Një vit pa Vangjelin
E mirënjohura këngë shkodrane "Luleborë", ka jehuar në përkujtim të Vangjel Hebës, artistit që një vit më parë u nda nga jeta. Mirush Kabashi, Besnik Taraneshi, Aishe Stari, Hysen Bashhysa, Haxhi Rama dhe Xhelal Tafaj janë bashkuar si dikur me Vangjelin për të kënduar këngën e tij të preferuar nën tingujt e kitarave, ndërsa buzëqeshja e artistit të larguar, e fiksuar në celuloid, shtrihej në të gjithë sallën e mbushur plot e për plot me miq dhe artdashës në kujtim të jetës së tij. Një aktivitet i organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe artistët durrsakë i dha jetë fundjavës së sapo nisur durrsake, duke sjellë në kujtesën e të gjithë të pranishmëve galerinë e roleve, personazheve të interpretuara me mjeshtëri në kinematografi nga artisti Vangjel Heba. Emra të shquar të skenës durrsake dhe asaj kombëtare kanë kujtuar çaste nga jeta artistike e Hebës, duke ngacmuar dhe të qeshura e ndonjë pikë lot për humbjen e tij fizike. Aktor i teatrit dhe filmit artistik, ai u bë shumë shpejt i njohur në mbarë vendin, duke e kapërcyer vlerësimin dhe famën që i jepte jeta artistike në qytetin e Durrësit. Suksesi i tij në kinematografi qe i menjëhershëm. Roli i tij i parë i përket filmit "Furtuna", në vitin 1959, ku interpretoi rolin e Vasilit. Lirshmëria në interpretim, zëri potent dhe i ngrohtë, si dhe pamja e admirueshme fizike, bënë që të spikaste në këtë interpretim të parë të aktorit, që vinte nga skenat e teatrit "Aleksandër Moisiu". Dyert e filmit artistik u çelën për të, duke i lënë vendin angazhimeve dhe realizimeve të shumë personazheve të tjera. Pas "Furtunës", që shumë shpejt u ndalua të shfaqej, atij i ofrohet roli i Murrashit, te "Toka jonë". Këtë herë personazhi ishte brenda kornizave të njeriut të ri të realizmit socialist. Në një monografi modeste, të realizuar nga Arkivi Qendror i Filmit për Vangjel Hebën, ky rol dhe ai në filmin "Malet me blerim mbuluar" konsiderohen ndër rolet më të bukura dhe më të arrira të filmit shqiptar. Kinemaja i dha famën e kërkuar nga çdo artist dhe ai interpretoi mbi 22 role, duke u vlerësuar jo vetëm për interpretimin cilësor, po dhe për përkushtimin në punë. "E veçanta e tij ishte serioziteti dhe vërtetësia në interpretim. Fjala e rëndë dhe me peshë, karakteri i fuqishëm, burrëror dhe i guximshëm e dallonin Vangjel Hebën jo vetëm në skenë apo në sheshin e xhirimit, por edhe në jetën e tij të përditshme", shkruhet në materialin e shpërndarë me rastin e njëvjetorit të lamtumirës së artistit. Filma të tjerë, në të cilat ka interpretuar ndër vite aktori, janë "Tinguj lufte", "Vajzat me kordele të kuqe", "Dorina", "Nëntori i dytë", "Balada e Kurbinit" etj. Tërësia e personalitetit artistik e bënin Hebën të imponohej me respekt edhe në rolet negative që interpretonte. Gjatë rrugës së tij në kinematografi bashkëpunoi me regjisorë të ndryshëm si Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani, Xhanfize Keko, Viktor Gjika, Kujtim Çashku etj. Në vitin 1968, u nderua me titullin e lartë "Artist i Merituar", ndërsa Bashkia e Durrësit e pati nderuar me titullin "Qytetar Nderi".
Fillimet e Hebës janë në teatër. Ishte regjisori i mirënjohur, Artisti i Popullit, Gjergj Vlashi, që e afroi në teatrin amator të kohës, duke i dhënë një rol në dramën "Nën gështenjat e Pragës". Ishte viti 1950. Aty nisi dhe dashuria e tij për skenën dhe teatrin. Dy vjet më pas, shkon ushtar dhe aktivizohet në Teatrin e Ushtrisë. Mbarimi i shërbimit e kthen në qytetin e lindjes, ku ndërkohë ishte themeluar teatri profesionist "Aleksandër Moisiu". Me trupën e këtij teatri, interpreton rolin e parë, që vlerësohet dhe nga më të mirët e tij në teatër, atë të Petritit, në dramën "Familja e peshkatarit", me regji të Sulejman Pitarkës. Janë mbi 75 role në teatër që pasojnë. Rolet e tij në shfaqjet teatrale "Hijet e natës", "Martesa", "Revizori" etj., kanë hyrë në fondin e artë të teatrit. Nuk mjaftohet veç me aktrimin dhe kryen një kurs për regjisurë në vitin 1975, duke vënë në skenë rreth 15 shfaqje.
Më 17 tetor të afërmit, miqtë dhe artdashësit u mblodhën për të përkujtuar veprën dhe qytetarinë e tij. Të gjithë së bashku për të sjellë copëza nga jeta e përbashkët me të, nga kujtimet që ai la pas dhe që nuk mundën të ikin bashkë me largimin e tij nga kjo botë.
Kanë thënë…
"Vangjeli ka qenë aktor i plotë, i përkushtuar, punonte njësoj si rolet e mëdha dhe ato të vogla, duke dëshmuar se ishte aktor me "A" të madhe. Ai vijon të jetojë në kujtimet e spektatorëve dhe përveç kësaj jeton aktori i ekranit e si i tillë do të jetojë gjatë, shumë gjatë".
Artisti i Popullit Gjergj Vlashi
"Vangjel Heba mbeti një emblemë e disiplinës, ekzigjencës skenike dhe artistike".
Artisti i Merituar Enver Plaku
"Kur kujtohet një artist, ai nuk vjen vetëm. Më shumë se 100 personazhe shoqërojnë rrugëtimin e artistit Vangjel Heba".
Dramaturgu Bashkim Hoxha
"Në aspektin personal do t‘i jem shumë mirënjohës Vangjel Hebës, që në kryeveprën e komediografisë ruse "Revizori", të cilën në vitin ‘71 vinte në teatrin e Durrësit, si mbrojtje të diplomës regjisoriale me guxim e besim më angazhoi mua, aktorin e sapoardhur nga bankat e shkollës në kryerolin e shfaqjes. Pa diskutim që ai sukses përcaktoi shumë angazhimet e mia të mëtejshme, jo vetëm me regjisorin Vangjel Heba, po dhe me regjisorë të tjerë të suksesshëm të teatrit durrsak".
Mjeshtri i Madh i Skenës, Mirush Kabashi