E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta kushton shtatë plumba!

Gazetat amerikane "New York Times" dhe "International Herald Tribune" botuan ditët e fundit, një shkrim të gjatë për korrupsionin e madh në Bullgari. "International Herald Tribune" e titullon shkrimin "Vendet e tjera kanë mafia, kurse në Bullgari mafia ka vendin". Më poshtë po ju sjellim pjesët më interesante e më pikante të kësaj, mund ta quajmë, historie për gjendjen ku ndodhet aktualisht shoqëria bullgare. Politika të çon deri në vdekje në Bullgari, ku jeta e politikanëve kushton po aq lirë sa edhe plumbat që lëshohen nga tyta e pistoletës dhe që ua marrin atyre këtë jetë, ndërkohë që grupet e errëta të biznesit zhvillojnë mes tyre një luftë vrastare, që të sigurojnë pjesën sa më të madhe të "kulaçit", që nga marrëveshjet për pronat e patundshme, deri te miliona eurot të fondeve të Bashkimit Evropian. Vetëm gjatë sezonit politik të ashpër të kaluar, shtëpisë së kryetares së një komisioni elektoral lokal iu vu zjarri, kurse në garazhet e disa prej kryetarëve të bashkive të qyteteve bullgare u hodhën bomba-koktejle të tipit "Molotov".

Kryetari i bashkisë së një qyteti, diku në mes të Bullgarisë, që njihej për fushat e tij të golfit, u vra me shtatë plumba, po me aq plumba me sa u qëllua edhe kryetari i pasur i këshillit të qytetit të Nesebarit, një qendër pushimore idilike në bregdetin e Detit të Zi. "Vendet e tjera kanë mafia", thotë z. Atanas Atanasov, deputet i Parlamentit bullgar dhe ish-shef i Agjencisë së Kundërzbulimit të vendit, që është magnet për dokumentet që zbulojnë korrupsionin, duke shtuar: "Kurse në Bullgari mafia ka vendin".

Duke pasur parasysh të gjithë treguesit, Bullgaria mund të konsiderohet lehtësisht si vendi më i korruptuar midis 27 vendeve anëtare të BE-së. Qëkur u bashkua me BE-në, në fillim të vitit të kaluar, ajo (Bullgaria) u shfaq si një histori paralajmëruese për shtetet perëndimore që ndodhen përballë realitetit aspak të këndshëm dhe shpenzimeve shumë të mëdha për tërheqjen e shteteve postkomuniste të brishta në orbitën e tyre, sa më larg influencës së Rusisë. Ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e ndihmuan Bullgarinë të hynte në NATO, duke zhvilluar me ushtrinë e saj manovra të përbashkëta, qysh nga viti 2004 dhe duke mbështetur zhvillimin e shkëmbimeve tregtare, të arsimit dhe të demokracisë në këtë vend. Sapo u bë e ditur se ato (SHBA) do të investojnë më shumë se 90 milionë dollarë, gjatë dy-tre viteve të ardhshme, në objektet dhe pajisjet që do të përdoren gjatë manovrave ushtarake të përbashkëta në Bullgari. BE-ja, që synon të përmirësojë jetesën e popullsisë 7.5 milionëshe të Bullgarisë, ka vënë në dispozicion të saj rreth 15 miliardë dollarë si ndihmë! Por, në vend që këto para të mëdha të përdoreshin për pengimin e kriminalitetit dhe të dhunës, ato u përdorën me efikasitet të lartë për të ushqyer korrupsionin. Kur biznesmenët gangsterë në Bullgari e kuptuan dhe e morën vesh se për çfarë shuma parash bëhej fjalë, ata depërtuan midis reformistëve të shumtë të antikorrupsionit të Sofjes dhe filluan menjëherë blerjen e atyre politikanëve që merreshin direkt me politikë. Kështu, pasi BE-ja u ndërgjegjësua se përse bëhej fjalë, përfaqësues të saj (BE-së) zyrtarë ngrinë (bllokuan), verën e kaluar, afro 500 milionë euro dhe morën në konsideratë edhe pengimin e futjes në këtë vend të disa miliardave të tjera, të shqetësuar së tepërmi nga këta kriminelë të paprekshëm që praktikonin një të ashtuquajtur kriminalitet elegant zyrash, ndërsa mbanin lidhje të ngushta me instancat më të larta të pushtetit. Bandat gangstere lokale, të përbëra nga njerëz me "fytyra të zeza, të errëta", kontrollojnë projektet e ndërtimeve në asamblenë e qytetit, ndërsa rrjetet e dyshimta të biznesit u transferuan nga "tregjet e zeza" më të vogla të kontrabandës së cigareve e të alkoolit, në sektorin e investimeve legjitime të pronave të patundshme, që është në zhvillim e sipër. Tani, këto grupe të dyshimta po imponohen edhe në shërbimet publike.

