“Policët” grabisin 4 turistë sllovenë
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Grabiten katër turistë sllovenë të cilët kishin vizituar Shqipërinë dhe po ktheheshin sërish në vendin e tyre.Autorët i kanë ndjekur ata që nga Tirana dhe i kanë ndaluar në afërsi të Thumanës së Krujës, duke iu paraqitur si punonjës të policisë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 04:00. Sllovenët ishin nisur 30 minuta para ngjarjes nga kryeqyteti, ndërsa kishin vënë re një mjet tip “Opel” që po i ndiqte gjatë gjithë rrugës. Dyshohet se grabitësit i kanë ndjekur lëvizjet e turistëve edhe më parë derisa janë organizuar për t’i ndaluar në rrugë. Sapo janë afruar në Thumanë, pranë aksit që është në zgjerim dhe ku rruga është e prishur, katër personat i kanë parakaluar sllovenët. Ata iu kanë bllokuar rrugën pasi shpejtësia e tyre ishte e vogël dhe mundësia për t’i shpëtuar ishte thuajse e pamundur. Të katër grabitësit ndaluan makinën tip Slloun, duke u hequr tek të huajt si oficerë të Policisë Kriminale. Ata u kanë kërkuar turistëve t’u bënin një kontroll. Por kur këta të fundit dolën jashtë mjetit, atëherë grabitësit u morën paratë, telefonat, pasaportat dhe në fund edhe makinën e tyre. Duke qenë se turistët nga frika nuk bënë rezistencë, nuk është dashur të përdoret dhunë ndaj tyre. Për këtë shkak e gjithë grabitja përfundoi vetëm me dëmet materiale, por pa të plagosur apo të lënduar. Sipas deponimeve të mëvonshme në polici të turistëve, personat që i ndaluan nuk kishin as armë e as maska. Ata deponuan se u ishin marrë 2 mijë euro, mjetin, celularët si dhe dokumentet. Pasi janë larguar me të dyja makinat, grabitësit rreth 500 metra më tej i kanë vënë flakën “Opel”-it. Pas verifikimeve të mëpasme rezultoi se “Opel”-i ishte vjedhur në një parkim në Tiranë. Policia arriti të bëjë shuarjen e flakëve në kohë, çka sipas burimeve mundësoi edhe fiksimin e gjurmëve të autorëve. Brenda pak kohësh blutë arritën të kryenin identifikimin e tyre. Sipas burimeve, njëri prej autorëve, Ymer Hilaj, 35 vjeç nga Tirana u arrestua bashkë me mjetin dhe sendet e vjedhura në të. Për efekt hetimi blutë nuk dhanë detaje të tjera, por sipas burimeve, ai është ndaluar në një rreth tjetër të vendit, disa orë larg vendngjarjes. Disa orë më pas u arrestua dhe njëri prej autorëve të tjerë, Gazmend Kulla nga Kruja. Gjer në orët e vona të darkës, dy autorët e tjerë nuk ishin arrestuar, por policia bëri të ditur se është në udhë të mbarë për arrestimin e tyre. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se kanë nisur kërkimet në disa rrethe, si Burrel, Mirditë, Lezhë, Kurbin, por edhe në Tiranë e Durrës.
Fier, maskat grabisin karburantin
FIER - Rikthehen maskat në rrethin e Fierit. Mesnatën e së premtes, në rrugën nacionale Fier-Levan, në vendin e quajtur Karburanti “Lamçe-Petrol”, që rezulton të jetë në pronësi të A.Lamçes, tre persona i kanë drejtuar pistoletën rojës O.Shahaj, duke i marrë më pas xhiron ditore, një sasi prej 100 mijë lekësh. Pasi i kanë marrë edhe celularin, njëri nga autorët ka qëlluar një herë me armë në ajër dhe më pas ata janë larguar me një automjet të tipit “Renault” në drejtim të qytetit të Vlorës. Blutë nisën operacionin “Mesnata” për kapjen e autorëve, ku arrestuan Arben Brahon, 23 vjeç, nga Vlora ndërsa janë shpallur në kërkim Benard Muço, 22 vjeç dhe Ilir Metushi, 23 vjeç, po nga Vlora. m.r