E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me maska pika e këmbimit

 

Etleva Delia

Një grabitje me armë dhe maska ka ndodhur mesditën e djeshme në qendër të kryeqytetit, në zonën e quajtur “Ushtari i panjohur”. Dy persona të maskuar hynë brenda në një exchange (pikë këmbimi valutor) dhe duke kërcënuar punonjësen, e cila në ato momente ishte duke mbyllur dyqanin, i kanë zbrazur arkën duke i marrë të gjithë shumën që ndodhej aty. Burime nga policia bënë të ditur se shuma e grabitur dyshohet se ka qenë rreth 20 mijë euro, ndërkohë që ende nuk ka persona të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje. Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet që autorët të jenë të njëjtët me ata që kanë kryer javët e fundit grabitje të disa agjencive të këmbimit valutor dhe dy bankave private, për të cilët ende nuk ka ndonjë të arrestuar. Të njëjtat burime pohuan se skema e kryerjes së grabitjes dje në Agjencinë e Këmbimit Valutor “Royal-M”, është tejet e ngjashme me atë të grabitjeve të mëparshme, që nga fillimi i këtij viti në Tiranë. Dyshohet gjithashtu se dy personat e grabitjes së djeshme, janë të njëjtët që kanë tentuar grabitjen në pikën e këmbimit valutor të shoqërisë “Kalenja” Sh.p.k. 
GRABITJA
Dy persona të maskuar kanë zbritur nga një motor dhe kanë hyrë në pikën e këmbimit të “Royal-M”, pranë “Ushtarit të panjohur”, dje rreth orës 13:15. Grabitësit, njëri prej të cilëve me një pistoletë në dorë, kanë hyrë në pjesën e agjencisë ku ndodheshin dy punonjëse, një prej të cilave, është edhe pronarja e zyrës valutore. Nën kërcënimin për vdekje, autorët i detyruan punonjëset të zbrazin kasën, pikërisht pak minuta para se agjencia të mbyllej pasi kishte grumbulluar xhiron ditore. Shuma që është grabitur, sipas burimeve të policisë, paraprakisht dyshohet se është 20 mijë euro. Pasi kanë terrorizuar punonjëset por edhe kalimtarët, dy grabitësit janë larguar me motor nëpër rrugicat e lagjes, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë.
HETIMI
Menjëherë sapo janë sinjalizuar për ngjarjen, oficerë të policisë së Tiranës kanë mbërritur në vendngjarje dhe në të gjitha rrugicat përreth zonës janë ngritur postoblloqe. Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe dy punonjëset që ndodheshin në dyqan në momentin e grabitjes. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje hedh dyshime të forta se autorët janë të njëjtët e disa grabitjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti në kryeqytet dhe që autorët e tyre ende nuk janë arrestuar. Grabitësit procedojnë duke lëvizur me motoçikleta, që shmangin shumë bllokimin e mundshëm në trafik dhe i ndërrojnë ato, duke mos u larguar shumë nga zona përreth kryeqytetit. Sipas policisë dyshohet se autorët e grabitjes së djeshme, nuk janë thjeshtë dy, por shoqërohen edhe nga disa të tjerë që i ndihmojnë ata në distancë për të realizuar grabitjet.

Pronari: Rëndësi ka që s’pati të lënduar

Pronari i pikës së këmbimit valutor “Royal-M”, edhe pse nuk preferon që të flasë shumë rreth ngjarjes, nuk nguron të shprehë pakënaqësi që ndodhi të tilla po ndeshen gjithnjë e më shpesh dhe shumë afër qendrës së kryeqytetit. “Pak rëndësi ka se sa ishte shuma që u grabit, e rëndësishme është që nga e gjithë kjo ngjarje nuk pati të lënduar”, është shprehur ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›