E Diel, 1 Nëntor 2026

Desmond Tutu: Turp të kenë ato vende që armatosin fëmijët tanë!"

"Fëmijët nuk janë të aftë të urrejnë. Janë të rriturit ata që i mësojnë dhe që u japin në duar një kallashnikov për të qëlluar edhe mbi vetë familjarët e tyre. Ata që eksportojnë armë nëpër shtete, me qëllimin për të ndihmuar një luftë, duhet të kenë turp". Edhe këtë herë arqipeshkvi Desmond Tutu është i vendosur dhe nuk përdor fjalë diplomatike. Tutu, i cili ka fituar çmimin "Nobel" për paqen dhe është simboli luftës kundër aparteidit, duket sikur nuk ka asnjë minutë pushim: kalon nga një deklaratë e përmbledhur mbi politikën e brendshme të Afrikës Jugore ("Ajo rrezikon të shndërrohet në një "republikë bananesh"); në misionin si i dërguar i OKB-së në Rripin e Gazës ("Bombardimet nga ana e Izraelit mund të jenë një krim lufte"); deri në një udhëtim në Qipro, për të mbështetur përpjekjet në ribashkimin e ishullit, së bashku me ish-presidentin amerikan, Xhimi Karter. Pavarësisht nga të gjitha këto, ai e ka gjetur kohën për të bërë dëshmitarin në fushatën "Të rishkruajmë të ardhmen" të organizatës "Save the Children". Janë 37 milionë të miturit që nuk mund të shkojnë në shkollë për faj të luftës dhe kjo OJQ ka kërkuar një mobilizim për t‘u dhënë fëmijëve "më shumë dije në vend të armëve". Tutu e ka mbështetur këtë sipërmarrje.

Arqipeshk, shumë fëmijëve afrikanë u ndodh që të marrin në dorë një armë para se të kenë prekur më parë një libër shkolle. Ju çfarë do t‘u thoshit qeverive të shteteve që prodhojnë armë dhe i eksportojnë ato në gjithë botën?

Do ju thosha: T‘ju vijë turp! Trafiku i armëve është një praktikë e rrezikshme dhe imorale. Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare e ndalojnë shitjen e armëve në vendet që janë të përfshira nga lufta civile, ose në ato ku ka tirani. E megjithatë armët mbërrijnë edhe atje ku qeveritë i përdorin kundër popullit të tyre: Birmani, Zimbabve etj. Kinezët vazhdojnë t‘i dërgojnë municione regjimit të Mugabe-së, i cili i përdor kundër opozitës. E dimë me siguri këtë, sepse një anije është ankoruar në Afrikën e Jugut dhe për fat të mirë sindikata e shkarkimit të mallrave në port ka refuzuar që ta çojë ngarkesën në tokë.

Ǒduhet bërë për të përmirësuar të ardhmen e popujve afrikanë?

Duhet të ngrihemi në këmbë për të shpëtuar më të rinjtë, sidomos ata që jetojnë në zonat e luftës. Fëmijët gëzojnë të drejtën e të ardhmes, e një të ardhmeje pa luftë. Kanë të drejtën të jetojnë pa vuajtur nga uria, të vaksinohen për t‘u bërë ballë sëmundjeve dhe të përkujdesjes për t‘u rritur. Shumë fëmijë vdesin nga mungesa e ujit të pijshëm, ose nga sëmundje lehtësisht të kurueshme. Qëllimi: një e ardhme më e mirë.

Kush duhet të jetë përgjegjës për arsimimin e fëmijëve?

Po ju përgjigjem me një shembull. Marrim Zimbabvenë: në fillim ishte një vend më i zhvilluar se të tjetër për sa i përket arsimimit të fëmijëve. Shkollimi mbulonte pothuajse 100 për qind të vendit. Sot, për shkak të problemeve politike, fëmijët nuk mund të marrin një arsimim të mjaftueshëm. Edhe ata që shkojnë në shkollë, nuk marrin mësime. Mirëpo arsimimi nuk është një privilegj. Ai është një e drejtë e njeriut, që e kanë ratifikuar edhe marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare. Garantimi i arsimimit është një detyrim.

Nga njëra anë është arsimimi dhe shkolla, nga ana tjetër tragjedia e rekrutimit me forcë në moshë të mitur...

Bota e ka pranuar që është ilegale dhe imorale t‘i përdorësh fëmijët si ushtarë. Nuk është e drejtë t‘i përfshish në konfliktet e të rriturve. Asnjë fëmijë nuk ka lindur duke urryer: të vegjlit mësojnë të urrejnë nga ne më të vjetërit. Fëmijët nuk janë racistë, por u mësohet urrejtja raciale. Po ju tregoj një histori personale. Një fëmijë nga një familje amerikane- të cilin e kam njohur personalisht -sapo kishte hyrë në shkollë dhe fliste në shtëpi për mësuesen e tij me entuziazëm të madh. Prindërit i kërkojnë ta ftojë në shtëpi për ta njohur edhe ata. Të nesërmen u paraqit një vajzë zezake, në pritje për të takuar familjen e bardhë amerikane. Fëmija as nuk e kishte menduar dhe as nuk e kishte gjykuar atë që të rriturit do të shihnin "së pari" te mësuesja e tij.

Ka nga ata që akuzojnë vendet perëndimore, si Anglinë, sepse i çojnë fëmijët 16-vjeçarë në akademinë ushtarake. Po ju, a jeni dakord me këtë?

Ka marrëveshje ndërkombëtare që e ndalojnë shfrytëzimin e të miturve 16-vjeçarë. Por ka dhe diçka tjetër në lëvizjet guerilje afrikane ose në Birmani: ushtritë e ndryshme i rrëmbejnë fëmijët, shpesh i detyrojnë edhe të vrasin vetë familjarët e tyre. Kështu të vegjlit traumatizohen dhe nuk mund të kthehen në shtëpi. Kjo është negative që në fillim.

Por, pse historia e Afrikës është plot konflikte dhe tragjedi?

Ka shumë situata të trishta, por nuk besoj se është shumë ndryshe nga Evropa e shekullit të kaluar. Kam parasysh holokaustin, diktaturat ushtarake në Spanjë dhe Portugali. Në Itali ka pasur fashizëm dhe po aq e vështirë ka qenë gjendja në Kosovë me spastrimet etnike. Është e vërtetë se në Afrikë ndodhin shumë gjëra të këqija, por besojmë se do t‘i rizgjidhim, ashtu si në Kenia dhe Botsvana. Sigurisht, kjo gjë do kohë.

Qeveritë mund të ndryshojnë shpejt, ashtu si dhe çorapet, por për të rifituar stabilitetin dhe demokracinë duhen shekuj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›