“Alket Rizain e dënuan padrejtësisht”
Marko Caka/ ATHINE
Sakis Kehajoglu është një nga avokatët më të suksesshëm në Greqi.
Ai ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Alket Rizait, për të cilin thotë se është një djalë me humor dhe një njeri që e mban fjalën. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, avokati grek i Alket Rizait, thotë se dënimi i dhënë për vrasje nga gjykata greke ndaj shqiptarit, ishte i padrejtë. Avokati pohon se kjo u bë shkak për arratisjen e Rizait ndërsa shton se pavarësisht imazhit negativ të krijuar për 33-vjeçarin në Greqi, në të vërtetë policia ka simpati për të pasi edhe herën e fundit, ai u vetëdorëzua pa gjakderdhje.
Kur jeni njohur me Alket Rizain, që kur ju mbuloni mbrojtjen ligjore të tij?
Çështjen e Alket Rizait e kam marrë në dorë para tre vitesh, në procesin që gjykohej në Pire. E kam parë shumë herë në burgun e sigurisë së lartë të Dhomokosë që mbahej i dënuar dhe në janar të 2009 nisëm gjyqin. Më 23 shkurt 2009 do të dëshmonte për gjyqin që kishte, ku akuzohej për vrasje, dhe për arratisjen e parë me helikopter. Një ditë para, më 22 shkurt 2009, ai u arratis përsëri me anë të helikopterit, gjykata vazhdoi procesin dhe ai u dënua me burg të përjetshëm. Unë isha avokat i tij gjatë kohës që u arratis për herë të dytë.
A kishit mësuar diçka, si njeri që kishit kontakt me të, ndonjë ide se kishte planifikuar arratisjen, e kishte shprehur këtë?
Sigurisht që jo, absolutisht jo. Ai nuk është budalla. Çdo gjë mund të bëjë, por budalla nuk është. Nuk më përket mua ajo, çdo i dënuar mendon si detyrë të arratiset nga burgjet.
Ku ndodheshit ju në kohën kur u arratis për herë të dytë?
Isha në një restorant në një lagje të Athinës, në Psiri. Më morën në telefon dhe me thanë se sapo e kanë dhënë televizionet se Alket Rizai u arratis nga burgu me helikopter, bashkë me Vasilis Paliokostas. Mbeta i shastisur dhe i habitur për guximin që mori.
A kishit komunikim me të pas arratisjes, për ndonjë konsultë që mund të kishte nevojë?
Absolutisht jo, nuk më ka telefonuar asnjëherë pas arratisjes. E pashë përsëri vetëm dje tek qelitë në polici.
Ku gjendeshit ditën që u kap nga policia greke?
Ishte orët e para të mëngjesit në shtëpi dhe pashë në ekranin e televizorit se u kap bashkë me të dashurën e dy të tjerë. Pastaj komunikoi me mua dhe më kërkoi që të shkoj në polici të firmoste një autorizim se do e rimarr mbrojtjen e tij ligjore.
A keni të dhëna, gjatë kohës që ishte i lirë Alket Rizai, pas arratisjes së dytë, a ka kryer ndonjë krim?
Pyeta në polici dhe më thanë se deri tani nuk kemi asnjë shkelje ligjore (penale) në 9 muajt që ai ka qëndruar në arrati. Nuk rezulton i përzier me asnjë krim, asnjë grabitje, dhe asnjë shkelje tjetër, vetëm me arratisjen.
Hetimet paraprake e lidhin Alket Rizain me një organizatë kriminale “Sindikata e Krimit”, sa e vërtetë është kjo?
Shiko, Alket Rizai ishte bashkëvuajtës me gjyqin e Pireut, me zotin Stefanako dhe Skafturo, ata janë të akuzuarit në çështjen “Sindikata e Krimit”. Domethënë Alket Rizai u dënua vetëm për vrasjet. Të gjitha akuzat i ka policia në dosjen e saj dhe nuk dua ta komentoj atë.
Me kontaktet që keni pasur pasi u arrestua nga policia javën që shkoi, keni kuptuar nëse është penduar për arratisjen, ai u dorëzua pa rezistencë?
Jo, nuk është penduar fare. Madje, bëri dhe deklaratën se “humbi një betejë, por jo luftën”. Jam i sigurt dhe thotë qartë edhe ai vete, nëqoftëse i jepet mundësia, do të arratiset përsëri. Edhe për vrasjet që u dënua ka deklaruar se është i pafajshëm. Ka dënime të rënda, por mendon se është dënuar kot. Meqenëse e cilëson se është dënuar pa të drejtë, e mendon se pa të drejtë ndodhet në burg. Nga kjo është arratisur dy herë.
Në këtë rast, a mund të mendohet se ka fajin e saj edhe drejtësia greke, pra dënon një person i cili pretendon pafajësinë, të cilën nëse nuk e fiton në gjyq kërkon ta fitojë duke u arratisur?
Arratisjet ndodhin në gjithë botën. Një i dënuar mund ta cilësojë se u dënua pa të drejtë. Por edhe po të mendojë se u dënua me të drejtë, përsëri përpiqet të arratiset. Kjo është psikologjia e të dënuarit. Vendimet i japin njerëzit dhe disa mund të jenë gabim. Këtu dhe për dënimin e përjetshëm bëmë apelim në Shkallen e Dytë, dhe besoj se do të fitojë pafajësinë. Shpresoj që të mos ta rëndojë emri i tij me namin e keq që ka marrë me arratisjet me veprimet e tij.
Policia greke e cilëson si një njeri të rrezikshëm, si është e mundur që i vendosin këtë epitet, ndërkohë ka 9 muaj në liri dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale, si ndaj njerëzve ashtu edhe ndaj uniformave blu?
