E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerri, përdhunohet fëmija 4 vjç

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

“Botës po i vjen fundi”. Ky ishte pohimi i banorëve të Dibrës, të cilët mësuan dje lajmin e padëgjuar më parë se, një 20-vjeçar ka përdhunuar një djalë të vogël, pa mbushur 4 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Bahutë të komunës Qendër në rrethin e Dibrës. I mituri, për shkak të dëmtimeve është transportuar me urgjencë në spitalin e Tiranës, ndërsa i dyshuari është arrestuar mbrëmjen e djeshme. Policia e Qarkut Dibër dhe ajo lokale e Peshkopisë gjatë ditës së djeshme ka qenë mjaft e rezervuar në dhënien e informacionit. Zyrtarë të lartë të policisë lokale pranuan se kanë ndaluar një person nga fshati Bahutë, i akuzuar për përdhunimin e të miturit, kushëri me të. Sipas tyre, çështja i ka kaluar Prokurorisë, e cila disa orë më vonë firmosi arrestin.
Ngjarja
Burime jo zyrtare sqarojnë se paraditen e djeshme shtetasi Ledio Halili, 20 vjeç, ka gënjyer me çokollata kushëririn e tij, i cili ende nuk ka mbushur 4 vjeç. “E ka marrë dhe e ka përdhunuar në shtëpinë e tij”, janë fjalët e njerëzve të afërm të viktimës. Burime të rezervuara pranë spitalit të Peshkopisë sqarojnë se prindërit e fëmijës janë shqetësuar pas ankesave të djalit të tyre. “Familjarët e sollën fëmijën e vogël në spital. Ai qante me zë të lartë. Prindërit kishin menduar se fëmija i tyre mund të ishte rrëzuar diku afër shtëpisë dhe kishte pësuar plagë. Me sa kuptuam, - thanë mjekë që nuk duan të identifikohen, - prindërit nuk kuptonin asgjë çfarë kishte ndodhur. Sapo pamë shenjat e plagës te fëmija i vogël, nuk kemi nisur mjekimin. Kemi njoftuar fillimisht policinë e Peshkopisë dhe i kemi informuar ata për ngjarjen e rëndë, duke u shprehur se fëmija ishte përdhunuar”. Kaq tregojnë mjekët, të cilët për herë të parë në jetën e tyre konstatojnë një rast të tillë ekstrem. Skena tronditëse ka detyruar mjekët të kërkojnë mjekun ligjor të Peshkopisë dhe të kryhen verifikimet e plota. Thuhet se pasi fëmija është qetësuar nga mjekët, ka treguar kush e kishte katandisur në këtë gjendje. Ai ka belbëzuar emrin e kushëririt të tij si autorin e ngjarjes, duke mos ditur të sqarojë hollësisht çfarë kishte ndodhur mbi trupin e tij. Pasi fëmija ka treguar kush e kishte dhunuar, efektivat e policisë kanë kryer ndalimin e tij, ndërkohë që fëmija është dërguar me urgjencë në drejtim të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autori
Pas të dhënave kontradiktore për autorin e ngjarjes së rëndë, policia ka pranuar në mbrëmje arrestimin e Ledio Halilit, 20 vjeç.  Të afërmit e fëmijës që bënë denoncimin dje në Policinë e Dibrës thonë se ai është person me probleme mendore. Banorë të fshatit Bahutë, thonë se 20-vjeçari Ledio Halili nuk ka asnjë klasë shkollë dhe njihet si skizofren i shfrenuar. Megjithëse është i tillë, prej disa muajsh ai punonte me furgonin e të atit, duke transportuar pasagjerë nga fshati Bahutë drejt Peshkopisë dhe anasjelltas, 7 km larg. Gra, fëmijë, burra, udhëtonin çdo ditë me furgonin e këtij personi, madje policia rrugore megjithëse kishte të dhëna kush ishte ky person që transportonte njerëz, nuk e kishte ndaluar atë asnjëherë. Tashmë ai ndodhet i izoluar në komisariat, ndërsa dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së rrethit, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Familja: Vetëgjyqësi nëse shteti nuk vepron

“Nëse shteti nuk do të veprojë sipas ligjit, ne do të hakmerremi”, thanë dje familjarët e djalit të dhunuar. “Kemi udhëtuar me urgjencë nga Peshkopia në drejtim të spitalit nr. 3 në Tiranë, për të kuruar djalin e vogël, - thanë të afërm të tij. - Mjeku specialist nuk ndodhej aty dhe na thanë se nesër në mëngjes do te kemi mundësi të kryejmë vizitën dhe mjekimet përkatëse. Ne jemi kushërinj të afërt dhe nuk e prisnim të na ndodhte një ngjarje kaq e rëndë për fëmijën e vogël. Nëse policia apo Prokuroria po tentojnë ta “qetësojnë” situatën a ta manipulojnë ngjarjen, kjo do të çojë në vetëgjyqësi. Nuk do të tolerojmë aspak për atë që na ndodhi. Nuk do të kalojë lehtë kjo ngjarje”, shprehen të afërmit e djalit të përdhunuar. Pasi ka mësuar atë që kishte ndodhur, babai i fëmijës, emigrant në Greqi, është nisur me urgjencë për në Tiranë, për të qëndruar pranë të birit dhe familjarëve të tij të tronditur.

Skizofrenët, rrezik për qytetin

Mbi 15 të sëmurë mendorë enden rrugëve të qytetit, duke krijuar frikë e panik te banorët e Dibrës. Megjithëse ngjarja kur Shpëtim Ziza, një i sëmurë mendor, përdhunoi dhe vrau një 9-vjeçar shokoi gjithë Dibrën, as policia dhe as strukturat e tjera shtetërore nuk vepruan për të frenuar lëvizjet e tyre në publik apo për t’i dërguar ato në spitalet psikiatrike apo qendrat e rehabilitimit. I tillë konsiderohet dhe 20-vjeçari që kreu aktin e turpshëm e kriminal një ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›