E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet në SHBA shkodrani, akuzë për trafik makinash

 

TIRANE - Një shqiptar i kërkuar nga Byroja Federale e Hetimit në SHBA, për trafikim të mjeteve motorike, është ekstraduar dje, për t’u përballur me drejtësinë amerikane. Sipas burimeve nga   Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se 23-vjeçari Besmir Boshnjaku ka qenë subjekt i një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Distriktit të New York, SHBA, më datë 10 korrik 2007. Ai është arrestuar në SHBA më 11 korrik 2007 dhe është liruar me garanci pasurore. Ndërkohë më 7 nëntor të po atij viti, ai nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të radhës dhe gjykata lëshoi ndaj tij urdhrin e arrestit për veprën penale “Shkelje e ligjit federal mbi garancinë pasurore”. Sipas verifikimeve të kryera nga autoritetet policore amerikane, rezultoi se ai ishte larguar nga SHBA në drejtim të Athinës, Greqi dhe më pas në Shqipëri. Më 13 dhjetor 2007 Boshnjaku është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington. Vetëm një javë pasi ai ishte shpallur në kërkim, është arrestuar në Shkodër. Në seancën e vlerësimit të masës së arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, Besmir Boshnjaku ka deklaruar se është larguar nga Amerika, nga frika se mos e vrisnin. “Kam bërë deklarimet përkatëse pranë FBI-së për atë çfarë kam ditur dhe jam lënë i lirë nga gjykata, me garanci pasurore e detyrim për paraqitje deri në shpjegim të pozicionit tim në këtë ngjarje. Por pas lënies së lirë jam kërcënuar vazhdimisht nga personat e përfshirë në këtë rrjet dhe kjo ka bërë që të ndihem i pasigurt, ndaj dhe jam larguar për në Shqipëri”, mësohet të ketë thënë 23-vjeçari Boshnjaku, në momentin e arrestimit. Sipas të dhënave që Byroja Federale e Hetimit ka dërguar në kërkesën për ekstradim të Boshnjakut, mësohet se ai bënte pjesë në një grup prej shtatë personash, ku ishin edhe Din dhe Xhavit Çelaj, Ali Zherka, Arbër Selimi, arabi Moheed Oasman dhe oficeri i policisë së Nju Jorkut, Darren Moonan.                                          e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›