosuri ka komentuar arratisjen e bujshme duke thënë se “me para dhe me bashkëpunëtorë, çdokush mund të arratiset”!. Sipas burimeve nga burgu mësohet se Vasilis Paleokostas dhe Alket Rizai mbaheshin në masa shumë të rrepta sigurie në burgun Koridhalos, ndaj u desh të organizonin në detaje arratisjen spektakolare. “Nëse ke një mendje të kthjellët dhe ji i vëmendshëm mund të arratisesh nga çdo burg sado i sigurisë së lartë qoftë ai”, ka theksuar më tej miku i të arratisurve i njohur me ta gjatë qëndrimit të përbashkët në qelitë e burgut Koridhalos. Kostas Samaras është shprehur më tej se “një arratisje e tillë mund të organizohej edhe pa pasur ndihmën nga brenda në burg”.

arratisja
Të dielën që shkoi, Alket Rizai i dënuar për vrasje pa vendim të formës së prerë dhe Vasilis Paleokostas i akuzuar për krime të rënda në Greqi, u arratisën nga seksioni nr.3 i burgut të Koridhalos në Athinë, pasi një helikopter i porositur prej të afërmve të tyre u ul aty dhe tërhoqi me shkallë dy personat. Mjeti fluturues u gjet më pas i braktisur në periferi të Athinës, ndërsa Rizai dhe Paleokostas ishin larguar me një makinë që i kish pritur aty.

36 milionë
euro është dyshohet se është pasuria e vendosur nga i arratisuri grek bashkë me Alket Rizain. Vasilis Paleokostas është akuzuar për dy gjobëvënie ndaj biznesmenëve dhe një grabitje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›