Policia e cilëson, keqbërës i rrezikshëm, dhe jo kriminel. Këtu ka një hakmarrje ndërmjet policisë dhe Alket Rizait, sepse dy herë u largua nën hundën e tyre dhe nuk e kapën. Prandaj ekziston një hakmarrje e hapur. Sidoqoftë, mendoj se policia e simpatizon, sepse edhe arrestimi i tij u bë i qetë, pa reagim, pra nuk u derdh gjak. Ai ra dakord me atë çfarë i thanë policët dhe nuk bëri dredhi. Ai tha do dorëzohem, dhe u dorëzua pa u përpjekur të vrasë ndonjë polic apo të plagosë ndonjë tjetër. Nga Alket Rizai policia nuk ka asnjë të plagosur dhe këtë e vlerësojnë.
Ju e keni klient, ndaj mbani kontakte me të, a keni kuptuar diçka mbi karakterin e tij?
Ka shumë anë njerëzore. Absolutisht është njeri i ndjeshëm. Sado që duket e çuditshme, e cilësoj shumë të ndjeshëm dhe njeri që e mban fjalën. Alketi nuk i mban pantallonat që të ngrohet. Është njeri që të shikon drejt dhe kur bën një dakortësi me të e çmon, dhe nuk bën poshtërsi në kurriz të kësaj. Nuk kam asnjë problem me të dhe besoj se është një djalë që ka shumë humor, është shumë karizmatik në shoqëri. Në bisedë e sipër do të kuptosh sesa djalë i gëzueshëm është.
Mendoj së me burg të përjetshëm, u dënua padrejtësisht. Nuk kishte fakte për akuzat e vrasjes që e rëndonin. Unë e hetova gjyqin, por mbi supet e tij mban namin e keq të arratisjes, dhe imazhin e keq që i kanë bërë, dhe gjykatat nuk mund të vlerësojnë me veprat e tij të plota, sepse e rëndojnë ngjarjet e arratisjeve. Dhe media është shqetësim, mendoj se nëqoftëse nuk do të kishte gjithë këtë rëndësi nuk do të dënohej me burg të përjetshëm, mund të ishte i pafajshëm.
Si është gjendja psikologjike e tij tani pas arrestimit?
Gjakftohtë, i qetë, madje pas ditës së parë është shumë i qetë. I di shumë mirë portat e qelive dhe çfarë e pret pastaj.
Si një nga avokatët e njohur në Greqi, a beson se do të ketë lehtësira mbi akuzat që e rëndojnë?
Alketi më besoi ta mbroj përsëri çështjen e tij, dhe të së dashurës. Madje ai interesohet më tepër për të dashurën e tij, sepse mendon se janë të padrejta akuzat ndaj saj. Unë do të bëj të pamundurën edhe në mbrojtjen ligjore të së dashurës së tij.
Alket Rizai mori përsipër të gjitha përgjegjësitë mbi vete për akuzat, ky veprim si ju duket?
Shumë burrërore, dhe mendoj se thotë të vërtetën. Është një sjellje burrërore për t’u marrë shembull. Është njeri që merr përgjegjësitë e tij. Nuk përpiqet të fshihet dhe mënjanohet. Rrallëkush e bën këtë.
E dashura e tij si ka besim të jetë kaq afër një njeriu që ka probleme me shtetin, ajo ka sakrifikuar për të?
Dashuria nuk sqarohet. Nuk ka sqarime në dashurinë e vërtetë dhe shpirtërore, madje as që diskutohet.
Keni pasur kontakt me prindërit e Alketit?
Jo, asnjëherë.
Sa mund të dënohet klienti juaj Alket Rizai?
Të paktën për armëmbajtje dhe për arratisjet, që i ka pranuar vetë ai, nuk do të shfajësohet, pra do të dënohet. Do ketë shumë vite në burg. Për vrasjet që akuzohet në Shkallën e Dytë besoj të kemi fat më të mirë. Mund të isha më optimist nëse nuk do të kishte namin e keq mbi supe me arratisjet e bujshme, gjykatësit ndikohen shumë nga emri, fama dhe pak nga kinematografia.
Rizai në qeli, s‘tregoj për ata që më ndihmuan
Gjykata e Athinës vendosi dje masën e arrestit burg pa afat për Alket Rizain, të dashurën e tij dhe dy personat e arrestuar bashkë me ta në fillim të javës, Ervis Stefani dhe Blerina Lule. Masa e burgut u dha edhe për shtetasin grek Hrisanthos Anagnastopullos që i dha Rizait dy makinat me të cilat ai lëvizte. Gjatë dëshmisë përballë gjyqtarit. Në seancën e djeshme Rizai ka shfaqur një tendosje të gjendjes së tij për shkak se pas kangjellave është ndarë nga e dashura, e cila mbahet në një qeli tjetër. Duke parë gjendjen, gjyqtari pyeti Alketin përse e dashuronte partneren e tij, ndërsa Rizai u përgjigj: “Pyetje është kjo?”. Ai tha pasi gjykata vendosi arrest për të dashurën e tij, duke iu drejtuar gjyqtarit, se “është e padrejtë kjo që po bëhet, nëse ka Zot, ta paguash ti dhe jo fëmijët e tu”. Rizai u pyet për njerëzit që e kanë ndihmuar gjatë arratisjeve dhe qëndrimit i fshehur, por refuzoi të tregonte. Unë i urrej spiunët tha ai, nuk kam ndërmend të tradhtoj ata që më kanë ndihmuar. Shqiptari pranoi përgjegjësinë e arratisjeve, por nuk dha shpjegime. m.c