E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Alkimisti" banori i fundit i Guinness-it

"Forca e ëndrrave tona qëndron te ndryshimi i mënyrës së të parit të gjërave dhe botës. Nëse njerëzit kanë një ëndërr, në fund ajo do të bëhet realitet. Që kur isha fëmijë kisha një ëndërr: të bëhesha një shkrimtar. Edhe sot që jam në moshë madhore e kam një të tillë. Të shkruarit është një proces që nuk përfundon kurrë. Nëse do të reshtja së shkruari, nuk do ta quaja më veten një shkrimtar. Do të vazhdoj të jem i tillë deri sa kjo ëndërr të jetë e gjallë tek unë; sepse një ëndrre, edhe kur arrin ta jetosh, nuk mund t‘i shkojmë kurrë deri në fund". Ky është Paulo Coelho, shkrimtari i falshëm që ndodhej i pranishëm në një plate gazetarësh në Panairin e Frankfurtit. Panairi i Librit të Frankfurtit këtë vit festoi për arritjen e shkrimtarit brazilian, i cili ka thyer rekordin me 100 milionë libra të shitur në gjithë botën. Si gjithmonë, i veshur me të zeza, pak si magjistar e pak si biznesmen, nuk heziton t‘i përgjigjet pyetjes tashmë të zakonshme: Cili është sekreti i suksesit tuaj? Por magjistari nuk di t‘i shpjegojë hilet e tij. "Edhe unë e kam pyetur shumë herë veten: Çfarë e lidh një lexues korean me një australian, një norvegjez me një brazilian"? Para tri ditësh mori një "Guinness" për numrin e gjuhëve (68) në të cilat është përkthyer libri i tij i famshëm, "Alkimisti", duke lënë pas "Harry Potter"-in. Vetëm Shekspiri e ka kaluar, por kjo ka ndodhur disa shekuj më parë. "Dikush thotë se shkruaj mrekullira dhe njerëzve u pëlqen të lexojnë përralla. Ndërsa unë që flas me veten time do të thosha se shkruaj ato që më pëlqejnë mua dhe për këtë arsye i nxis lexuesit e mi". E në fakt përgjigjja e vetme është: Të jetosh ëndrrat e tua. "Pjesa më e madhe e burrave i mohojnë dëshirat e tyre, nuk e njohin ëndrrën e tyre të thellë, ose e lënë veten të binden se nuk mund t‘ia dalin mbanë. Atëherë bëhen të pashpirt dhe ia hedhin fajin botës për dështimin e tyre". Ky është lajtmotivi i tij: kushdo mund ta ndryshojë veten dhe botën. Konkretisht ai është një shembull: rebel ndaj dëshirave të familjes, u mbyll tri herë në një spital psikiatrik dhe gjithashtu u edhe fut në burg, por në fund ia doli. Libri i tij, "O vencedor està sò" ("Fituesi është vetëm"), është shitur në shumë vende të botës ende pa u shkruar në gjuhën braziliane. Në Brazil u publikua në vitin 1990. Është një libër të cilin autori e ka shumë për zemër. E shkroi kur, një natë në një lokal, takoi një irlandeze, e cila i zbuloi anën e saj femërore. Ishte një vajzë që dinte të përballej me rrezitjet e saj. Ja një nga lajtmotivet e tjera të tij: Jeta është e rrezikshme, duhet të rrezikosh. Këtë këshillë shkrimtari ua jep edhe botuesve të tij. Publikojini romanet në internet dhe shitjet do të rriten ndjeshëm.

"Kështu, libri do ta fitojë sfidën e tij"

Disa muaj më parë po shihja një film, "Giordano Bruno", historinë e një "heretiku" të dënuar nga Vatikani në vitin 1600 dhe të djegur në një furrë drush për shkak të parimeve në të cilat besonte. Në film është një pjesë ku Giordano Bruno lë të kuptohet se sapo kishte qenë në Panairin e Librit të Frankfurtit për të takuar disa nga botuesit e librave të tij. Nga dita kur (katër shekuj më parë) Giordano Bruno iku nga kjo botë, e deri më sot, kanë dalë në dritë shumë shprehje të tjera që favorizojnë shkëmbimin reciprok të ideve. Për shembull, pikërisht Panairi i parë i Librit të Frankfurtit mori fund për shkak të një zbulimi të ri. Në të vërtetë, kur Gutenberg bëri këtë shpikje në Mainz, vetëm pak kilometra larg nga këtu, i frymëzoi librashitësit e zonës të organizonin panairin. Të gjithë e dimë se zbulimi i Gutenberg-ut ishte një hap i rëndësishëm - me sa duket më domethënësi - drejt lindjes së asaj epoke që lidhet me emrin e Rilindjes, e gjatë së cilës idetë mund "të udhëtonin" më lirshëm. Falë kësaj mënyre të re të shtypit, këto ide ndaheshin sistematikisht dhe si pasojë bota u rimodelua mbi bazën e prurjes së tyre.

