E Diel, 1 Nëntor 2026

Alket Rizai, zbulohet mashtrimi i femrës që rrëmbeu helikopterin

 

ATHINE

Hetimi i policisë greke është përqendruar në zbardhjen e identitetit të femrës bionde, rreth 35-40 vjeçe, ka të ngjarë me nënshtetësi shqiptare, e cila është vlerësuar si figura kyçe në arratisjen nga burgu të dy të dënuarve tepër të rrezikshëm, Vasilis Paleokostas dhe mikut të tij shqiptar, Alket Rizai.
Policia ka mbetur e shokuar dhe nuk arrin të besojë se një femër mund të arrijë të menaxhojë një operacion kaq të rrezikshëm, që kërkon një mendje të vërtetë kriminale, një karakter të fortë, të ngjashëm me atë të Paleokostës apo edhe të vetë Alket Rizait.
Do takoj të dashurin
Sipas hetimit të policisë, disa javë më parë, femra ishte shfaqur pranë kompanisë “Interjet” duke u paraqitur me emrin Aleksandrova dhe duke treguar një pasaportë, ku si u sqarua më pas doli të ishte false. Ajo mori me qira disa herë një helikopter për të shkuar në resortin dimëror të Arahovës. Shpjegimi që i kishte dhënë shoqërisë, që lëshonte helikopterë me qira ishte se ajo kishte një të dashur në Arahova, me të cilin takohej. Por për të realizuar këtë dhe për të mos rënë në sy të burrit xheloz, duhet të përdorte një helikopter. “Aleksandrova” ia ka dalë mbanë të krijojë marrëdhënie besueshmërie me punonjësit e kompanisë pasi e ka përsëritur disa herë udhëtimin e saj në të njëjtin destinacion, duke mos shfaqur më shumë se pamjen e një femre të rënë në dashuri, për hir të së cilës arrin të bëjë sakrifica ekstreme.
Arratisja
Ditën që u organizua arratisja, “Aleksandrova” shkoi te kompania “Interjet” në shoqërinë e një mashkulli, të cilin e prezantoi si burrin e saj të ligjshëm. Si gjithmonë ajo kërkoi të merrte me qira një helikopter për të shkuar në Arahova. Por nuk kalojnë shumë minuta në fluturim dhe piloti e kupton se ky udhëtim nuk do të ishte i ngjashëm me të tjerët. Dy pasagjerët ishin ulur në ndenjëset e pasme dhe pothuaj menjëherë pas ngritjes “Aleksandrova” nisi t’i bënte presion me një granatë dore, të cilën ia mbështet pilotit në qafë. Ajo e urdhëron atë të fluturojë në drejtim të burgut “Koridhalos”. Gjatë së njëjtës kohë ajo flet në telefon celular me dikë dhe këmben mesazhe. Kur mbërrijnë mbi burg, ajo e urdhëron pilotin të ulet në një vend shumë të përcaktuar, përmbi çatinë e burgut.
Që nga ky moment veprimet e femrës bionde të sjellin në mendje filmat aksion të Hollivudit. Femra bionde del nga helikopteri, i cili i mban motorët të ndezur gjatë gjithë kohës. Era e fortë e krijuar nga lëvizja e helikës e pengon, por ajo mundet të lëshojë me saktësi një shkallë të bërë me litarë, duke u kujdesur që fundi të mbërrijë në tokë. Pas jo më shumë se 20 sekondash Alket Rizai ngjitet në shkallë dhe futet në helikopter. Vasilis Paleokostas shfaqet rreth 30-40 sekonda më pas dhe dëshmitarët kanë dëgjuar “Aleksandrova” t’i bërtasë: “Shpejt Vasili, shpejt!”. Pasi Paleokosta futet në helikopter dëgjohen të shtënat e gardianëve. Breshëria e parë pohohet të ketë qenë shumë e dendur, por kjo nuk e ka penguar femrën të shkëpusë shkallën nga helikopteri. Gjithçka nuk zgjati më shumë se një minutë. Ndërkohë një nga plumbat goditi helikopterin. Njëkohësisht me kërcitjen e llamarinës është dëgjuar edhe zëri i Alket Rizait që bërtiste “Shpejt, shpejt!”. Femra e mbyll derën e helikopterit pikërisht në momentin kur gardiani i parë arrin të ngjitet mbi tarracë.
Piloti nuk e njeh në foto
Kjo ishte dëshmia e plotë e pilotit për hetuesin. Sipas tij, femra fliste me Rizain në telefon. Ndërsa Rizai nga ana tjetër përdorte një orë dore e cila ishte njëkohësisht edhe telefon celular. Policia ende nuk e ka të qartë se kush është femra bionde. Hetuesit i kanë rrëfyer fotografitë e katër femrave si dhe të dy femrave me të cilat ka pasur miqësi Paleokosta. Por piloti nuk ka njohur tek asnjëra prej tyre femrën bionde. Në këtë pikë ngrihet një pikëpyetje e madhe se përse autoritetet besojnë se femra është një shqiptare etnike, e cila ka lidhje me Alket Rizain. Përgjigjja e vetme është se teksa ishin në burg të dy të arratisurit janë vizituar shpesh nga femra, identitetet e të cilave nuk korrespondonin me dokumentet që kishin paraqitur. Pra, hetimi ka një mendim se Aleksandrova duhet të jetë shqiptare, pasi femrat që vijnë nga ky vend edhe në raste të tjera të njohura e kanë pasur më të lehtë të përdorin identitete false.

Shpjegimi që i kishte dhënë shoqërisë, që lëshonte helikopterë me qira ishte se ajo kishte një të dashur në Arahova, me të cilin donte të takohej fshehurazitë shoqit

Kërkimet
Kontrollet policore janë përqendruar në zonat e Greqisë Qendrore dhe Veriore, zona të njohura për Vasili Paleokostën, pasi kanë qenë çerdhe strehimi për shume vite me radhë, gjatë kohës që ishte në arrati. Kërkime po bëhen dhe në zonën e Iteas, ku e dashura Rizait, duke u hequr si biznesmene bullgare rrëmbeu helikopterin duke organizuar arratisjen spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë “Koridhalo”. Kërkimet gjithashtu janë përqendruar edhe në shoshitjen
e të gjitha lidhjeve miqësore të dy të arratisurve.

Politika
Opozita greke e ka shfrytëzuar arratisjen spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë “Koridhalo” për të kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Karamanlis. “Asgjë nuk funksionon në këtë shtet përveç shërbimeve ajrore nga burgu i “Koridhalo”-së ka komentuar pas ngjarjes Dinos Rouvlias. Ndërsa LAOS, një tjetër parti politike ka kërkuar që policia greke të modernizohet që të mos ketë arratisje të tilla të përsëritura. Të tjerë politikanë kanë shprehur indinjatën e tyre duke përsëritur se një ngjarje e tillë e ka bërë qesharake qeverinë greke në gjithë globin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›