Ekspertët përkatës në zyrat e BE-së, që përgjigjen për luftën kundër shpërdorimit të fondeve të saj, e kanë përqendruar tani vëmendjen te grupi Nikollov-Stojkov, një konglomerat i madh, i përbërë nga më se 10 kompani me interesa në degë industriale të vendit, në prodhimin e frigoriferëve, në përpunimin e hekurit dhe në qendra pushimore në bregdetin e Detit të Zi. Partnerët që ndodhen në krye të grupit dhe që, vitin e kaluar, u mbajtën të arrestuar, për një kohë të shkurtër, me dyshimin se bënin mashtrime financiare, lavdërohen se lidhjet e tyre shkojnë deri tek organet më të larta të pushtetit. Ljudmill Stojkov kontribuoi në financimin e fushatës së Presidentit të Bullgarisë, Georgi Prvanov, dhe organizoi grupet e ndryshme të biznesit për mbështetjen e tij. Stojkovi, mbi të cilin nuk rëndon asnjë vepër penale që nga arrestimi i tij në Bullgari, vitin e kaluar, kur iu paraqiten akuza në pesë pika për mashtrime e shpërdorime lidhur me fondet e BE-së, nuk pranoi se ka ditur gjë për veprimtaritë kriminale, ku ishin përfshirë fonde të BE-së. Ai vetëm pohoi se kishte dhënë 25 000 leva (rreth 17 000 dollarë) si donacion për fushatën e Presidentit bullgar. "Dhashë një donacion sipas të gjitha kritereve ligjore", tha Stokovi dhe askush nuk tha ndonjë fjalë kundër tij. Partneri i tij, Mario Nikollov, kundër të cilit, vitin e kaluar, duhej të niste një proces gjyqësor në Bullgari mbi bazën e akuzës për mashtrime, arriti një aleancë të fshehtë me Kryeministrin Sergej Stanishev, thonë ekspertët përkatës të BE-së, sipas të cilëve ai (Nikollovi) ka derdhur si donacione më shumë se 200 000 leva në arkën e Partisë Socialiste të Stanishevit. Në raportin prej pesë faqesh, të shkruar me një gjuhë jashtëzakonisht të qartë dhe pa asnjë mëdyshje, i cili u publikua verën e kaluar, ekspertët e BE-së, përgjegjës për luftën kundër mashtrimeve financiare, akuzojnë grupin Stojkov-Nikollov se "fronti i tyre i rrjeteve kriminale përbëhet nga më shumë se 50 firma bullgare dhe kompani të tjera në Evropë e përtej saj". Midis akuzave të ekspertëve të BE-së figurojnë edhe ato për shpërdorime në subvencionet e BE-së, të destinuara si ndihmë për zhvillim, që me këto subvencione të bliheshin aparatura dhe pajisje të reja, por, në vend të tyre, u blenë pajisje të vjetra të prodhuara në ish-Gjermaninë Lindore, duke u lejuar kështu biznesmenëve gangsterë bullgarë të futnin në xhep para të mëdha të siguruara nga ndryshimi i madh mes çmimeve. Po ashtu, kompanitë e lartpërmendura u akuzuan nga ekspertët e BE-së se kishin futur në Bullgari, në mënyrë ilegale, sasira të mëdha të mishit të lepurit me origjinë nga Kina, duke e shitur atë, më pas, në Francë dhe Gjermani me certifikata shëndetësore të falsifikuara të Argjentinës! Ekspertët përkatës të BE-së vunë në dukje se vlera e shpërdorimeve dhe e mashtrimeve financiare që kanë përfituar Nikollovi, Stojkovi dhe njerëzit e tyre nga fondet e BE-së, arrijnë deri në 30 milionë euro. Sidoqoftë, Nikollovi, me të cilin korrespondentët e dy gazetave amerikane të lartpërmendura arritën të hynin në kontakt në zyrën e tij në "Eurofrigo", kompani e prodhimit të frigoriferëve në Sofje, nuk pranoi t‘i komentonte dokumentet që zbulonin donacionet për Kryeministrin, për të cilat Prokuroria bullgare bëri të ditur se janë në hetim e sipër. Kur opinioni publik lexoi raportin e BE-së, Nikollovi tha vetëm: "Tani, unë jam bërë armiku Nr. 1 i shtetit. Kam frikë për jetën time". Kryeministri Stanishev, nga ana e tij, nuk iu përgjigj rreth 10 përpjekjeve të bëra gjatë gjashtë ditëve, që të përgjigjej për sa më lart. Stanishevi, ish-gazetar i arsimuar në Shkollën për Ekonomi në Londër në vitin 2007, u quajt nga Presidenti amerikan Xhorxh Bush si "Mister Pastërtia" për përpjekjet që po bënte për pengimin e kriminalitetit të organizuar në Bullgari. Kur vendet anëtare të BE-së filluan të ankohen se ka pasur shpërdorime me fondet e saj të ndihmës, Stanishevi deklaroi para opinionit publik se nuk ekzistonte asnjë "çadër" për mbrojtjen e biznesmenëve të pasur, ose të "figurave" të kriminalitetit të organizuar në Bullgari. Megjithatë, kur i bëri këto deklarata, nuk dihej se ai, në vitin 2005, ishte takuar me Nikollovin. Në një video-regjistrimi prej pesëminutësh shihet se si Stanishevi u prit nga Nikollovi në fabrikën e tij të përpunimit të mishit, se si ai po vizitonte mjediset e saj dhe se si u gostit me mëlçi pate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›