E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikoi vizat amerikane, kreu i “Go West” kërkon lirimin nga burgu

 

TIRANE - Nikolin Cako, i cilësuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i një grupi personash që me anën e falsifikimit të dokumente siguronin dërgimin e personave në vende të ndryshme të globit dhe SHBA, kërkoi dje të largohej nga paraburgimi. Kërkesa u bë në seancë e djeshme në Gjykatën për Krimet e Rënda nga mbrojtësi i Cakos, i cili i kërkoi gjykatës shuarjen e masës së “arrestit me burg” për klientin e tij. Sipas avokatit, Cako i ka mbushur afatet ligjore të paraburgimit dhe si i tillë nuk duhet të qëndrojë më në qeli. Në kërkesën e tij mbrojtësi i Cakos përmendi gjithë kronologjinë e gjykimit të së arrestuarve të “Go West”, operacion prej të cilit është prangosur edhe Cako. Pala e akuzës e quajti të gabuar pretendimin e mbrojtjes. Prokuroria pretendoi se llogaritja e kohës së paraburgimit nuk ishte bërë në mënyrë të saktë. Në vijim ajo i kërkoi gjykatës, sigurimin e procesverbaleve të seancave gjyqësore gjatë shqyrtimit të dosjes “Go West” në Shkallën e Parë. Procesverbalet në fjalë ndodhen në Gjykatën e Lartë, pas një rekursi që i është bërë vendimit të Gjykatës së Apelit për “Go West”. Kjo pasi, edhe pse fashikujt ndodhen në Gjykatën e Lartë, çështja ende nuk është marrë në shqyrtim. Ditën e djeshme i pranishëm në gjykatë ishte edhe Edmond Bejko, një prej të pandehurve të “Go West”, për të njëjtën kërkesë, por seanca në ngarkim të tij u shty për mungesën e avokatit. Të pandehurit e “Go West” janë dënuar nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda me një total prej 68 vitesh burg në korrik 2008. Ndërsa në 27 nëntor 2008, Gjykata e Apelit vendosi dërgimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Të pandehurit i kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit, shqyrtim i cili nuk ka nisur ende.             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›