Grevë urie mes arkivolesh për të zhdukurit e 9 janarit
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Grevë urie mes dy arkivolesh bosh. Prindërit e dy viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 kanë vendosur ngujimin, si shenjë proteste ndaj shtetit, që nuk gjeti kurrë fëmijët e tyre të zhdukur. Rreth orës 11:30 të ditës së djeshme, Ndoc Bjeshka dhe Ndue Zajeti, baballarët e Kreshnik Bjeshkës dhe Marjana Zajetit vendosën që të hyjnë në grevë urie, duke kërkuar rikthimin e gjykimit për tragjedinë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Sipas tyre, mësimi i disa fakteve të reja mbi ngjarjen e rëndë, ku humbën jetën 28 persona, 8 prej të cilëve nuk janë gjetur ende, i ka bërë ata që të kërkojnë dhe një herë gjykimin për autorët. Në një ambient që dikur ka qenë dyqan ata kanë vendosur dhe dy arkivole bosh, duke deklaruar se qëllimi i grevës është që të gjenden trupat e fëmijëve të tyre, pasi nga një informacion i siguruar prej tyre para pak muajsh rezulton se përveç gomones ku u gjendën 11 të mbijetuar dhe 20 të vdekur, në det është gjetur dhe një gomone tjetër me 8 trupa, e cila nuk është deklaruar asnjëherë. Përfaqësuesit e familjeve që janë në grevë urie pohojnë se u ka rënë në dorë një deklaratë e para 8 muajve, e drejtorit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Sokol Bizhga, në të cilën shkruhej se në orën 06:30 të mëngjesit të datës 10 janar 2004, në gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord. Ndonëse në deklaratë, Bizhga pohon se nuk ka arritur të shkojë deri në vend e të shohë viktimat, familjarët këmbëngulin se dinë që mjeti është rimorkiuar nga një anije shqiptare dhe destinacioni i saj akoma nuk dihet. “Kjo na bën të dyshojmë se struktura të caktuara të shtetit në ato vite ishin të interesuar, që ta fshihnin këtë fakt duke i varrosur trupat në një vend anonim. Trupat janë varrosur këtu dhe kërkojmë që shteti t’i gjejë dhe pasi të bëhen analizat e ADN-së të na kthehen”, kanë pohuar ata.
Ndërsa sipas kryetarit të shoqatës së viktimave të 9 janarit Nikollë Mhilli, dy janë kërkesat e dy grevistëve që përfaqësojnë 8 familjet që akoma nuk i kanë gjetur trupat e fëmijëve të tyre të mbytur më 9 janar 2004. Sipas tij, ata kërkojnë nga Prokuroria e Përgjithshme të bëjë të mundur gjetjen e kthimin e trupave që mendohet se janë varrosur diku nga shteti. Mhillaj thotë se ata e kanë kërkuar këtë në rrugë institucionale, por Prokuroria e Përgjithshme nuk u ka kthyer asnjë përgjigje. Ndërsa kërkesa e dytë është ribërja e gjyqit të Vlorës, këtë herë jo në këtë qytet, por në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pasi sipas tyre, drejtësia nuk është vënë në vend, duke u dënuar me disa vite burg vetëm skafistët, por jo organizatorët. Ndërkohë që 2 grevistet deklarojnë se greva që ata kanë nisur do të vazhdojë deri në gjetjen e eshtrave të fëmijëve të tyre, nëse jo, ata shprehen se do hynë vetë të vdekur në arkivolet, që kanë marrë në ambientet ku po zhvillojnë grevën.