Ndryshe nga fushat e tjera, si vallëzimi, piktura apo teatri, ku prezenca fizike e krijuesit ishte e nevojshme, libri u fut menjëherë mes mjeteve të tjera të komunikimit, sepse mund të prodhohej në shkallë industriale. Librat, si kuti të mbushura me ide, e zbuluan funksionin e tyre në mënyrë perfekte për shekuj me radhë, deri sa u bënë shumë të domosdoshëm, ashtu si radioja, kinemaja dhe televizioni.

Në dhjetë vitet e fundit kemi ndihmuar edhe për futjen e internetit, këtë element të rëndësishëm që po imponon një mënyrë të re marrëdhënieje mes ideve dhe atyre që kërkojnë t‘i tejkalojnë modelet e vjetra ekonomike. Por, ka një diferencë kundrejt sektorëve të tjerë paraardhës: interneti nuk ka kosto prodhimi dhe shpërndarjeje. Për këtë arsye, ne po ndihmojmë për një ndryshim paradigmatik. Që tani e tutje, procesi i demokratizimit të një ideje, i cili është bërë i mundur për të parën herë falë procesit të shtypit të Gutenberg-ut, do të prekë dimensione krejtësisht të reja. Pak nga pak njerëzit do ta kuptojnë se: a) mund të publikojnë në internet gjithçka, duke e vënë në dispozicion të të gjithë të interesuarve; dhe b) mund t‘i transmetojnë vetë në kanalet televizive - si YouTube - ose në programet radiofonike si BlogTalkRadio.

Mesa duket, tregu botues është më i mbrojtur nga këto tendenca të reja online, krahasuar me muzikën ose filmat.

Në fakt, industria e botimeve ka arritur të kursejë më shumë në krahasim me mediat e tjera dhe ka më tepër avantazhe në panoramën e re teknologjike. Si fillim, kostot e prodhimit janë më të ulëta se ato të kinemasë dhe muzikës. Së dyti, interneti është një mjet komunikimi, i cili mund të përfshijë brenda edhe letërsinë. Që nga vitet ‘90 kemi ndihmuar në rritjen e tregut botues, falë faktit që njerëzit janë afruar me mënyrën e të shkruarit. Dhe jo vetëm kaq: pra edhe një herë shkrimtari është bërë katalizatori i nxitjes; shkrimtari është bërë një yll i muzikës pop, ashtu siç ishin këngëtarët e viteve ‘60.

Gjithsesi, mbeten ende dy probleme për t‘u zgjidhur: e drejta e autorit dhe mbështetja e botuesit. Konkretisht nuk kam një zgjidhje, por me siguri jemi përballë një epoke të re: nuk kemi rrugë tjetër: o të përshtatemi ose të vdesim. Natyrisht ajo që do të zgjidhja unë janë të drejtat e autorit, por nuk është kjo ajo që më shqetëson tani. Duhet të përshtatem, jo vetëm duke komunikuar më drejtpërdrejti me lexuesit e mi, por edhe duke zgjedhur një gjuhë tjetër, bazuar tek interneti, që do të jetë gjuha e së ardhmes. Kushedi nëse do ta rikuperoj ndonjëherë pasurinë që po investoj në komunitetet e mia virtuale. Interneti më ka mësuar të mos kem frikë t‘i ndaj idetë e mia me të tjerët; të mos kem frikë t‘i ftoj të tjerët të më shprehin mendimet e tyre. Giordano Bruno u ndëshkua sepse shprehu idetë e tij. Në botën e sotme do të ndëshkoheni ju, nëse nuk shprehni mendimet tuaja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›