E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkmar shkeputet 3 pike ne krye te renditjes se kampionatit holandez

Një shkëputje e lehtë ka ndodhur në krye të kampionatit holandez. AZ e Alkmarit, skuadra e suksesshme e Ligës së Europës, e importoi këtë formë edhe në Eredivizie, duke fituar 2-0 në fushën e De Grafshapit. Ky 3-pikësh u arrit falë golave të shënuar nga Rasmus Elm dhe Erik Falkenberg, që të dy pas pushimit.
Tepër i veçantë goli i parë, shënuar nga Elm drejtpërdrejt nga goditja e këndit, ndërsa portieri vendas De Vinter, duket u verbua nga dielli që po perëndonte. Edhe pse vendasit patën një mundësi shënimi, Alkmar siguroi fitoren në minutën e fundit.
Ajaksi u ngjit në vendin e dytë në kampionat, pas fitores 3-0 ndaj Valvijkut në fushën e tij. Goli i parë i bardhekuqve u realizua nga Vertongen në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, vendasit realizuan edhe dy herë të tjera.
De Jong përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes mike për të kaluar edhe portierin dhe për të shënuar golin e dytë, ndërsa goli i tretë erdhi pas një krosimi të Dimitri Bulikinit dhe topi u dërgua me kokë për në rrjetë nga Lorenco Ebisilio.
PSV Ajndhoven pësoi një humbje tronditëse 1-3 në fushën e Bredës. Skuadra favorite e nisi mirë ndeshjen duke kaluar e para në epërsi me anë të sulmuesit Vejnaldum pas një gabimi të mbrojtjes, por kjo epërsi nuk zgjati shumë.
Jusef Akçaui ishte protagonist i aksionit të golit të barazimit për Bredën, gol që u shënua nga Santi Kolk.
Skuadra vendase arriti të shënonte shumë shpejt edhe golin e dytë, e shtyrë nga entuziazmi i momentit dhe hero ishte Antoni Lurling, që arriti të kalonte 3 mbrojtës para se ta dërgonte topin në rrjetë.
Pasi mbrojtësi bullgar i miqve, Stanislav Manolev u përjashtua me karton të kuq në fund të pjesës së parë, gjithçka u bë më e lehtë për Bredën që shënoi golin e tretë në pjesën e dytë.
Autor i këtij goli ishte sërish Kolk që realizoi me kokë, pas topit të dhënë nga Lurling.
Edhe pse Shilder i Bredës mori karton të kuq, kjo nuk e ndihmoi Ajndhovenin që të shënonte ndonjë gol tjetër.
Alkmar ka 52 pikë pas 29 ndeshjeve të luajtura në kampionat, 3 më shumë sesa Ajaksi, ndërsa Tvente dhe PSV Ajndhoven kanë nga 48 pikë, po aq sa Fejënordi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›